Si të ndihmojmë nxënësit të shprehin emocionet nëpërmjet ngjyrave
Mësuesi është faktori kryesor në klasë për ta bërë orën e mësimit gri ose për ta mbushur me ngjyra. Ashtu siç thotë edhe Pikaso i madh: “Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e përditshmërisë nga jeta jonë.”
Në botën ku jetojmë ne rrethohemi nga një pafundësi ngjyrash. Ato janë kudo. Sa hapim sytë në mëngjes ngjyrat performojnë me bukurinë e tyre. Pse në një dhomë të errët e të mbyllur nuk mund të rrimë gjatë dhe mezi presim të dalim jashtë në natyrë? Imagjinoni sikur kur jemi duke udhëtuar brenda në një tunel. Shikimi ynë fokusohet drejt, pa lëvizur as qerpikun, derisa të shohim dritën e vogël në fund të tunelit. Kur ajo dritë depërton në tunel ne marrim frymë lirisht. Drita vjen nga jashtë e fortë dhe plot ngjyra. Po nga vijnë këto ngjyra?
Njutoni ishte i pari që zhvilloi teorinë e ngjyrave, më 1704, pasi bëri eksperimentin e tij. Ai zbuloi se drita e bardhë kur kalonte nëpër prizëm, zbërthehej në ngjyrat e spektrit të dukshëm.
Teoria e ngjyrave
Teoria e ngjyrave është teoria më komplekse dhe më e bukur në artin pamor. Këtë teori e pasuroi më tej Johanes Iten, artist dhe teoricien, i cili mori shkas nga eksperimenti i Njutonit, duke bërë një studim për ngjyrat dhe klasifikimin e tyre. Kur flasim për rrethin e ngjyrave në art, i referohemi Itenit. Nëse filloj dhe flas për ngjyrat nuk kam të ndalur. Nxënësit jo vetëm kanë mundësi të kuptojnë rëndësinë e ngjyrave në jetën tonë, në art, por dinë edhe si krijohen ato, cilat janë ngjyrat parësore, dytësore, të treta dhe kombinimet e tyre në raport me rrethin e ngjyrave. Është një teori që më përfshin mua dhe nxënësit sa nuk e kuptojmë sa shpejt kalon koha.
Ngjyra si ndjesi
Në pikturë, ngjyra është elementi më i rëndësishëm i gjuhës artistike. Ngjyra është ndjesi që lidhet në mënyrë të pandashme me emocionet e njeriut. Kjo ndjesi ndryshon nga një individ tek tjetri. Perceptimi që kemi në për botën që na rrethon është i ndryshëm, si rrjedhojë edhe qasja ndaj ngjyrave nuk ka të njëjtën domethënie për secilin nga ne.
Këtë e kam kuptuar edhe nga përvoja ime si mësuese. Nxënësit kanë perceptim të ndryshëm për secilën ngjyrë. Nëse i pyes se cila është ngjyra e preferuar, secili jep një ngjyrë ndryshe nga tjetri. Vazhdoj më tej me pyetje rreth emocioneve dhe nxënësit identifikojnë një gjendje të caktuar emocionale me një ngjyrë. Si p.sh: gëzimin, mërzitjen, lumturinë, etj. Të gjithë kanë preferenca të ndryshme.
Kur vjen momenti që të krijojnë sipas ngjyrave, atëherë u jap një shtysë: Krijo me ngjyra si ndjehesh ti sot? Sidomos kur ora e artit bie pas ndonjë testi dhe nxënësit janë të tensionuar. Nga krijimet e tyre, nga ngjyrat që kanë përdorur kuptoj se si ndihen ata.
Si të kuptojmë domethënien e ngjyrave në krijimet e nxënësve?
Ky kolazh është bërë nga një nxënës gjatë kohës së karantinës dhe mësimi bëhej online. Në këtë kolazh duket qartë malli që ka nxënësi për shkollën dhe natyrën. Ngjyrat që ka përdorur për sfondin, shtëpinë, pemën dhe barin janë të errëta, gjë që tregon monotoninë e vazhdueshme në të cilën ndodhej. Edhe pse dielli ndriçon lart në qiell, përsëri ka zgjedhur një ngjyrë blu të errët për sfondin. Nëse vini re me kujdes ngjyrën e verdhë, ai e ka përdorur te dera, te fasada e shkollës dhe te dielli. Lirinë jashtë mureve të shtëpisë nxënësi e ka shprehur me ngjyrën e verdhë dhe portokalli. Dhe retë lart në qiell kanë dritë. Pak dritë kanë edhe lulet lart në pemë dhe disa lule në bar. Nga ky krijim kuptova që nxënësin e kishte marrë malli për rutinën e tij të përditshme jashtë mureve të shtëpisë, ku u izolua për tre muajt e karantinës. Vërehet malli që ka për shkollën. Kjo kuptohet nga kontrasti i ngjyrave që ka përdorur. Për nxënësin shkolla nuk ishte vetëm një ndërtesë ku ai kalonte kohën, sepse ngjyra e verdhë e identifikuar me ngjyrën e diellit, tregon shumë, shkolla për të ishte vendi ku merrte kuptim dita e tij.
Ngjyrat e ftohta vs ngjyrat e ngrohta
Në një temë mësimore për ngjyrat e ftohta dhe të ngrohta, të cilat japin ndjesi të ndryshme, i udhëzova nxënësit ta ndanin fletën në dy pjesë. Alen bëri këtë krijim sipas temës. Në pjesën e ngjyrosur me ngjyrat e ftohta Alen ka paraqitur detin ku pasqyrohet drita e hënës dhe një ishull larg me dy palma. Retë vallzojnë rreth hënës duke e rrehtuar atë. Për Alen ngjyrat e ftohta, sado bukur të duken në krijimin e tij, atij i japin ndjesinë e natës ku zogu rri i mbyllur në kafaz, pra që i mungon liria. Nata nuk e lejon zogun të dalë jashtë dhe të fluturojë nën dritën e hënës. Nëse e vëreni me kujdes kafazin, ai është i mbyllur vetëm nga ana e jashtme, ndërsa brenda ai është i hapur. Zogu nuk mund të fluturojë jashtë. Hapësira ku zogu lëviz është brenda katër mureve të shtëpisë.
Ndërsa te gjysma me ngjyrat e ngrohta, ka krijuar një perëndim në det, ku zogjtë fluturojnë të lirë me krahët hapur. Ndërsa varka në fund, te vija e horizontit, tregon lirinë e njeriut për të lëvizur larg bregut, ndoshta për t’ju larguar natës. Duket sikur Alen po vëzhgon nga dritarja pamjen përballë të ndarë në dy pjesë. Ndoshta në dimër i duket vetja si zogu në kafaz dhe me padurim pret verën, plazhin. Kontrastin midis ngjyrave të ftohta dhe të ngrohta, Alen e ka shprehur sipas gjendjes së tij emocionale.
Sa i rëndësishëm është arti pamor për fëmijët?
Bora në këtë krijim me ngjyrat e ngrohta e të ftohta na jep një përshkrim të emocioneve të saj me këto grupe ngjyrash. Sipas Borës, ora e artit për të është si një dritë në errësirë. Bora qëndron e zhytur në det dhe mban një elektrik dore. Pjesa djathtas krijimit përshkohet nga ngjyrat e ftohta. Aty në errësirë ajo zbulon një botë me ngjyra të ngrohta, nga fasha e dritës që lëshon elektriku i dorës. Poshtë ka shkruar me të bardhë “ART DRAWING”, që duken si flluskat e oksigjenit në ujë. Nëpërmjet këtij krijimi kuptoj, se sa rëndësi ka lënda e artit pamor për nxënësit, sepse ata shprehin nëpërmjet ngjyrave, vijave, formave emocionet që nuk i shprehin dot me fjalë. Imagjinata e tyre artistike nuk duhet frenuar. Më vjen në mend shprehja e Vasili Kandijskit: “Nuk ka DUHET në art, sepse arti është i lirë”.
Qëllimi i artit në klasë
Ashtu si dielli i jep ngjyra luleve, ashtu edhe arti ngjyros jetën e nxënësve. Tregojuni atyre se si ta shohin botën me ngjyra nëpërmjet artit, duke shprehur emocionet nëpërmjet krijimeve artistike. Mësuesi është faktori kryesor në klasë për ta bërë orën e mësimit gri ose për ta mbushur me ngjyra. Ashtu sic thotë edhe Pikaso i madh: “Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e përditshmërisë nga jeta jonë.”
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?