Si të analizojnë nxënësit një vepër arti?
Si mund ta analizojnë nxënësit një vepër arti? Cila janë pyetjet e duhura për analizën e veprës? Këshillat e mëposhtme nga mësuesja Iriana Papamihali ju vijnë në ndihmë.
Më ka ndodhur që nxënësit më kanë kërkuar ndihmë, sepse lëndën e gjuhës duhej të analizonin një pikturë. Kjo më ka bërë të thellohem në dhënien e kësaj detyre dhe ta quaj domosdoshmëri. Analizës së veprave të artit jam munduar që t’i jap rëndësinë e duhur në tematikën, Historia arti dhe shoqëria, dhe jo vetëm. Nëse u jap një detyrë e mendoj mirë përpara, nëse nxënësi do përfitojë dije prej saj apo jo. Analizën e veprës pothuaj të gjithë e bëjnë me dëshirë, madje jam emocionuar shpesh nga përshkrimet e bëra prej nxënësve të mi.
Cila janë pyetjet e duhura për analizën e veprës?
Për të analizuar një vepër arti dhe për t’ju ardhur në ndihmë nxënësve, unë u jap një listë me 7-të pyetje, të cilat i ndihmojnë shumë në lidhje me analizën e veprës. Me anën e këtyre pyetjeve nxënësit janë më të gatshëm për ta kryer analizën pa vështirësi. Qëllimi im nuk është që në analizë të përfshihen vetëm nxënësit shumë të mirë, por të përfshihen të gjithë nxënësit, atëherë mund të them që ja kam arritur qëllimit si mësuese në atë klasë. Gjithëpërfshirja dhe motivimi është suksesi i orës së mësimit.
7-të pyetjet
Analiza e veprës përmban Gramatikën vizuale e cila përbëhet nga elementet dhe parimet e artit, ose gjuhën pamore.
Pyetjet, nxënësve, ua jap më përpara në mënyrë që ata të përgatiten në shtëpi dhe të kenë kohën e duhur. Pyetjet i përgatis sipas një rrjedhe logjike që nxënësi të mos ngatërrohet me konceptet. Kjo mënyrë më ka dhënë rezultate të kënaqshme.
1. Cili është titulli i veprës dhe autori i saj?
2. Cilës periudhë artistike i përket autori?
3. Zhanri (gjinia) e veprës (portret, natyrë e qetë, peizazh, kompozim, etj)
4. Gjeni teknikën e veprës (bojëra vaji, akuarel, temperë, akrilik, etj)
5. Bëni një përshkrim literal (fjalë për fjalë) të asaj që shihni në vepër
6. Gjeni elementet dhe parimet në vepër
7. Çfarë emocioni përcjell te ty kjo vepër? Mesazhi?
Nëse do, nxënësi mund shtojë diçka që mendon se është e rëndësishme.
Analizë vepre (Shembull)
Më poshtë po analizoj veprën e artistit Vilson Halimi, 1931-2002.
Arsyeja pse e zgjodha këtë vepër është se autori i saj është babai im. Në këtë pikturë, babai më ka përjetësuar, në atë vajzën e vogël flokëverdhë, megjithëse unë isha flokë gështenjë.
“Kudo jemi në ballë”, 1976, Vilson Halimi, përmasat 1,45 me 2 m
Pikturë tipike e realizmit socialist, e cila merret si shembull edhe nga studiuesit e huaj. Vepra titullohet “Kudo jemi në ballë”.
Në këtë pikturë artisti ka përdorur si model familjarët e tij. Ky ishte një fenomen i zakonshëm për atë periudhë.
Në pikturë paraqitet një familje që shpërngulet nga qyteti për të jetuar dhe punuar në fshat. Personazhet duken të kënaqur që kanë mbërritur në këtë vend të ri. Burri është paraqitur me veshjen e punës, gati për të filluar, dhe mban mbi supe djalin e vogël me kaçurrela të arta. Në dorën e djathtë mban valixhen. Gjithçka ka kjo familje gjendet brenda asaj valixheje.
Ndërsa fëmijët janë të qeshur. Vajza flokartë, vrapon dhe rrezaton sinqeritetin e një fëmije që shkon drejt një vendi të ri. Duket sikur diellin artisti e ka identifikuar me buzëqeshjet e fëmijëve, dhe shkëlqimit të flokëve të tyre.
Gruaja është më e qetë në dukje dhe me shikim tej, ndoshta e pasigurt për atë që e pret më vonë. Dita është me diell dhe e ngrohtë, sepse gruaja e veshur me kostum, mban pallton në dorë. Artisti luan me veshjen e gruas dhe të burrit duke krijuar kontrast ngjyror. Pikturën e karakterizojnë kontrastet e ngjyrave të ngrohta me ngjyrat e ftohta. Një gjetje e bukur e cila ta çon shikimin kudo nëpër vepër.
Poshtë djathtas dallohet një parullë e vendosur në hyrje të fshatit. Ndërsa në të majtë të pikturës ka një autobus që ka sjellë familjen në fjalë dhe shumë të tjerë. Shtëpitë janë të rralla. Të bien në sy tokat bujqësore të sapo punuara dhe toka të mbjella më parë.
Lart majtas në qiell ka një helikopter si për të balancuar kompozimin. Djathtas, në mes, duket një lapidar, të cilët plotësonin kudo peizazhet nëpër Shqipëri. Pranë lapidarit ka pemë të lulëzuara, gjë që na tregon stinën e pranverës.
Artisti ka përdorur perspektivën ajrore (atmosferike), e cila e çon syrin e shikuesit larg në planin e fundit ku nuk duket asgjë në horizont, veç malit në të djathë të pikturës. Kjo të le të kuptosh që fshati ndodhet në një zonë të largët, mes maleve.
Familja nga qyteti qëndron në plan të parë mbi fshatin që duket poshtë. Në këtë mënyrë artisti ka krijuan një reliev të thyer për ta theksuar më shumë subjektin.
Tema e pikturës ishte aktuale për kohën, sepse shumë familje ose individë shpërnguleshin nga qyteti për të punuar dhe jetuar në fshat nën moton: “Ta bëjmë fshatin si qytetin”, duke dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e fshatit socialist.
Pavarësish temave dhe përmbajtjeve të veprave të artit të periudhës së realizmit socialist, mbeten vepra me vlera të rralla për historinë e artit shqiptar. Këto vepra vlerësohen edhe nga specialistët e huaj dhe sot ka një interes në rritje ndaj tyre.
Nga Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.