Si t’ia prezantoni fëmijëve të parashkollorit shkollën?
Jo gjithmonë fillimi në shkollë është i bukur dhe premtues. Ka fëmijë që ndihen të frustruar, të pamotivuar. Ndaj, duhet bërë me ta një lloj parapërgatitje në nivel emocional dhe psikologjik. Jini realë dhe të vërtetë, mos e idealizoni shkollën!
Si t’ia prezantoni fëmijëve të parashkollorit shkollën?
Ata duhet ta dinë që shkolla është aty për ta, duke i pritur. Në nga pyetjet më të zakonshme të prindërve është si t’ua prezantojnë fëmijëve të tyre shkollën. Po, ashtu një nga përgjigjet më të zakonshme të psikologëve është t’ua prezantosh në mënyrën më bukur dhe më reale të mundshme, duke u thënë që aty do të merrni dije të reja dhe do të bëni shumë miq të rinj. Duhet me patjetër që fëmijët ta kenë më dëshirë të shkuarin në shkollë.
Ndonjëherë kurrikula dhe programet janë mjaft të vështira për fëmijët dhe ata kanë mjaft vështirësi në të mësuar. Jo të gjitë janë mjaftueshëm të shoqërueshëm. Ka fëmijë që nuk përshtaten lehtë. Ndryshimi i mësueses, sidomos për ata fëmijë që vijnë nga parashkollori mund të jetë i vështirë. Prindërit mund të jenë të ngarkuar më punë dhe nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur. Pra, jo gjithmonë fillimi në shkollë është i bukur dhe premtues. Ka fëmijë që ndihen të frustruar, të pamotivuar. Kjo rrit nivelin e ankthit tek fëmijët dhe do e ketë gjithmonë e më të vështirë qoftë të shkuarit në shkollë, qoftë të dashurit shkollën.
Ç’duhet bërë?
Secili prind duhet t’i shpjegojë fëmijës që shkolla ndër të tjera është një detyrim, ku ai duhet të shkojë çdo ditë. Do të shkruajë, lexojë, mësojë, numërojë, do të veshë një uniformë dhe një çantë shkolle. Pra, fëmija duhet të ketë të qartë çdo aktivitet që do bëjë në shkollë.
Ka fëmijë që janë mjaft të përkëdhelur, por duhet t’ia bëni të qartë fëmijës që ai nuk është i vetmi në atë klasë. Si ai janë edhe 29 fëmijë të tjerë. Ata të gjithë duhet të ndajnë një mësuese dhe bashkëpunimin mes tyre. Duke ia bërë të qartë fëmijës ai nuk zhgenjehet, por do përpiqet të familjarizohet.
Mësojeni çdo ditë fëmijën tuaj, ndihmojeni atë për detyrat. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mësuesit, por mbi të gjitha e prindit. Kur fëmija flet, mos e gjyko, dëgjoje deri në fund. Lëre të gabojë, është normale të gabojë. Do mësojë nga gabimet.
Kritikat e vazhdueshme e vrasin lirshmërinë e fëmijës. Ai nuk do shprehet më hapur, pa drojë, por do mbyllet në vetvete me frikën se prindi do e paragjykojë. Më tej kjo ndikon në vetëbesimin e fëmijës. Ai duhet të dijë që prindi është i pranishëm për të në çdo moment, madje edhe kur gabon.
Prindër, mos ia idealizoni fëmijës shkollën. Mundohuni t’ia paraqesni sa më normale, në mënyrë që fëmija ta pranojë ashtu siç është.
(P.Shtini; Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?