Si të jeni të lumtur në shkollë?
Ekzistojnë disa mënyra të cilat do t’ju bëjnë të zgjoheni pa përtesë në mëngjes për të shkuar në shkollë, apo pas pushimeve të fundjavës. Mjafton të vini në praktikë këto këshilla të ndjekura nga shumë nxënës edhe në vende të tjera të botës.
Kush nga ju nuk ka thënë të paktën një herë të vetme “E urrej shkollën!”, teksa ka rënë zilja e zgjimit?! Pjesa më e madhe e nxënësve e përjeton faktin e të qenit në shkollë si një makth dhe trauma e të kthyerit në shkollë pas pushimeve të fundjavës është thuajse prezente tek të gjithë. Por gjithsesi, ekzistojnë disa mënyra se si ju vete mund të kontribuoni për të qenë të lumtur në shkollë. Sigurisht për të përballuar shkollën duhet tepër energji, por ama mos harroni se vitet e kaluara në të pas pak kohësh do të kthehen në kujtimet më të bukura!
1- Bëni një listë
Para se të shkoni në shkollë shënoni në ditarin ose bllokun tuaj personal të gjitha gjërat që do të donit të bënit për çdo ditë. Sa herë që përmbushni njërën prej tyre vërini një “X”. Kjo kënaqësi që do të merrni do t’ju japë një forcë të madhe dhe besim në vetvete.
2- Programoni ditën
Çdo natë përpara se të shkoni të flini shkruani në një letër programin ditor. Shkruani orët e mësimit të detajuara por edhe planet që nuk kanë të bëjnë me shkollën. Për shembull mund të bëni një agjendë të aktiviteteve më të parapëlqyera, ku mund të shënoni orët e kurseve të ndryshme, që nga sporti e deri te shikimi i filmave teksa konsumoni diçka. Në këtë mënyrë do të keni përpara syve një program të detajuar i cili do t’ju ndihmojë të organizoni më mirë ditën tuaj teksa do të keni të llogaritur veçmas kohën e studimeve dhe kohën e argëtimit. Me siguri që do të ndiheni të relaksuar nëse do të filloni të vini në zbatim diçka të tillë.
3- Bëhuni pjesëmarrës
Në klasë mundohuni që të bëheni sa më shumë pjesmarrës me mësuesin ose mësuesen, duke propozuar ide dhe iniciativa të reja gjatë orëve të mësimit. Kjo mënyrë do t’ju bëjë të lumtur sepse do të fitoni besimin e mësuesve por edhe të shokëve e shoqeve.
4- Flisni me shokët/shoqet
Krijimi i miqësisë me shokët ose shoqet e shkollës është një nga mënyrat më efikase për të qenë të lumtur në shkollë. Flisni me ta për mësimet por edhe për hobet dhe pasionet që keni. Por kujdes! Nuk është e thënë të bëni miqësi me të gjithë. Mjafton vetëm me ata me të cilët ndiheni mirë.
5- Drekoni me miqtë
Cili rast është më i mirë për të bërë miqësi të reja se sa ai i të drekuarit me shokët dhe shoqet e klasës ose të shkollës?! Mund të konsumoni ushqime të mira dhe të ndani biseda të këndshme. Në këto ditë të bukura pranverore mund të organizoni edhe piknik në natyrë pas shkolle. Pasi ta keni bërë këtë do të ndiheni vertetë të lumtur.
6- Mos humbni kohë kot!
Keni detyra për të bërë? Atëherë mos e shtyni kohën për t’u marrë me to, por bëjini sa më shpejt të mundni! Vetëm kështu ju do të çliroheni nga mendja dhe do të keni më shumë kohë të lirë për t’u marrë me veten! Mos e çoni dëm kohën duke i shtyrë gjërat që keni për t’i bërë, por mësohuni ta përdorni mirë atë nëse dëshironi të jeni të lumtur.
7- Tregohuni indiferentë!
Shpesh herë në shkollë ndodh që ndonjë t’ju mërzisë pa arsye. Këshilla më e mirë është që ta shmangni këtë ndjesi dhe atij personi të mos i kushtoni më vëmendje. Evitoni takimin dhe trajtojeni me indiferencë nëse nuk është tip i njëjtë me ju.
8- Tregojini ëndrrat tuaja
Nëse keni një ëndërr mos kini frikë ta ndani atë me të tjerët e sidomos me ata shokë dhe ato shoqe që keni më shumë besim. Bëhuni edhe ju dëgjues të mirë të tyre dhe diskutoni së bashku për gjithçka do t’ju pëlqente të bënit përgjatë jetës tuaj. Të fitoni besimin dhe vëmendjen e shokëve e të shoqeve të klasës është vertetë diçka e bukur që do t’ju lejojë të kaloni momenete të paharrueshme gjatë jetës shkollore.
(Përshtati: Nanila Biçaku, Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Mbi rritjen e dhunës në shkolla...