Krizat në shkollë

Si të menaxhoni një krizë epilepsie kloniko-tonike në klasë? Orientime për mësuesit

Një artikull mbi menaxhimin e krizave kloniko-tonike epileptike në shkollë. Nga Mariglena Muçi.

Epilepsia është një çrregullim neurologjik, ku aktiviteti i qelizave nervore në tru përhapet, duke shkaktuar konvulsione, ndjesi ose humbje të vetëdijes. Konvulsionet janë shpërthime jonormale të aktivitetit elektrik në tru, që rezulton me një ndryshim në sjellje ose funksion. Ajo mund të fillojë në çdo moshë, por kryesisht fillon në moshë të hershme. 


Fëmijët me epilepsi kanë të njëjtën gamë aftësish, si ata që nuk kanë epilepsi. Për këtë arsye, ata mund të ndjekin rregullisht shkollën, madje kur menaxhohen në mënyrë efektive dhe me mbështetje të plotë, mund të arrijnë dhe rezultate të larta. Pra, rolin kryesor në këtë rast e luajnë mësuesit dhe stafi i shkollës në bashkëpunim me prindërit, të cilët duhet të jenë të informuar për specifikat e epilepsisë së fëmijës dhe të trajnuar në menaxhimin e saj. Po kështu, fëmijët me epilepsi mund të kalojnë kriza të ndryshme kloniko-tonike. Ata mund të kenë reagime të ndryshme ndaj nxitësve të cilët provokojnë kriza kloniko-tonike. Nxitësit e zakonshëm janë: mungesa e ushqimit, gjumit, alkooli, stresi, ankthi, mërzitja, mos-adaptimi me medikamentet, fleshimi/dridhja e dritës etj. Këto duhet të kihen parasysh për të shmangur provokimin e tyre. Gjithashtu, ka dhe raste që mund të kenë nxitës të paidentifikueshëm. Në këtë rast menaxhimi i tyre është përgjegjësi e përbashkët e shkollës, prindërve ose kujdestarit ligjor dhe infermierit (ofruesit të kujdesit shëndetësor në shkollë). 


Pavarësisht sesa të pavarur janë fëmijët, ata kanë nevojë për mbështetjen e më të rriturve, sepse konvulsionet mund të ndodhin shpejt dhe në mënyrë të paparashikuar. Në këtë mënyrë, roli i shkollës mbetet mjaft i rëndësishëm në menaxhimin e tyre. 



Për këtë arsye, më poshtë po listoj disa mënyra se si të menaxhoni një krizë kloniko-tonike:


1. Ruani qetësinë dhe siguroni njerëzit  e tjerë, që mund të jenë afër;


2. Sigurohuni se personi nuk është në rrezik. Lëvizeni, vetëm nëse ka pranë objekte të nxehta ose të mprehta, me të cilat mund të dëmtojë veten ose nëse ndodhet në pozicion të rrezikshëm;


3. Shtrijeni në dysheme dhe vendosni diçka të butë dhe të sheshtë, p.sh një xhaketë të palosur në kokën e tij;


4. Hiqni syzet (nëse ka) ose lidhëze në bluza ose kapele, që të mos vështirësojnë frymëmarrjen;


5. Lejojeni krizën të ndjekë kursin e saj dhe mos kufizoni lëvizjet konvulsive;


6. Mos e mbani fëmijën poshtë dhe mos u përpiqni të ndaloni lëvizjet;


7. Mos u bazoni në historitë popullore se personi gjatë konvulsionit mund të gëlltisë gjuhën e tij. Pra, mos vendosni asgjë në gojën e tij, përpjekjet për të mbajtur gjuhën  e tij mund të dëmtojnë dhëmbët ose nofullën;


8. Nëse kriza vazhdon për më shumë se 5 minuta pa shenja ngadalësimi ose nëse një person ka problem me frymëmarrjen, dhimbje, atëherë telefononi urgjencën;


9. Pasi kanë përfunduar lëvizjet kthejeni personin në njërën anë, në mënyrë që të ndihmojë në mbajtjen e rrugëve të frymëmarrjes të pastra;


10. Mos provoni frymëmarrjen artificiale, përveçse në rastet  kur ai nuk merr frymë edhe pse kriza ka përfunduar;


11. Qëndroni me personin derisa kriza të përfundojë natyrshëm dhe ai të jetë plotësisht i zgjuar;


12. Qëndrojini pranë dhe qetësojeni, sepse gjatë krizës mund të ketë dhe papastërtira. Personi mund të ndjenjë edhe turp, prandaj qëndrojini afër dhe mos lejoni të ndihet në siklet;


13. Nëse është i shqetësuar qëndroni larg, por mjaftueshëm afër sa për ta mbrojtur nëse nuk i është kthyer vetëdija e plotë;


14. Kujtoni në detaje ngjarjet para, gjatë dhe pas krizës, sepse mund të jenë të vlefshme për mjekun ose prindin;


15. Qëndroni të qetë dhe flisni me qetësi;


16. Pas krizës mos i ofroni ujë ose ushqim derisa të jetë plotësisht vigjilent;


17. Njoftoni familjen dhe vijeni në dijeni për krizën;


18. Lëreni fëmijën të flejë, nëse dhe ai/ajo dëshiron, duke e vendosur në klasën burimore ose duke e transportuar drejt shtëpisë për t'u qetësuar. Më pas rifilloni aktivitetin normalisht, qoftë në shkollë ose në shtëpi.


Kur nxënësit ndjekin një shkollë të zakonshme, duhet të informohen edhe nxënësit e tjerë të klasës për gjendjen e shokut/shoqes së tyre. Mënyra sesi u shpjegohet epilepsia ose krizat kloniko-tonike varet nga mosha dhe niveli i tyre i të kuptuarit. Për këtë mund të japë ndihmesë psikologjia, mësuesja e arsimit special dhe infermieri i shkollës. Gjithashtu është e nevojshme mbajtja e një plan veprimi, në të cilin shënohet gjendja, shpeshtia e krizave, zgjatja, medikamentet që merr nxënësi me epilepsi, strategjitë ndihmëse. Ai hartohet me ndihmën e infermierit, të mësuesit të arsimit special, psikologut dhe prindërve. Prindërit mund të japin një informacion më të zgjeruar, bazuar mbi eksperiencën me fëmijën e tyre dhe kalimin e krizave kloniko-tonike. Plani mund të ndryshohet, sipas ecurisë së fëmijës. 


Këto janë disa mënyra të cilat iu ndihmojnë të menaxhoni krizën kloniko-tonike, por sigurisht jeni plotësisht të lirë t’i ndryshoni apo përshtatni sipas specifikës, që paraqet rasti i nxënësit tuaj. Gjithmonë duhet të mbani parasysh që informacionet më të rëndësishme i merrni nga prindi dhe bashkëpunimi me infermierin ose ofruesin e kujdesit shëndetësor në shkollë. Nëse bashkëpunimi është i fortë, sigurisht që edhe situatat do të jenë lehtësisht të menaxhueshme.



Nga Mariglena Muçi

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,347 Lexime
1 vit më parë