Si të shëndoshem? Dieta për të fituar peshë me ushqimet më të shëndetshme
Ashtu siç ka njerëz që ankohen për shëndoshjen, ka edhe nga ata të tjerë që e kanë ëndërr të shtojnë ndonjë kile më shumë. Artikulli i sotëm u dedikohet këtyre të fundit. Ja se çfarë duhet të keni parasysh...
Nëse është e vërtetë se humbja në peshë është një gjë shumë e vështirë, po aq e vërtetë është edhe fitimi i disa kileve të tepërta! Gjithsesi, mos t'ju shkojë në mendje se për t'u shëndoshur duhet të konsumoni ushqime me shumë yndyrë dhe aspak të shëndetshme, që përveç kalorive, në trup çojnë edhe toksina të dëmshme.
Një dietë e ekuilibruar, me pak kalori dhe disa ushtrime fizike për të forcuar muskujt, janë perfekte për të qenë në formë dhe për të pasur fizikun që gjithmonë keni dëshiruar.
Këshilla për të fituar peshë
Së pari, ashtu si edhe në rastin e atyre që duan të dobësohen, është shumë e rëndësishme që të bëni ushtrime aerobike, duke ndjekur këshillat e një trajneri personal. Fitnesi duhet t'ju ndihmojë që të forconi tonalitetin e muskujve dhe të rrisni masën e tyre dhe jo masën yndyrore!
Por, për një femër formimi i muskujve është më shumë impenjativ sesa për një mashkull; testosteroni, hormoni përgjegjës i rritjes muskulore prodhohet 30 herë më shumë te meshkujt sesa te femrat. Ndaj është e rëndësishme që të "armatoseni" me shumë durim dhe të programoni të paktën tri vajtje në palestër çdo javë: mos u stërvitni për më shumë se një orë, sepse tërheqjet fizike shpeshherë mund të jenë kundër produktive. Konsistenca është thelbësore: duhen disa muaj përpara se të vëreni ndryshimet e para të konsiderueshme.
Dieta për t'u shëndoshur
Për sa i takon ushqyerjes, përveç tri vakteve normale, të cilët nuk duhen tejkaluar asnjëherë (mëngjesi, dreka, darka) është mirë që të hani të paktën edhe dy vakte të vogla të ndërmjetme mes mëngjesit-drekës dhe mes drekës-darkës. Preferoni ushqimet që përmbajnë proteina: arrat, lajthitë, bajamet dhe stikat e pishës shumë të pasura me vitaminë E. Domethënë, ideale do të ishte të hanit një mëngjes të bollshëm dhe të konsumoni fruta të shtrydhura me mjaltë.
Të vazhdonit me një drekë me bazë karbohidrate, si për shembull të hanit një pjatë me makarona me salcë domatesh, e ndjekur nga pas me akullore ose çokollatë, ndërsa për darkë të konsumonit mish ose peshk me perime. Ushqimet tuaja gatuajini në furrë, të pjekura ose të ziera dhe jo të skuqura (fërguara në vaj).
Për shembull, patatet e skuqura nuk do t’ju shëndoshin në mënyrë të shëndetshme, por ju mund të shtoni në peshë edhe nëse i konsumoni të ziera. E rëndësishme është të konsumoni porcione më të mëdha. Mos kini frikë të konsumoni sallatë gjatë vakteve, të cilën mund ta pasuroni me proteina dhe kalori, duke i hedhur karota, misër, avokado, djathë e të tjera.
Shtoni konsumin e bukës bashkë me sasinë e ushqimit ose konsumoni makarona apo pilaf në vend të saj. Supave mund t’u shtoni lëng mishi, krem ose qumësht. Edhe konsumi i ujit është i rëndësishëm, por këtë mos e bëni bashkë me ushqimin, por gjysmë ore para ose pas tij. Pijet me acid mund të shtojnë sasinë e kalorive, por kini parasysh se ato nuk janë një zgjidhje e shëndetshme. Në vend të tyre mund të konsumoni qumësht, jogurt me fruta, lëng frutash, dhallë.
Ushtrime dhe fitnes për të shtuar në peshë
Edhe fitnesi mund të bëhet i dobishëm për t'u shëndoshur. Kujtoni gjithmonë se nuk mjafton vetëm një dietë e mirë për të vënë disa kile më tepër. Ju duhet të gjeni kohë edhe për të tonifikuar muskujt, për ta bërë trupin tuaj të duket në formën më të mirë e më të shëndetshme. Por, në këtë rast, nuk janë të këshillueshme ushtrimet aerobike që kanë tendencë t'ju dobësojnë. Ndaj, ne këshillojmë që të preferoni gjithmonë ushtrimet, të cilat forcojnë muskujt dhe definojnë mirë format. Duhet të keni si qëllim që të shëndoshni muskujt e vitheve, por edhe ato të barkut, të këmbëve e krahëve, për të pasur fizikun që keni ëndërruar gjithmonë.
Përgatiti: N.Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ushqimi me vete në shkollë/ Regjimi shkollor reflekton në ushqimin e fëmijëve tanë
Çfarë rreziku mbartin patatinat?
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm