MËSIMDHËNIA

Si të jesh mësues i mirë?

Nuk është ende vonë të fillojmë të zhvillojmë disa prej këtyre këshillave sepse mësues i mirë lind, por edhe bëhesh. Unë doja ta mbaja shkurt këtë postim të sotëm dhe mezi pres ndonjë mësues/e a student të shtoj të tjera tiparë nga përvoja personale.

E pyes veten shpesh nëse vetë jam mësuese e mirë. Edhe studentët i pyes se cilat cilësi e bëjnë një mësues të tillë. Nga ajo që kam mësuar prej tyre dhe nga ajo që jam e do doja të isha, një mësues i mirë:


Influencon dhe frymëzon studentët

Mësimdhënia nuk prek vetëm pjesën pedagogjike. Mësuesit e mirë mbahen mend se kanë prekur jetën e personalitetin tënd. Janë ata që kanë besuar te ty dhe aftësitë e tua, duke ndikuar kështu në rritjen personale. Mësuesit e mirë influencojnë me dijen e tyre, por mbi të gjitha me personalitetin që kanë. Mua tani më kujtohet Diana, Diana Sarlitto, vullnetare e Peace Corps-it në Vlorë. Diana e bënte çdo njeri, student a mësues koleg, të ndihej i rëndësishëm. Nuk është e lehtë të jesh e tillë, ndaj nuk janë të shumtë mësuesit influencues.


Shpjegon mirë

Që një mësues i mirë duhet ta zotërojë lëndën shumë mirë a shkëlqyer, kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar, por që ta përcjellësh atë lehtësisht te studentët kjo është mjeshtëri, sipas meje, e lindur. Mësuesit e mirë janë ata që janë të qartë dhe e bëjnë lëndën sa më të prekshme në realitet dhe veçanërisht ata që nuk dalin dot nga klasa nëse një student nuk i ka kuptuar.


Përditëson dijet e tij

Ndonjëherë mësuesit harrojnë të jenë nxënës. Mësuesit që e ndezin pasionin e tyre për mësimdhënien duke lexuar gjithmonë rreth mësimdhënies dhe teknikave e risive të saj janë ata që japin më të mirën në klasë, duke qenë se e kanë entuziazmin gjithmonë lart. Këta lloj mësuesish marrin pjesë në konferenca jo për t’u certifikuar, por për të freskuar dijet dhe dashurinë për punën e tyre. Sepse për frymëzimin nuk do pritur; atij duhet t’i shkosh pas.


Është pozitiv dhe tolerant

Toleranca është një vlerë që mësuesi duhet ta kultivojë te çdo fëmijë. Mësuesi mund ta modelojë tolerancën duke qenë edhe vetë i tillë. Të jesh tolerant nuk do të thotë të mos jesh kërkues. Do të thotë se nëse ju keni patur një herë një ditë të keqe dhe nuk keni ardhur i përgatitur në klasë, duke mos e lënë këtë të kuptohet te studentët, edhe studentët mund ta kenë një të tillë, edhe dy madje. Mësues i mirë është ai që është empatik dhe nuk sheh vetëm ditët e këqija te studentët e tij.


Nuk bërtet 

Unë nuk e kam sfiduar veten ende duke dhënë mësim në shkollat publike dhe mendoj se durimi kalitet më së miri atje. Atje edhe ndoshta humbet për fare. Gjithsesi, nga përvoja e shkurtër që kam pasur gjatë praktikës mendoj se respekti i studentëve edhe mund të fitohet pa pasur nevojë për të bërtitur. Në fakt, pavarësisht se sa më pëlqen të bërtas në shtëpi, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë mësuesit që bërtasin dhe përpiqem, duke ia dalë mbanë relativisht mirë, të mos iu bërtas studentëve.


Është kreativ

Pikaso thotë se çdo fëmijë është kreativ por problemi është të mbeten të tillë kur rriten. Fëmijët mund t’i ruajmë kreativë edhe duke qenë mësues kreativë. Për të qenë kreativë, edhe nëse nuk jemi natyrshëm, mund të punojmë për të përmirësuar veten. Të lexuarit nga pak përditë a përjavë për profesionin tonë na bën të jemi më të hapur drejt ideve të reja dhe risive të mësimdhënies të cilat mund t’i përshtasim në kontekstin tonë duke iu dhuruar kështu studentëve shije të ndryshme të nxëni.

Mësuesit e mirë kanë kushedi se sa cilësi të tjera. Nuk është ende vonë të fillojmë të zhvillojmë disa prej tyre që sot; sepse mësues i mirë lind, por edhe bëhesh. Unë doja ta mbaja shkurt këtë postim të sotëm dhe mezi pres ndonjë mësues/e a student të shtoj të tjera tiparë nga përvoja personale.




Nga Eriselda Balliu

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 


6,275 Lexime
4 vjet më parë