Teatër

Rikthehet Robert Ndrenika, në rolin e një profesori

Ndrenika do të ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit në veprën “Mendohu Xhiakomino” nën regjinë e Milto Kutalit. Regjisori ka kohë që ka nisur provat për vënien në skenë të veprës së njohur të nobelistit italian Pirandello.

Vetëm dy javë më parëmë 10 janar ai mbushi 75 vjeç. Një nga emrat më të dashur të teatrit shqip, Robert Ndrenika do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit të Metropolit në veprën “Mendohu Xhiakomino” nën regjinë e Milto Kutalit. Regjisori ka kohë që ka nisur provat për vënien në skenë të veprës së njohur të nobelistit italian Pirandello.

Në qendër të veprës një profesor që është i afruar moshës së pensionit, por që nuk ka krijuar as familje, nuk ka as të afërm mendon të sakrifikojë për gjeneratën e re, për t’i dhënë një mësim shoqërisë. Bën një martesë fiktive, adopton një vajzë që është vajza e dy prindërve shumë të varfër vetëm që t’i japë mundësi një çifti të ri, që të krijojnë jetën, të paktën të hedhin hapat e para në jetë.

Kjo vepër ka ngjashmëri me aktualitetin shqiptar. Aspekti human është ajo që e përshkon nga fillimi në fund këtë vepër. Robert Ndrenika ka në ketë vepër rolin e profesor Totit, personazhet e tjerë do të interpretohen nga Amri Hasanlliu-Xhiakomino, Paola Kodra-Liljana, Arben Derhemi-Cinkuemani, Marjana Kondi-Marjana, Klodjana Keco-Rozaria, Redjan Mulla-At Landolino, Alert Celoaliaj-Kavalier Diana, Merita Dabulla-Filomena dhe Erza Voglo-Nini.

2,763 Lexime
7 vjet më parë