3-4-VJEÇARËT

Si të mësojmë fëmijën të mbajë lapsin

Fëmijët duhen mësuar që në moshën tre ose katër vjeç që të mbajnë mirë lapsin në dorë. Kjo është thelbësore për zhvillimin motorik të të vegjëlve, që ndikon më pas drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e tyre në të nxënë.

Kur një fëmijë mëson të bëjë shkarravinat e para, ai e mban instinktivisht shkumësin a lapsin me dorën e bërë grusht (të majtë ose të djathtë) e jo me majat e gishtave. Por në moshën 3-4-vjeçare, duke qenë se një pjesë e madhe e punës me fletët ka të bëjë me vijëzime ose ngjyrosje, fillimisht ju duhet t’u mësoni atyre se si të mbajnë sendin me të cilin shkruajnë. Mbatja siç duhet e lapsit mund të paraqesë vështirësi për disa nga fëmijët në këtë stad të zhvillimit të tyre, por kjo është thelbësore dhe e paçmueshme për zhvillimin e vogël motorik, që ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e tyre në të nxënë. Nëse fëmija mëson ta mbajë lapsin në mënyrë të gabuar, kjo bën që më vonë të ketë probleme me shkrimin e dorës, me plotësimin e saktë e në kohë të detyrave dhe, rrjedhimisht, në gjendjen jo të mirë psikologjike që shpesh mund të jetë tepër e vështirë për t’u korrigjuar më vonë. Pikërisht për këto arsye është tepër e rëndësishme të përdorni mjetet, metodat e strategjitë e duhura, për të siguruar që të gjithë fëmijët të arrijnë ta mbajnë siç duhet lapsin.  


1. Pajiseni fëmijën me lapsin e duhur. Përdorni  lapsa të shkurtër (ose ndajini përgjysmë lapsat e gjatë), sepse kështu fëmija e kontrollon më lehtë.  Ndërsa lapsat me ngjyra zgjidhini që të kenë majë të trashë dhe të jenë në formë trekëndore, pasi kjo ndihmon që fëmija ta mbajë atë me tre gishta, duke lënë dy gishtat e tjerë të mbështeten në fletë. 

2. Përdorni sende ndihmëse. Ju mund ta ndihmoni fëmijën që ta mbajë saktë lapsin duke përdorur një gominë të posaçme (gjendet në kancelari), që i mundëson atij ta mbajë lapsin me tre gishtat e parë, ose të përdorë një send tjetër për të mbajtur të zënë dy gishtat e tjerë, të cilët duhet të mbështeten në fletë. Kjo teknikë bën që fëmija të mos e mbajë lapsin me të gjithë dorën / grushtin. 

3. Përdorimi i gominës. Gomina qëndron rreth zonës ku mbahet lapsi dhe ka formë trekëndore, që të mundësojë kapjen me tre gishta. Falë materialit të butë, qëndron e puthitur pas lapsit dhe ndihmon që fëmijës të mos i rrëshqasin gishtat. Llojet e tyre janë të ndryshme dhe jo të kushtueshme, ndaj ju mund të provoni disa prej tyre, derisa të gjeni atë që është më e përshtatshme e me të cilën fëmija ndihet më mirë. 

4. Sajoni një mjet ndihmës për mbajtjen e lapsit. Për çdo rast, nëse e keni të pamundur të siguroni gominat e lapsave, ju mund ta sajoni atë me mjete rrethanore, p.sh. ta lidhni lapsin në dorën e fëmijës me një llastik lekësh, ose ta kapni lapsin me kapëse rrobash. Udhëzojeni fëmijën që ta mbajë kapësen e rrobave brenda pëllëmbës, duke mbajtur lapsin me gishtin e madh dhe atë tregues. 

5. Përdoreni vazhdimisht gominën ndihmëse. Nga praktikimi i vazhdueshëm, me kalimin e kohës, fëmija fillon ta mbajë siç duhet lapsin, falë kujtesës muskulore. Ju mund t’ia hiqni atë fëmijës, sapo të shihni që fëmija ka mësuar ta mbajë normalisht lapsin.  5. Përdoreni vazhdimisht gominën ndihmëse. Nga praktikimi i vazhdueshëm, me kalimin e kohës, fëmija fillon ta mbajë siç duhet lapsin, falë kujtesës muskulore. Ju mund t’ia hiqni atë fëmijës, sapo të shihni që fëmija ka mësuar ta mbajë normalisht lapsin.  

6. Rikujtojani vazhdimisht si mbahet lapsi. Para se të filloni punën, rikujtojani teorikisht, pastaj praktikisht mbajtjen e lapsit. Po ashtu, kryeni vazhdimisht veprimtari për zhvillimin e vogël motorik, duke u dhënë fëmijëve të kapin me dy gishta sende të imta, si fara, rruaza, makarona, kopsa etj. ose  duke i ftuar për të qëruar bizele, shegë, kikirikë etj. 6. Rikujtojani vazhdimisht si mbahet lapsi. Para se të filloni punën, rikujtojani teorikisht, pastaj praktikisht mbajtjen e lapsit. Po ashtu, kryeni vazhdimisht veprimtari për zhvillimin e vogël motorik, duke u dhënë fëmijëve të kapin me dy gishta sende të imta, si fara, rruaza, makarona, kopsa etj. ose  duke i ftuar për të qëruar bizele, shegë, kikirikë etj. 

(Rudina Çupi, Udhëzues Metodik për dosjen Hop-Hop, faqet argëtuese për fëmijët 3-4 vjeç, Shtëpia botuese “Albas”) 

6,252 Lexime
5 vjet më parë