Fiqiri Çifliku: Struci si shpëtimtar i TikTok apo të fshehësh kokën si ai?

Mbyllja e TikTok-ut ngre pyetje mbi efektivitetin e kësaj mase në luftën kundër varësisë nga teknologjia. Si mund të zëvendësohet koha e kaluar online dhe si të mbrohen nxënësit nga efektet negative? Zgjidhjet kërkojnë bashkëpunim mes prindërve, mësuesve dhe komunitetit.

Një analizë nga Fiqiri Çifliku mbi arsyet e vendimi për mbylljen e TikTok dhe alternativa për të plotësuar kohën që deri tani është harxhuar me të. Mbyllja e TikTok si masë efektive apo diçka e shpejtë, që nuk e zgjidh problemin e thellë të varësisë nga teknologjia dhe rrjetet sociale?


Cilat janë rrugët për të luftuar kundër efekteve negative të mediave sociale në shkolla? Përfshirja e nxënësve, mësuesve, prindërve, komunitetin në tërësi, dhe shtetin si rregullator.

Sfidat kryesoren që lidhen me edukimin dhe ndërgjegjësimin, si proces që synon të aftësojë nxënësit të mbrohen nga “rrugaçi i lagjes” dhe jo të fshihen për tij.

Vendosja e rregullave të qarta të përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike, së pari në klasë, por pa anashkaluar edhe kohën larg shkollës.

Bashkëpunimi dhe informimi i prindërve, si dhe trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve mbi përdorimin e mediave sociale, rreziqet dhe strategjitë për trajtimin e tyre.

Për më shumë mund të lexoni analizën e plotë si një parantezë për diskutime rreth problematikës së rrjeteve sociale dhe ndikimit të tyre në jetën e secilit.





Një ditë, në një kopsht zoologjik, një Struc vendosi të bënte diçka të pazakontë. Ai kishte dëgjuar njerëzit duke thënë: "Mos u bëj si Struci dhe mos e fshih kokën në rërë!".


Ndërsa Struci po e fshihte kokën në rërë, një grup fëmijësh kaloi pranë tij. Njëri prej tyre, ishte i varur në TikTok dhe po regjistronte një video për profilin e tij. Kur pa Strucin me kokën në rërë, filloi të qeshte dhe tha: "Shiko, ai struci po bën sfidën e fundit në TikTok!"


Por papritur, telefoni i ra në rërë dhe fëmija filloi të bërtiste: "Mosss, TikTok-u im u mbyll Çfarë të bëj?!" Struci, i cili e ndjeu dridhjen në rërë, ngriti, kokën, me një shikim të zgjuar, mori telefonin me sqep dhe ia ktheu djalit.


Fëmija, i habitur dhe i mirënjohës, tha: "Ti je heroi im! Nga sot, nuk do të fsheh më kokën në TikTok, por do të dal në botën e vërtetë!" Struci bëri një lëvizje koke si për të thënë: "Po, kjo është ideja!".


Të gjithë jemi dakord se lufta kundër përdorimit të tepërt të TikTok (ose çdo rrjeti tjetër social) për nxënësit e moshës shkollore është një sfidë shumë komplekse. Mbyllja e TikTok mund të duket si një zgjidhje e shpejtë, por ajo në fakt nuk e adreson zgjidhjen e vërtetë të problemit.


Në debatet e kohëve të fundit argumentet në favor të ndalimit janë të shumta dhe lidhen me:

  • Shqetësimet për sigurinë e të dhënave pasi kineze, ka qenë subjekt i shqetësimeve rreth ndarjes potenciale të të dhënave të përdoruesve me qeverinë kineze.
  • Disa studime e kanë lidhur përdorimin e tepruar të TikTok-ut me çështjet e shëndetit mendor, si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e gjumit.
  • Platforma mund të ketë përmbajtje të papërshtatshme, të tilla si video të dhunshme, ose që nxisin sjellje të rrezikshme.
  • Ashtu si platformat e tjera sociale, TikTok mund të përdoret për të përhapur informacione të rreme apo propagandë.


Pse mbyllja e TikTok mund të mos jetë zgjidhja ideale dhe cilat janë disa nga rreziqet e mbylljes?


  • TikTok përdoret edhe për qëllime edukative, si tutoriale, mësime të shkurtra dhe informacione të dobishme. Pra në këtë moment mund të kemi humbur e një platformë ku shumë nxënës mësojnë gjëra të reja në mënyrë të shpejtë dhe argëtuese. Shumë nxënës e përdorin TikTok si një mjet për të shprehur krijimtarinë e tyre, dhe mbyllja e tij mund të ndikojë negativisht në këtë aspekt.
  • Më mbylljen e TikTok në datë 15 mars 2025, për një vit, nxënësit mund të kalojnë në platforma të tjera sociale (Snapchat, Instagram, YouTube, Shortvideo, Clapper etj.), të cilat mund të kenë të njëjtat rreziqe ose edhe më të mëdha.
  • Mbyllja e një platforme të njohur mund të shkaktojë rezistencë dhe mungesë bashkëpunimi nga ana e nxënësve dhe sigurisht me mundësitë që ofron rrjeti mund ta përdorin në mënyra të tjera.


Në se analizojmë arsyet e këtij vendimi sigurisht që mund të jemi të ndarë në pro apo kundër. Kishte alternativa të tjera ndaj mbylljes së plotë qoftë edhe për një periudhë të kufizuar? Sigurisht që ka dhe duhet që të ishte punuar në këtë drejtim para se të merrej në një vendim kaq drastik që politika nuk ngurron ta përdor edhe për qëllime të tjera. Lufta kundër efekteve negative të mediave sociale në shkolla kërkon një qasje shumë faktoriale. Kjo përfshin nxënësit, mësuesit, prindërit, komunitetin në tërësi, shtetin si rregullator dhe mund të mbështetet në pesë kolona kryesore.

  

1. Edukimi dhe ndërgjegjësimi:

Edukimi dhe ndërgjegjësimi është një proces që duhet të ndodh normalisht, duke synuar të edukojmë fëmijët tanë të aftësohen si të mbrohen nga “rrugaçi i lagjes” dhe jo të fshihen për tij. Nëse i fshehim nuk kemi bërë asgjë, thjesht kemi shtyrë përballjen me të. Në një formë apo tjetër përballja me të do të ndodh në një moment ta caktuar.


Është shumë e rëndësishme t’u mësojmë nxënësve se si t'i përdorin mediat sociale në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme, duke njohur rreziqe të tilla si cyberbullying, keqinformimi dhe varësia nga përdorimit të tepërt të TikTok (humbja e kohës, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, etj.) dhe kjo mund të bëhet shumë mirë në çdo lëndë e sidomos në lëndën e TIK.


Të zhvillojmë aftësinë e nxënësve për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin online, duke bërë dallimin midis burimeve të besueshme dhe jo të besueshme, si dhe të reflektojnë mbi ndikimin e mediave sociale në mirëqenien dhe marrëdhëniet e tyre emocionale. Fokusi të jetë tek edukimin dixhital. Nxënësit duhet të mësojnë si të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar. Kjo sjellje do të krijonte një kulturë të shëndetshme. Nxitja për aktivitete larg ekraneve dhe ndërveprimet sociale në jetën reale janë më të vlerësuara. 


2. Rregullorja dhe politikat e shkollës:

Vendosja e rregullave të qarta rreth përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike në klasë. Të vendosësh rregulla të qarta për përdorimin e telefonit gjatë orëve të shkollës dhe detyrave të shtëpisë nuk do të thotë të shkruajmë e të mos i zbatojmë. E kemi një urdhër në fuqi, por që realisht duhet rishikuar tërësisht, për të qenë sa më efektiv.


Të hartohen politika efektive për të parandaluar dhe trajtuar cyberbullying, me procedura të qarta për raportimin dhe ndërhyrjen nga punonjësit mbështetës në shkolla si shërbimi psikosocial, oficeri i sigurisë apo koordinatorët që tashmë i kemi  realitet në shkolla. E ritheksoj që koordinatori i shëndetit do ishte një zgjidhje ideale për shkollat tona. Nuk ka kosto të madhe dhe buxheti i shtetit mund ta përballojë lehtësisht.


Strukturat mbështetëse të sipër cituara duhet të ofrojnë mbështetje për nxënësit që po ngacmohen në internet ose po luftojnë me varësinë nga rrjetet sociale. Është emergjente rishikimi i planeve për menaxhimin e emergjencave në shkolla dhe të shihen si dokument ku secili të bëj pjesën e vet.


3. Përfshirja prindërore:

Bashkëpunimi dhe informimi i prindërve, të cilët duhet të marrin përgjegjësit e tyre dhe jo vetëm të ankohen për shkollën e të shajnë mësuesin pa pushim. Ata duhet të jenë të përfshirë në menaxhimin e kohës para ekranit, të fëmijëve të tyre dhe të jenë në sinkron me mësuesit për të organizuar diskutime në klasë dhe jashtë saj për rreziqet dhe përfitimet e rrjeteve sociale. Kujdes, ato telefona smart, fëmijëve nuk ua kanë blerë mësuesit, por ju prindër të dashur.  


Prindërit duhet të punojnë dhe të marrin përgjegjësi reale për të kufizuar kohën e përdorimit të rrjeteve sociale nëpërmjet aplikacioneve të kontrollit prindëror (screen time management).

Organizimi i takime dhe puntorive për të informuar prindërit rreth çështjeve të mediave sociale dhe për të nxitur bashkëpunimin tashmë jo shumë solid mes shkollës dhe familjes.


Mbi të gjitha prindërit mund të jenë një shembull i mirë duke kufizuar përdorimin e mediave sociale dhe duke nxitur aktivitete larg rrjeteve sociale dhe ekraneve.


4. Sigurimi i alternativave të shëndetshme:

Më e rëndësishmja është se me çfarë do e zëvendësojmë kohën që deri tani ua merrte TikTok apo ndonjë rrjet tjetër. Të ofrosh alternativa është më e vështirë sa duket.


Ministria dhe strukturat e saj, deri tek shkolla më e vogël në territor duhet të nxisin zhvillimin e aktiviteteve, si sporti, leximi, ose aktivitete të tjera fizike që i mbajnë fëmijët larg ekraneve të çdo lloji.


Një orar më i gjatë në shkollë duke përfshirë sigurimin e kushteve për kryerjen e detyrave në mjediset e shkollës do të mbështeste në mënyrë të jashtëzakonshme këtë proces. Sigurimi i aplikacioneve dhe platformave edukative që ofrojnë përmbajtje të dobishme dhe motivuese.


Sigurimi i një sërë aktivitetesh jashtëshkollore që kërkojnë ndërveprim shoqëror, aktivitet fizik duke u angazhuar në hobi, sporte, aktivitete në natyrë dhe  zhvillimin e interesave personal do të inkurajojnë nxënësve të kalojnë më shumë kohë të lirë larg ekraneve.

Kjo do të thotë të vlerësosh rëndësinë e marrëdhënieve shoqërore ballë për ballë dhe të ndërveprimeve njerëzore.


5. Trajnimi i mësuesve:

Pa u siguruar mësuesve një trajnim të vazhdueshëm mbi përdorimin e mediave sociale, rreziqet dhe strategjitë për trajtimin e tyre të gjitha masat që mund të merren do të jenë pa rezultat ose me rezultate të kufizuara. Ata, duhet të trajnohen për gjetur mënyra krijuese, për të përdorur mediat sociale si mjete mësimore ndihmëse, ndërsa nxisin përdorimin e përgjegjshëm tek nxënësit.


Trajtimi i sfidës së mediave sociale në shkolla sot më shumë se kurrë kërkon angazhim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm midis të gjithë aktorëve të përfshirë e për këtë mësuesve duhet t’u jepet mbështetjen e nevojshme për të trajtuar çështjet që lindin në klasë. Duke hartuar dhe zbatuar një strategji të plotë, mund të krijojmë një mjedis shkollor më të sigurt dhe më të shëndetshëm për nxënësit.


Mbyllja e TikTok mund të jetë një masë e shpejtë, por ajo nuk zgjidh problemin e thellë të varësisë nga teknologjia dhe rrjetet sociale. Zgjidhja duhet të jetë një qasje e balancuar që përfshin edukimin, vendosjen e kufijve dhe ofrimin e alternativeve të shëndetshme. Në fund të fundit, qëllimi duhet të jetë të ndihmojmë nxënësit të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe përfitimet e saj.


E kemi detyrë le bëhemi ai Struci që shpëton fëmijën dhe jo të "fshehim kokën në rërë" me mbylljen e TikTok.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

201 Lexime
8 orë më parë