Rëndësia e dinjitetit të nxënësit
Shpeshherë me profesorët dhe me kolegët e mi u jemi qasur diskutimeve me karakter të këtillë dhe pothuaj se gjithnjë kemi ardhur në përfundim se gjendja e arsimit fillor te shqiptarët e vendit tonë nuk është dhe aq mbresëlënëse...
Ditëve të sotme po t’u hedhësh një vështrim programeve mediatike me vigjilencë, do të gjesh një mori emisionesh debative, të cilat agjendat i kanë të stërmbushura me tematika që tërheqin vëmendjen e publikut e që u sjellin spektakël atyre, mirëpo fare pak, për të mos thënë asnjë emision, nuk gjen që nxitë debate konstruktive të cilat çojnë deri në elaborimin dhe zgjidhjen e problemeve themelore siç është dhe halli i arsimit shqip në Maqedoni. Prandaj, qëllimi i shkrimit tim është më se i sinqertë dhe i dëlirë, nëpërmjet të cilit synoj që së paku të pasqyroj një realitet sa të hidhur, po aq të shëmtuar, gjë për të cilën isha dëshmitar me gjithë shqisat e mia.
Shpeshherë me profesorët dhe me kolegët e mi u jemi qasur diskutimeve me karakter të këtillë dhe pothuaj se gjithnjë kemi ardhur në përfundim se gjendja e arsimit fillor te shqiptarët e vendit tonë nuk është dhe aq mbresëlënëse, por nuk më kishte vajtur dot në mendje që mund të kishte dhe mësimdhënës shqiptarë të atillë që për interesat e tyre personale do ta shfrytëzonin edhe dinjitetin e vetë nxënësve.
Përderisa po drekoja një ditë me një koleg timin në një prej restoranteve të Çarshisë së Shkupit, pashë dhe dëgjova atë që unë do ta quaja pa mëdyshje krim i një mësuesi. Një grup nxënësish të udhëhequr nga dy arsimtarë u ulën për të drekuar në po të njëjtin restorant ku ishim unë me kolegun tim. Në shikim të parë nuk e kuptova përse kishin dalë së bashku nxënës e mësues, mbase për të shëtitur, për të parë ndonjë shfaqje teatrale apo për të fituar përvoja të ndryshme nga jeta në qytet. Gjithsesi, unë e vlerësova aktivitetin që kishin ndërmarrë mësueset. Mirëpo, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin fletoret me logo të një partie të caktuar politike që mbanin nxënësit në dorë.
Sinqerisht, kjo më tronditi shumë. Më pas, hyra në bisedë me dy prej nxënësve për të parë se prej nga vinin dhe ç’bënin së bashku në qytet, kurse ata më thanë që ishin klasa e shtatë, vinin nga një vend rural dhe se kishin dalë për të shëtitur me mësueset e tyre.
Pas kësaj kuptova se ku kishte qenë e tërë filozofia e këtij organizimi – shëtitja dhe dëfrimi i nxënësve nëpër qytet, me qëllim lënien e përshtypjeve të mira tek prindërit e fëmijëve në emër të partisë së caktuar politike të cilës vetë ato mësueset duhet t’i përkisnin. Me fjalë të tjera, kësaj lirisht mund t’i themi fushatë parazgjedhore. Këtë e dëshmon fakti që çdo fëmijë i është dhuruar nga një fletore e tillë, gjë e cila do t’u bie në sy prindërve. Kurse ato për të dëshmuar kryerjen me sukses të aktivitetit pranë dirigjentëve të tyre, nuk harruan edhe për të shkrepur fotografi me nxënësit.
Nuk e di nëse mësueset në fjalë ndonjëherë gjatë jetës së tyre e kanë rastisur kuptimin e nocionit mësues apo qëllimin e mësuesisë, megjithatë ndjehem i ngarkuar me përgjegjësi për të thënë që nxënësit janë krijesa më e dëlirë që mund të gjendej në sipërfaqen e tokës, kurse arsimtari është përgjegjës i jetës dhe ardhmërisë së tyre. Ai duhet t’i trajtojë ata në formën më të bukur dhe më të mirëfilltë, sepse ata janë amaneti i çdo prindi, begatia e çdo familjeje dhe suksesi i një shoqërie. Fëmijët janë sikurse balta dhe mësuesit ua japin formën në bazë të asaj se si i trajtojnë ata.
Prandaj, veprimin në fjalë me plot bindje dhe ndërgjegje e dënoj dhe e konsideroj si një katastrofë arsimore, edhe atë për faktin që me këtë, jo vetëm që janë shkelur normat arsimore, por edhe është abuzuar dhe keqpërdorur personaliteti dhe dinjiteti i nxënësve – bërthamës së shoqërisë tonë.
(Nga: Reshat Ameti, student në Fakultetin e edukimit, Shkup, 09.10.2017; Portali Shkollor)
Si lindi shkolla, një nga institucionet më jetëgjata të qytetërimit tonë?
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"