Intervistë

Si të orientojmë fëmijët më shumë drejt leximit dhe më pak ndaj telefonit gjatë verës?

Stina e verës për shumë prindër është një sfidë e hapur sa i takon përpjekjes për t’i shtyrë fëmijët drejt librave dhe për t’i larguar ata nga pajisjet elektronike. Renata Pullazi tregon metodat praktike që ndjek me fëmijët e saj për t’i “ushqyer” me libra të mirë ditëve të verës.

Prindërit përpiqen të gjejnë metoda produktive në periudhën e verës për fëmijët e tyre, duke dashur të ulin përdorimin e telefonit, kompjuterit, ipadit, televizorit, etj. Stina e verës për shumë prindër është një sfidë e hapur sa i takon përpjekjes për t’i shtyrë fëmijët drejt librave, kur vetë prindërit janë të detyruar të jenë në punë pjesën më të madhe të ditës dhe kanë më pak mundësi për t’i monituar ata.  

Renata Pullazi tregon metodën praktike që ka ndjekur me fëmijët e saj për t’i “ushqyer” me libra të mirë ditëve të verës. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme. 



Si prind, dimë se ju e kaloni se pjesën më të madhe të ditës në punë, dhe fëmijët qëndrojnë në shtëpi. Çfarë metode keni gjetur për t’i përfshirë fëmijët në botën e leximit?


Të tregohem e sinqertë, gjatë pushimeve fëmijët nuk kanë dëshirë të lexojnë. Duan të bëjnë gjërat që ata kanë më me qejf, d.m.th. të luajnë me ipad apo playstation dhe të shkojnë në plazh. Para se të nisem për në punë i lë në tavolinën e studimit libra që janë interesantë, me aventura apo gazmorë që ata i tërheq së shumti. Kur kthehem nga puna i pyes mbi përmbajtjen e librit, për të parë sa kohë i kanë kushtuar leximit, gjithashtu dhe për të parë sa të aftë janë ata t’i bëjnë një përmbledhje librit që kanë lexuar. Kjo metodë kthehet në rutinë me kalimin e kohës. Djemtë e im e dinë që në mbrëmje unë do i pyes mbi librat dhe ata e duan kohën që kalojmë bashkë duke folur, pasi gjatë ditës i merr malli për prezencën time në shtëpi. Madje, do të shtoja që nga dëshira për të kaluar më shumë kohë, këmbëngulin të lexojmë së bashku. Unë nuk jam pro eliminimit të teknologjisë, por jam kundër përdorimit pa frerë të tij. Në mënyrë që libri të kthehet në rutinë të përditshme merr kohë e mbi të gjitha vullnet nga ana e prindit, veçanërisht kur janë të dy prindërit që punojnë së bashku për këtë qëllim. 



A keni vendosur të përfshini librat në valixhen e pushimeve verore për fëmijët tuaj?


Në valixhen e fëmijëve do të jenë rrobat e plazhit, pajisjet e notit dhe libra këtë verë, nuk do të ketë asnjë pajisje teknologjike. Nëse do duan të luajnë, më mirë pranë detit apo në një kënd lojërash dhe poshtë çadrës do të lexojnë librat që vetë ata përzgjedhin. Kjo metodë më ka funksionuar ndër vite. Ka të bëjë shumë mënyra se si ne i prezantojmë librat te fëmijët. Libri sipas mendimit tim nuk duhet imponuar dhe as të jepet si formë dënimi, sepse dhe fëmija irritohet dhe refuzon të lexojë. Libri kur prezantohet si mik, futet thellë në zemrat e fëmijëve.



Cilët janë librat për fëmijë që do të rekomandonit bazuar në preferencat tuaja?


Librat që do të sugjeroja janë disa titujt nga klasikët si p.sh.: Aventurat e Tom Sojerit, Aventurat e Din Pakut, Poliana, Kopshti Sekret, seria e Konit dhe Maksit për të gjitha grupmoshat. Pa dyshim do të shtoja përrallat në darkë si: Përrallat e Andersenit, Përrallat e vëllezërve Grim, Përralla fantastike etj.




Intervistoi Xhoana Jaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,170 Lexime
1 vit më parë