Përvoja, sugjerime dhe këshilla

Si duhet mbajtur lapsi?

Duke marrë shkas nga shqetësimi i një prindi, menduam të sjellim disa këshilla për mësueset e kopshteve të grupit të parë, të cilat duhet të punojnë shumë për t’u mësuar fëmijëve mënyrën korrekte të të mbajturit të lapsit.

Vajza ime edhe pak e mbush katër, por kur merr lapsin, ngjyrën, lapustilin a shkumësin ajo e mban dorën të shtrënguar grusht. A duhet të shqetësohem për këtë apo do ta korrigjojë vetë me kalimin e kohës? A duhet ta lë me kaq? Sapo unë filloj ta mësoj se si duhet ta mbajë lapsin ajo lë gjithçka dhe mërzitet dhe bën teka. Deri tani kemi synuar vetëm të bashkojë pikat, pa guxuar të fillojmë me ngjyrosjen brenda linjave. Eri, mami i Sabrinës.


Duke marrë shkas nga shqetësimi i një prindi, menduam të sjellim disa këshilla për mësueset e kopshteve të grupit të parë, të cilat duhet të punojnë shumë për t’u mësuar fëmijëve mënyrën korrekte të të mbajturit të lapsit. Kjo gjë do t’i ndihmojë ata që në grupin e pasardhës (grupin e dytë) të jenë aftësuar e ushtruar, dhe ata që e kanë problem, ta tejkalojnë me lehtësi, nëpërmjet veprimtarive argëtuese që do t’ju sugjerojmë më poshtë.


Këshillat e psikologut

Natyrisht nuk duhet ta lësh me kaq, por të mos këmbëngulësh e ta imponosh. Reagimi i saj do të thotë se ajo nuk është ende gati e kërkon më shumë kohë. Duhet të ndihet e inkurajuar dhe ta tërheqë ajo që bën. Pasi të sigurohesh që ajo e ka me qejf, atëherë duhet të punosh për të arritur synimin tënd. Fillimisht provoni të përdorni lapsa trekëndësh ose pastela dhjami apo shkumësa. Ajo mund të shkruajë në dysheme ose në trotuar, në pemë apo në mur, në mënyrë që të mos fiksohet te fleta, që i rrit ankthin. Por mbani mirë parasysh se çdo gjë varet nga mënyra se si ia ofroni fëmijës suaj, e cila duhet bërë butësisht. Mos ngulmoni për t’ia mësuar të gjitha menjëherë, dhe përqendrohuni vetëm që ta pozicionojë drejt dorën.


Përvoja e një prindi tjetër

Mësuesja e vajzës sime kishte shumë takt me fëmijët, sidomos me time bijë, që ishte e ndrojtur e mësonte me vështirësi. Ajo përdori një “hile” të vogël: e fshehu qëllimin e saj në një lojë fare të thjeshtë. Ajo u mësoi fëmijëve si të bënin një sandviç me djathë. I mjaftuan vetëm një panine dhe një fetë djathi e verdhë. Ja lidhja: paninia e ndarë më dysh (gisht më gisht) e mbajnë butësisht / lehtësisht djathin (lapsin) mes tyre. Nuk mund t’i shtrëngojmë shumë fetat e bukës, sepse pastaj djathi varet jashtë.


Këshilla për mënyrën e duhur të mbajtjes së lapsit

• Udhëzojini fëmijët të palosin gishtin e vogël dhe atë të unazës në qendër të pëllëmbës.

• Nëse fëmijët e kanë të vështirë, jepuni të mbajnë në pëllëmbë një monedhë duke e shtrënguar me këta gishta.

• Përdorni pjesë të gomuara të posaçme, që janë elastike, por edhe me ngjyra të këndshme (shihni figurën.).

• Lidhjani dorën dhe lapsin me një llastik kartëmonedhash (shihni figurën).

• Ndërkohë që punojnë këndoni një këngë që ata të mos e mbajnë mendjen te procesi i të shkruarit.

• Udhëzojini vazhdimisht fëmijët të mos e ulin shumë kokën kur shkruajnë e as ta shohin nga poshtë vizatimin ndërsa e bëjnë.

• Përdorni lapostila të shkurtër me majë të trashë ose shkumësa. Duke qenë se qëndrojnë mirë në dorë ato nuk e tërheqin letrën pas vetes.

• Stampimet janë një metodë e mirë.

• Përdorni fillimisht ushtrime për bashkimin e pikave.

• Vetëm kur të siguroheni se muskujt e dorës së fëmijëve janë aftësuar, atëherë mund të përdorin model normal ngjyrash e lapsash. Kujdesuni që ta mbështesin dorën në letër.


Ndonjëri mund të pyesë “E pse qenka problem mënyra se si fëmija e mban lapsin? Ai shumë shpejt do të përdorë kompjuterin për të shkruar.” Por në fakt, pavarësisht se kjo është e vërtetë, procesi i mësimit të mbajtjes së lapsit nuk është vetëm teknik. Përveç aftësive lëvizore ai bën të formohen mekanizmat e automatike të shkrimit që nevojiten për të prodhuar tekstin: ide, shqiptim të saktë, strukturë gramatikore. Nëse nuk ushtrohet me këtë mekanizëm, fëmija, si fillestar, has në disa vështirësi të hedhë mendimet në letër. Mbajtja e lapsit me mënyrën e duhur dhe të ushtruarit i përgatit fëmijët dhe i bën më të sigurt të shkruajnë numrat dhe fjalët në grupin e ardhshëm parashkollor. Fëmijët janë shumë të aftë të hidhen, të kërcejnë apo të vrapojnë, por jo të përdorin muskujt e vegjël si ato të dorës. Duke qenë se muskujt e fëmijëve të moshës 3-4-vjeçare ende nuk janë aftësuar të mbajnë lapsin, lipset të ushtrojnë aftësitë e tyre motorike.


Detyra e parë e mësueses së kopshtit është të vlerësojë fortësinë e muskujve e duarve/gishtërinjve të fëmijës dhe nëse janë gati të mbajnë lapsin. 


Ja një test i vogël: Kërkojini fëmijës të bëjë këto veprime (duke qenë se fëmija nuk i kupton disa nga emërtimet, mësuesja ia demonstron me veprime): 

• Bëje dorën grusht. 

• Fshihe në grusht gishtin e madh e pastaj shfaqe përsëri, pa i hapur gishtat e tjerë. 

• Lëvize gishtin e madh në formë rrethore. 

• Bashkoji mollëzat e gishtit të madh me gishtin tregues, dhe rrotulloji (mund të përdorë një sferë të vogël a një rruazë duke e mbajtur mes mollëzave e duke e rrotulluar, pa e lënë të bjerë) 

• Mbaje lapsin dhe pozicionin e dorës mbi letër (ashtu siç po e demonstron mësuesja)


Disa ide për të ushtruarit e aftësive lëvizore të gishtërinjve 

• Të përdorë gjithmonë gishtin e madh dhe atë tregues për të kapur sendet, 

• Të lëvizë me zhdërvjelltësi gishtin tregues dhe pastaj gishtin e madh; 

• Të futë në arkën e kursimeve monedha ose të futë kopsa në shishe plastike; 

• Të përhapë me gisht apo të “pikturojnë” shkumë rroje ose shkumë torte; 

• Të mbyllë grusht dhe të hapë pëllëmbën me shkathtësi 

• Të imitojë me gishtin tregues dhe atë të mësit ecjen e njeriut ose kafshëve që lëvizin me dy këmbë 

• Të sprucojë ujë me larësit e xhamave (të ujisin lulet) 

• Të shpojë me një thumb me kokë (nga të kancelarisë) një karton 

• Të bëjë lojëra (kafshë) me hije në mur 

• Të shtrëngojë e lirojnë sfungjerë; 

• Të luajë me kapëset e rrobave (t’i hape e t’i mbyllë), t’i kapë në tel 

• Të bëjë shegën kokrra-kokrra 

• Të luajë me objekte të vogla, si fara, rruaza, pazëlla ose lodra druri me kunj të rrumbullakët (lodrat pino radhitëse “vishe vajzën” (kodi 4479a1) “vishe djalin” (kodi 4479a3), “mjete udhëtimi” (kodi 4556a2), “ferma” (kodi 4556a1), labirintet etj.) 

• Të kthejë së prapthi e së mbari rroba 

• Të presë me gërshërë copa të vogla letre 

• Të vizatojë me kunja veshësh 

• Të përdorë piskatore për të kapur objekte të vogla 

• Të fusë kunjat e shkrepëseve në kuti 

• Të ngjitë fara të vogla, si oriz, fara kungulli etj. 

• Të futë rruaza në fill 

• Të futë fije makaronash te vrimat e kopsave (të mëdha)


* Marrë nga Udhëzuesi metodik, dosja Hop - Hop, botimet Albas

Klikoni këtu për të shkarkuar udhëzuesin e plotë

Për të blerë online udhëzuesin klikoni këtu


(Portali Shkollor)

6,785 Lexime
6 vjet më parë