INTERVISTË

Si të shkoni me studime në Amerikë? Ju sjellim eksperiencën e një të riu të suksesshëm

Intervistë me Petrika Gjatën, i cili në bazë të eksperiencës së tij rrëfen në mënyrë të detajuar rrugën që duhet të ndjekë çdo studentë i cili dëshiron të kryej studimet në Amerikë. Ne shpresojmë t’ju vijmë sadopak në ndihmë nëse keni këtë qëllim.

Edhe pse në moshë të re, Petrika Gjata, renditet mes të rinjve të talentuar shqiptar i cili ka mundur të realizojë ëndrrën e tij për të studiuar në Amerikë, me rezultate shumë të mira. Ndërkohë që tashmë ofron konsulencë për të gjithë ata që janë të interesuar të ndjekin studimet si ai. Ju përcjellim një intervistë që kemi realizuar me të. 




Për të gjithë ata që nuk të njohin, kush është Petrika Gjata?


Unë e kam nisur historinë time nga Bilishti/ Korça, kam mbaruar shkollën e mesme te kolegji i Maltës në Korçë dhe studimet e larta i kam vazhduar në Amerikë. Në fillim kam pasur vështirësi për të gjetur universitetin e duhur që mund të më ofronte programin akademik që unë doja me një kosto që të ishte e përballueshme për mua dhe familjen time, gjë e cila është akoma dhe sot një sfidë e madhe për të gjithë studentët Shqiptarë ose të paktën për shumicën prej tyre.



Pra me pak fjalë e ke nisur nga zero?


E kam nisur nga zero, kam nisur mes shumë vështirësish dhe sfidash dhe më janë dashur shumë muaj kërkime për të gjetur universitetin e duhur për të vazhduar studimet. Fatmirësisht kam arritur që të gjej universitetin e duhur që ka qenë në Kaliforni! Aty kam mbaruar Bachelor për “Menaxhim biznesi”. Përveç eksperiencës time si student ndërkombëtar, procesin e aplikimit të cilin e kam bërë të gjithin vetë, gjatë viteve të universitetit kam punuar dhe një ndër punët që kam bërë ka qenë student asistent, tek universiteti ku studioja përkatësisht tek zyra ndërkombëtare. Pjesë e punës time ka qenë të ndihmoja studentët nga e gjithë bota që të vinin dhe të studionin në universitetin ku unë isha. Si pjesë e punës time ka qenë ndihmesa me aplikimin përgatitja e dokumenteve aplikimi për vizë, orientimi dhe ndihmesë për t’u përshtatur me kulturën amerikane. 



Si ka qenë fillimi në Amerikë?


Fillimi ka qenë i vështirë por njëkohësisht edhe i bukur. Është një vend i ri, është një vend me shumë sfida, duhet të punosh fort, duhet të studiosh mire, megjithatë është një vend që i ofron mundësitë çdo studenti pavarësisht kulturës nga e cila vjen për të arritur qëllimet dhe dëshirat që do. Duke pasur këtë lloj eksperience, me kthimin tim në Shqipëri, pata dëshirë për të ndihmuar studentët shqiptarë duke krijuar një agjenci që u vjen në ndihmë atyre duke dhënë konsulencë në rast se kanë synim të studiojnë në Amerikë. 



Sipas jush çdo procedurë lehtësohet duke u futur në veprim agjencia që keni krijuar! Atëherë, unë në dorë po mbaj një fletë ku përshkruhen hapat për të studiuar në Amerikë. Ajo përmban katër pika. Do të dëshiroja që ti analizonim pak a shumë të gjitha. Pika e parë është: Krijimi i profilit të studentit. Çfarë do të thotë të krijosh profilin e një studenti i cili është kërkues për të shkuar në Amerikë për të studiuar?


Po, ky është hapi i pare dhe ndoshta më i rëndësishmi. Në momentin që një studenti vjen në agjencinë tonë, ne duam të dimë se kush është ky student. Kush është ky student nga ana akademike, çfarë mesatare ka në shkollën e mesme ose në shkollën e lartë nëse do që të ndjekë studimet master ose të transferohet. Cilat janë rezultatet e tjera në anglisht? Cilat janë rezultatet në IELTS? Nëse student nuk i ka dhënë këto provime, shohim nivelin e anglishtes së studentit. Gjithashtu shohim për arritje të tjera akademike, olimpiada, certifikata të ndryshme të cilat mund ta plotësojnë profilin akademik të një studenti. Megjithatë ana akademike është pjesa më e rëndësishme, por nuk është pjesa e vetme. Gjithashtu në profilin e një student ne shohim për angazhime të tjera të studentit, pse jo dhe profesionale, si për shembull në sporte, teatër, muzikë, ose aktivitete të ndryshme jashtëshkollore apo në punë vullnetare. Pse janë të rëndësishme këto? Jo vetëm që universitet amerikane u japin një rëndësi të madhe këtyre për pranimin në universitete, forcojnë aplikimin e një studenti, por në të njëjtën kohë ofrojnë dhe mundësi të ndryshme për bursa për profile të ndryshme jo vetëm në aspektin akademik. 



Pika e dytë, është gjetja e universitetit. Besoj se gjetja do bëhet në bazë të kritereve, por sa e thjeshtë është të gjesh një universitet?


Realisht gjetja e një universiteti nuk është e thjeshtë. Janë rreth 4500 universitete dhe të zgjedhësh universitetin e duhur mes 4500 universiteteve është e vështirë. Megjithatë ne kemi bërë punën e vështirë, kemi filtruar universitet dhe kemi gjetur më specifikët për studentët shqiptarë dhe që japin më shumë bursa. Gjetja e një universiteti është specifik për secilin student dhe varet nga programi akademik që kërkohet, nga cilësia e universitetit, shihen edhe kostot, vendndodhja e universitetit dhe mundësitë për bursa. Për të qenë më i saktë po marr një shembull konkret, nëse kemi një student i cili ka njerëz të afërm në Çikago, do jetojë me ta dhe do mbulojë pjesën e shpenzimeve të përgjithshme dhe të shkollimit me rreth 5000 dollarë, atëherë ne duke pare profilin e studentit gjejmë universitetin ose kolegjin specifik në Çikago. Duke vepruar në këtë mënyrë, ne e çojmë X student te një universitet që është i përballueshëm dhe plotëson në të njëjtën kohë kriteret akademike profesionale etj.



Pasi bëhet profilizimi i studentit dhe gjetja e universitetit pika e tretë është aplikimi dhe dokumentacioni. Cilat janë fazat e aplikimit për të studiuar në Amerikë pra fazat dhe pastaj dokumentet të cilat duhet të mbledh një student? 


Pasi kemi krijuar profilin e studentit dhe kemi pare profilin e universitetit pra kemi një “match” midis të dyjave, fillon faza e tretë që është faza e aplikimit. Zakonisht universitetet amerikane mund të kenë kritere specifike, por në përgjithësi është krijuar një ide e qartë mbi kriteret e përgjithshme që çdo universitet amerikan i kërkon, por do ndalem tek kriteret e përgjithshme!

Hapi i pare është aplikimi online dhe eseja. Normalisht për studentët që vijnë nëpërmjet agjencisë sonë ne merremi me aplikimin dhe i përgatisim studentët për të krijuar esenë. Pasi kemi bërë aplikimin, më pas fillon faza e mbledhjes së dokumentacionit përkatës, që do të thotë më e rëndësishmja janë notat e shkollës së mesme ose të shkollës të lartë. I dërgojmë këto me postë universitetit dhe ata bëjnë njehsimin me notën amerikane, më pas dërgojmë rezultatet e TOEFL ose IELTS që është provimi i anglishtes që i dëshmon universitetit amerikan se X student është i aftë në anglisht dhe mund të studiojë në anglisht në universitet e tyre. Në rast se nuk arrihet nota e nevojshme për të kaluar në TOEFL ose IELTS më pas kemi mundësi të ndryshme me studentët për t’i ndihmuar ata për të arritur notën e nevojshme. Më pas duhen letrat e rekomandimit që duhen marrë nga një mësues, nga një profesor në shkollë ose në universitet. Mund të jetë dhe një letër rekomandimi nga një person në lidhje me një aktivitet sportiv, muzikor etj. Fotokopja e pasaportës është e nevojshme dhe gjithashtu duhet edhe garancia bankare, tek e cila dua të ndalem pak më konkretisht. Është krijuar një ide në Shqipëri që garancia bankare duhet të jetë ose nga vetë studenti ose nga prindërit. Normalisht ky është rasti optimal. Megjithatë garancia bankare mund të jetë edhe nga një person i tretë, pra mund të jetë një i afërm, për sa kohë që plotësojnë një formular të thjeshtë në të cilin deklarojnë se do mbulojnë pjesën e shpenzimeve të studentit për vitet e shkollimit. Garancia bankare duhet që të deklarohet vetëm për vitin e parë dhe jo për të gjitha vitet e shkollimit. Por nga ana tjetër, në momentin që studentët shkojnë në Amerikë dhe studiojnë, mund të kryejnë edhe punë për të fituar para. Studentët mund të punojnë ligjërisht pra jo në të zezë 20 orë në javë gjatë shkollës dhe 40 orë në javë gjatë pushimeve që janë tre muaj në verë dhe një muaj në dimër. Puna normalisht nuk është e garantuar, por çdo student ka të drejtë të kërkojë dhe të aplikojë.



Arrijmë tek pika e katërt, për të cilën folët pak më parë që është aplikimi për vizë. Sa shanse ka që pas plotësimit të tre pikave të para Ambasada Amerikane të japë miratimin për vizën? 



Aplikimi për vizë është faza e fundit. Në momentin që studenti është pranuar nga universiteti, universiteti dërgon atë që është dokumenti më i rëndësishëm i cili quhet “I20” që i deklaron shtetit amerikan që ky student është i pranuar në një universitet amerikan. Në këtë moment ne fillojmë me aplikimin për vizë. Është një aplikim shumë specifik dhe me këtë gjë merremi ne, pasi duhen plotësuar të gjitha fushat në mënyrë të rregullt. Pas plotësimit të aplikimit, lemë datën e intervistës në Ambasadën Amerikane dhe para se të bëhet intervista kemi dhe një takim këshillues me studentin në lidhje me pyetjet që mund t’i bëjnë dhe mënyrën si duhet të përgjigjet. Në momentin e fundit studenti shkon tek Ambasada Amerikane, jep intervistën dhe në fund të intervistës është oficeri i kësaj ambasade ai që e merr vendimin nëse studentit do t’i jepet viza për të studiuar në Amerikë apo jo. E rëndësishme është që ambasada të bindet në faktin që studenti është i rregullt në dokumentacion dhe ka vetëm qëllime studimi në Amerikë.




(Intervistoi Andrit Hyselli, Portali Shkollor) 

9,881 Lexime
4 vjet më parë