Sfidat e kohëve moderne për mësuesit dhe prindërit
Aftësimi i fëmijëve për të ardhmen e tyre fillon që në bankat e shkollës. Por brezi i ri nuk ka qasjen e duhur ndaj librave dhe shkollës. Fatkeqësisht ka një braktisje të librave nga nxënësit edhe duke qenë fizikisht në klasë. Duhet një mendësi e re për t’u përballur me këto sfida të kohëve moderne.
Modelet/shabllonet
Në përditshmërinë tonë hasemi me shabllone dhe modele të gatshme kudo. Të gjithë japin ide si të veprojmë, si të mendojmë, shkurt secili ndjek një shabllon, një steriotip që mendon se ja vlen ta ndjekësh dhe mundohet ta bindi edhe tjetrin. Ky fenomen ndodh edhe me nxënësit të cilët përpiqen të kenë një model në jetën e tyre duke imituar dhe kopjuar dikë. Të gjithë gjurmojnë të gjithë pa e kuptuar sa orë harxhojnë nga jeta e tyre përpara ekranit të celularit. Madje edhe në kafe të ndodh shpesh që je duke bërë monolog edhe pse je vetë i dytë në tavolinë. Ndodh shpeshherë që edhe prindërit bëhen pjesë e këtyre situatave me dashje ose pa dashje. Nëse i pyet nxënësit për profesionet që ata duan të ndjekin në jetë, shumica duan profesione të cilat sipas tyre nuk të lodhin, por kanë fitime të mëdha si p.sh: do bëhem “youtuber”, “videogame creator” etj. Ajo që më shqetëson mua si mësuese është mendimi i gabuar që kanë për jetën, sepse akoma nuk e kanë të qartë se në asnjë profesion sa do i lehtë apo i vështirë qoftë, nuk arrin të mbijetosh, nëse nuk je një profesionist i mirë, sepse gjithmonë do jetë dikush më i zoti dhe më i aftë. Dhe aftësimi fillon që në bankat e shkollës. Brezi i ri nuk ka qasjen e duhur ndaj librave dhe shkollës. Fatkeqësisht ka një braktisje të librave nga nxënësit edhe duke qenë fizikisht në klasë.
Janë shumë faktorë zinxhir që ndikojnë dhe është e vështirë të drejtosh gishtin nga “fajtori”. Unë mendoj që nëse duam të ndryshojmë diçka, atëherë le ta nisim nga vetja. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këto fenomene tashmë prezent në jetën tonë, të cilat na detyrojnë të ndjekim të tjera rregulla dhe metoda. Duhet një mendësi e re për t’u përballur me këto sfida të kohëve moderne.
Prindërimi
Sot të qenët prind ose mësues është sfidë e madhe. Edhe prindërimi është shkollë më vete që e ndjek gjatë rrugës së jetës dhe në një farë mënyre rritesh bashkë me fëmijët e tu. Shumica e prindërve për shkak të punëve dhe angazhimeve që kanë, janë me orë të tëra larg familjes. E tillë është koha që po jetojmë, kohë që ecën me një shpejtësi marramendëse. Fëmijët ose rrinë vetëm në shtëpi, ose me dadot e tyre ose monitorohen nga kamerat e vendosura kudo nëpër shtëpi. Fati më i madh do ishte nëse kanë gjyshërit pranë. Prindërit aq kohë sa janë me fëmijët duhet t’u tregojnë që janë shumë të rëndësishëm për ta, duke bashkëbiseduar, luajtur, dhe sidomos duke i dëgjuar. Shpeshherë harrojmë të jemi dëgjues të mirë.
Këto fenomene janë si pasojë e kohës në të cilën po jetojmë. Shqetësues është fakti që shumë fëmijë harxhojnë orë të tëra mbi celularë apo edhe mbi lojërat elektronike duke qenë pa kontrollin prindëror. Kjo ka dëmet e veta të cilat do të shpërthejnë më vonë si: mbyllja në vetvete dhe bezdisja nga prania e të tjerëve, problemet shëndetësore dhe më shqetësuesja varësia. Parandalimi është ilaçi më i mirë. Nëse e lemë situatën pas dore me mendimin se kjo do jetë hera e fundit, dhe kjo herë e fundit nuk ka asnjëherë fund, atëherë nuk e kemi situatën nën kontroll.
Frekuentimi i kurseve
Ka edhe nga ata prindër që ja zënë kohën pas shkolle fëmijës së tyre me kurse intensive. Sa kohë u mbetet për t’u përgatitur për të nesërmen në shkollë? Shpeshherë fëmijët mërziten, lodhen dhe e shprehin pakënaqësinë, sepse jo në të gjitha kurset shkojnë me dëshirën e tyre. Mendoj që mbingarkesa e tepërt si në shkollë dhe jashtë saj nuk sjell dobi, por një lloj konfuzioni te fëmijët duke mos i lënë të fokusohen aty ku duhet dhe të kenë përgatitjen e duhur për të nesërmen. Në klasë ata shfaqin shenja lodhjeje dhe mospërqëndrimi. Ndodh që ndonjëherë janë të papërgatitur dhe shfajësohen duke thënë se kanë qenë deri vonë nëpër kurse dhe nuk patën kohë për t’u përgatitur. Ndodh që kujdesen për motrën apo vëllanë e vogël deri sa të kthehen prindërit nga puna. Personalisht nuk jam dakord me këtë fenomen. Një fëmijë sa do i rritur të jetë nuk mund t’i ngarkohet roli i dados, qoftë edhe për motrën apo vëllanë e vogël, sepse i hiqet e drejta për të qenë fëmijë. Mos harroni që fëmija ka nevojë edhe të argëtohet dhe të luajë me vëllanë, motrën por moshatarët e vet. Fëmijët kanë nevojë të luajnë edhe me lodrat e tyre.
Fëmijëve shpeshherë u duhen dhënë detyra dhe përgjegjësi, punë krijuese, të lexojnë një numër të caktuar faqesh nga një libër, aktivitete artistike, sportive, etj., në përshtatje me moshën e tyre. Ata kanë energji të pashtershme dhe kjo duhet menaxhuar duke e drejtuar aty ku duhet.
Asgjë nuk është e pamundur. Nëse duam të përmirësojmë statusin e të qenët prind, duhet durim dhe përkushtim.
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?