Sezoni i provimeve, për një prezantim të shkëlqyer të punës suaj si student në Universitet
Prezantimet në universitet bëhet me një qëllim të vetëm: bindjen e audiencës në përputhje me konceptin tuaj që prezantoni. Vetëm kështu ju do të vlerësoheni me rezultate të shkëlqyera. Këto këshilla do t’ju vlejnë shumë nëse do të prezantoni një detyrë, projekt apo do të mbroni një temë diplomimi.
Gjatë kohës së studimeve tuaja në Universitet me siguri ju është kërkuar disa herë të prezantoni një projekt. Për shembull, mund t’ju jetë kërkuar që të bënit një përmbledhje apo të jepnit konkluzione mbi detyrën apo temën tuaj, të jepnit rezultatet e një eksperimenti shkencor ose të jepnit mendimin tuaj në lidhje me një detyrë të prezantuar nga kolegu i klasës etj.
Në rastin kur ju vetë keni prezantuar një detyrë apo një projekt përpara studentëve të tjerë dhe pedagogut të lëndës, disa prej tyre mbase janë treguar të pavëmendshëm ose janë bezdisur nga projekti apo detyra juaj, por pjesa tjetër mbase ju ka dëgjuar dhe kuptuar. Pra, kjo është çështja! Si të bëjmë audiencën të mos humbasë interesin ndaj asaj se çfarë po prezantojmë?
Në këtë sezon përmbyllës të kontrollit të dijeve universitare, për t’u siguruar që puna juaj do të prezantohet në mënyrën e duhur, disa mësues akademikë të huaj, si Andrew Edvard dhe këshilltari i karrierës Andrea Hilditch, nga Universiteti Wrexham Glyndwr, ofrojnë këshillat e tyre më të mira.
1. Përgatituni me kujdes
Jepini vetes mjaft kohë për t'u përgatitur plotësisht, mos u nxitoni pasi do gaboni. Mblidhni informacionin që ju nevojitet dhe vendoseni atë në një mënyrë logjike, me një hyrje, zhvillim dhe përfundim të qartë. Mund të mbani disa shënime të hollësishme si pjesë e prezantimit tuaj, por mësuesi Andrew rekomandon që të mos mbështeteni shumë tek ato, pasi do të ishte më mirë ta dinit vetë përmbajtjen e informacionit të zgjedhur pa e lexuar atë. Ai thotë se referimi te fletët e letrës, që një student merr me vete, mund ta shpërqendrojnë dhe ta nervozojnë atë.
2. Përdorni prezantimin në Power Point
Ju jeni fokusi kryesor – slajdet (slidet) tuaja duhet të ofrojnë një përmbledhje të shkurtër të pikave, ose një ilustrim që mbështet konceptin për të cilin po diskutoni. Mos bini në grackën e leximit me zë të lartë të asaj që shkruhet në slide. Sigurohuni që të përdorni një lloj shkrimi të madhësisë së qartë dhe të përshtatshëm. Andrew shton se duhet të përdorni fraza ose fjali të shkurtra në mënyrë që të mos mbingarkoni slidet tuaja. Imazhet mund të jenë një mënyrë e shkëlqyeshme për të tërhequr vëmendjen e audiencës, por ka edhe truke të tjera që mund të përdorni. “A mund të përdorni humor për të prezantuar një çështje?”, pyet Andrew duke vazhduar, “A mund të përdorni një pyetje të mirëmenduar në vend të një deti me fjalë?”
3. Mendoni për audiencën
Ekzistojnë shumë elementë të ndryshëm që mund të përfshini në një prezantim, tinguj, video, vizatime dore, pyetje, shembuj të ndryshëm etj, kështu që juve duhet të mendoni se cilat janë të përshtatshme për audiencën tuaj. Për shembull, nëse tema që ju do të prezantoni është një punë për t’u vlerësuar atëherë, toni juaj i zërit duhet të jetë serioz. “Tregoni se keni menduar për audiencën”, këshillon Andrew. Konsideroni faktin se sa do t'ju duhet informacioni në sfond. A kanë ata disa njohuri për temën që po prezantoni? Shpenzimi i gjysmës së parë të prezantimit tuaj, duke i thënë një auditori atë që ata tashmë e dinë do të jetë zhgënjyese për ta. Sikundër edhe po u futët direkt në detaje audienca mund të humbas fillin. Është thelbësore që ju të mbani ekuilibrin siç duhet, që do të thotë, duhet të njihni audiencën tuaj.
4. Praktikohuni me një mik
Ju duhet ta praktikoni prezantimin tuaj më shumë se një herë para një audience, në mënyrë ideale. “Shkoni në klasën që do bëni prezantimin, nëse mundeni, dhe kërkoni nga miku juaj të ulet në pjesën e prapme, duke kontrolluar shpejtësinë dhe qartësinë e fjalimit tuaj”, këshillon Andrew. Kjo do t'ju ndihmojë të kuptoni nëse ju po prezantoni në mënyrën e duhur apo jo, dhe do t'ju japë mundësinë të mësoheni të shpreheni para të tjerëve. “Ndryshoni tonin dhe hapin tuaj”, rekomandon Andrew. “Flisni normalisht – shmangni monotoninë”.
5. Behuni pozitivë
Andrew rekomandon se duhet të qëndroni pozitivë dhe të qetë gjatë ditëve që po përgatiteni për prezantimin e projektit tuaj. Pasi sipas tij ,do ta keni më të vështirë nëse gjatë këtyre ditëve do të jeni të frikësuar dhe të ndrojtur. “Pranoni nervozizmin tuaj, por mos u dorëzoni duke menduar negativisht”, shton ai. Jepini forcë vetes duke thëne: "Po jam nervoz, por unë mund t’ia dal". Andrew sugjeron një teknikë për të arritur një nivel më të madh të besimit në vetvete:“Çoni në mendje një moment kur ju jeni ndier plotësisht të sigurt në vete. Mund të jetë një moment teksa keni vallëzuar në një klub, moment suksesi në vendin e punës vullnetare, ose në klasën e disa fëmijëve, nuk ka rëndësi. Në ditët që i afroheni prezantimit, imagjinoni pikërisht këtë moment të jetës tuaj dhe thjesht qëndroni të qetë". “Mos supozoni se audienca juaj dëshiron që ju të dështoni”, shton Andrew. "Takoj studentë që kanë frikë absolute kur u afrohet koha e prezantimeve, në një kohë që miqtë e tyre në klasë janë atje për t'i mbështetur ata dhe me të vërtetë dëshirojnë që ata të kenë sukses".
6. Mos u mbështesni në teknologji
Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të një prezantimi i cili nuk është realizuar mirë për shkak të teknologjisë. Sidoqoftë, me pak planifikim mund të minimizoni pengesat e teknologjisë. Nëse është e mundur, provoni prezantimin tuaj paraprakisht me të njëjtën pajisje që do të përdorni për prezantimin e fundit. Përndryshe, përpiquni të arrini më herët se ora e prezantimit. Andrew këshillon që të merrni me vete kopje të dokumenteve tuaja dhe të shtypni disa kopje të slideve për t'i ndarë, nëse gjërat shkojnë keq. Sidoqoftë mos u mbështesni gjithmonë tek Powr Point, jini të gatshëm për të prezantuar projektin tuaj edhe pa atë, duke përdorur shënimet. Andrew ndalet te një shembull nga jeta e tij. "Unë kisha një problem, ekrani i ‘teatrit ligjërues’ nuk po funksiononte, kështu që të menduarit e shpejtë dhe një humor i vogël nga ana ime më ndihmoi të rrëmbeja vëmendjen e audiencës , më pas i kërkova klasës të lëvizte më afër meje, derisa tekniku të mbërrinte për të rregulluar ekranin”.
Prandaj, përmbajuni këshillave më sipër dhe realizoni një prezantim të shkëlqyer të punës suaj.
Përktheu: Gentjana Baçi
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?