Arsimimi i të varfërve

Shkolla nën një urë në Nju Delhi!

Kur flasim për shkollat në mendje na vjen klasa tradicionale ku zhvillohet mësimi. Por kjo për të cilën do t’ju flasim sot është një shkollë e pazakontë. Ajo ndodhet në Nju Delhi, poshtë një ure. Aty mësojnë fëmijët e punëtorëve të varfër migrues. Ja se çfarë ka rrëfyer mësuesi indian Rajesh Kumar Sharma...

Në Nju Delhi, ndodhet një shkollë nën urë dhe pa mure për fëmijët e punëtorëve të varfër migrues. 


Kjo shkollë nuk shfaqet në asnjë hartë. Nuk ka mure në të gjitha anët e saj dhe as një çati të plotë, e lëre më tavolina apo karrige. Ashtu si dyqanet e vogla të rrugëve që mbajnë kryeqytetin Indian të gjallë, "Shkolla falas nën urë" thjesht është shkrirë në hapësirën urbane të shpërndarë të Nju Delhit. Dhe për nëntë vitet e fundit, shkolla ka siguruar arsimim falas për qindra fëmijë të varfër nga lagjet përreth brigjeve të lumit Yamuna.


Ndodh që qielli zbehet, dhe pikat e shiut nisin të bien qetë...

Ndodh që koha nuk është në humor për të buzëqeshur me rrezet e diellit, por shkolla në rrugë është plot jetë dhe ngjyra...

Të tre muret që përbëjnë hapësirën e shkollës kanë të pikturuar qiellin blu, një pyll me pemë të larta dhe trëndafila gjigantë që rrethojnë pesë dërrasat e zeza që varen në murin e pasëm. Sapo e vërejnë, nxënësit drejtohen nga mësuesi, duke bërtitur "Namasté, mësues!" Njeriu i mbajtur në këtë respekt nga fëmijët është Rajesh Kumar Sharma, 49 vjeç, themelues i "Shkollës së Lirë nën urë". Ai e konsideron si misionin e tij për të ndihmuar në thyerjen e ciklit të varfërisë duke përmirësuar arsimimin e më të varfërve.


Ka shumë fëmijë që nuk ndjekin shkollën sepse prindërit e tyre - migrantë ose punëtorë informalë - janë të padokumentuar. Sharma i ndihmon ata të marrin letra, në mënyrë që ata të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ai e bën këtë falas, duke u mbështetur në të ardhurat e pakta nga dyqanet ushqimore të familjes së tij dhe dhurimet e rastit. Por në mungesë të një organizate juridike, dhurimet merren në emrin e tij personal, i cili së fundmi është kritikuar. 

"Unë bëj sa më mirë që mundem, por nuk mund të jap faturë kur përdor paratë e dhuruara për të ushqyer fëmijët", thotë ai. Për të shpërndarë dyshime të tilla, Sharma nuk pranon para të dhuruara por merr vetëm dhurime të veshjeve, ushqimit dhe librave.


Në këtë pasdite të nxehtë korriku, klasa në natyrë është pak e çorganizuar. 105 studentët janë të ndarë në grupe të niveleve të ndryshme. Tre mësues, të gjithë vullnetarë, ndihmojnë Sharmën dhe duhet të bërtasin kur tregojnë letrat në tabelë, për t'u dëgjuar prej zhurmës së sipërme të metrosë. Një mësues bën çmos për të mbajtur vëmendjen e nxënësve më të rinj. Sharma, ndërkohë, është i zënë për të interpretuar një tekst në Indi në një rreth prej pesë vajzash shumë të vëmendshme. 

“Në Indi thuhet se lulet lotus, më të bukurat, kanë lindur në këneta", shprehet Sharma i cili njihet si mësuesi improvizues.

Pra me këtë ai na le të kuptojmë se, kush ka dëshirë të arsimohet dhe të shkëlqejë mund ta bëjë këtë edhe poshtë një ure! 


Përktheu: Gentjana Baçi 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,068 Lexime
4 vjet më parë