“Merru ti me të se shiko çfarë ka bërë”

Si të jeni prindër të mirë kur nuk merreni vesh në çift?

Prindërit janë shembulli i parë i fëmijëve. Por është e vështirë të jesh prind i mirë kur komunikimi mes teje dhe partnerit/partneres nuk është më. Si të ndani marrëdhënien tuaj në çift me marrëdhënien me fëmijën?

Thuhet se çfarë ka shtëpia ta tregon fëmija! Duket se kjo shprehje do t’i rezistoj të gjithë kohërave. Fëmijët imitojnë atë çfarë shohin e dëgjojnë. Nëse në shtëpi është i pranishëm në zënkat mes prindërve ai do të jetë i dhunshëm në kopsht apo shkollë. Prindërit pavarësisht gjithçkaje përpiqen të mbrojnë lumturinë e fëmijëve. Më poshtë keni disa këshilla që ju tregojnë se si mund të jenë të suksesshëm:


1. Kuptoni partnerin dhe bëni kompromis

Kur njëri nga prindërit ngul këmbë që mënyra e tij është ajo “e duhura” me fëmijët, çifti përçahet. Në fakt prindërit tentojnë të kompensojnë për veprimet e partnerit që ata i mendojnë si të papërshtatshme. Prindi më strikt bëhet edhe më shumë strikt kur shikon që partneri është tolerant dhe nga ana tjetër, prindi tolerant bëhet edhe më shumë tolerant kur shikon që ana tjetër është shumë strikte.


Nëse gjendeni në të tilla situata duhet të komunikoni me partnerin rreth pikave për të cilat nuk bini dakord në prindërimin tuaj. Nuk është e thënë të keni të njëjtin mendim, por duhet të dëgjoni argumentet dhe ndjesitë e njëri-tjetrit për të qenë më të fokusuar në mbajtjen e një klime të qëndrueshme dhe pozitive në çift dhe rrjedhimisht në prindërim. Fokusi duhet të jetë ajo çka ka nevojë fëmija, jo lufta juaj në çift për t’i treguar partnerit kush nga ju të dy ka të drejtë dhe fiton.


2. Merrni kohën tuaj para se të reagoni

Kur fëmija juaj përfshihet në një situatë ku ju kërkohet të reagoni (dhe nuk është ndonjë situatë  urgjente ku kërcënohet siguria për jetën) merrni kohën tuaj. Marrja e situatës me qetësi ndihmon prindërit të shmangin reagime të panevojshme impulsive për të cilat pendohen më vonë. Mos reagoni menjëherë duke e pasuar problemin e fëmijës me tone negative te partneri duke thënë “Merru ti me të se shiko çfarë ka bërë”. Në vend të kësaj, korrigjoni gabimet si familje duke thënë “Unë dhe babi do marrim kohën të mendojmë si t’ia bëjmë që të të ndihmojmë ty të sillesh më mirë”.


3. Nxirrni në pah pikat e forta të njëri-tjetrit 

Bashkëpunoni për të evidentuar pikat e forta të njëri-tjetrit kur bëhet fjalë për prindërimin. Prindi që është më pak ankthioz mund të marrë përsipër menaxhimin e fëmijës në vende publike duke e ndihmuar atë të ndërmarrë rreziqe të përshtatshme për moshën. Prindi me durimin më të madh mund të marrë përsipër menaxhimin e fëmijës kur ka shpërthime të qarash. Nuk është asnjëherë njëri prind më “i mirë” se tjetri. Secili ka cilësitë e veta dhe nëse të dy janë të vetëdijshëm për këto cilësi, prindërimi bëhet më cilësor.


(Portali Shkollor)

2,166 Lexime
6 vjet më parë