Psikologji

Psikologia Nafie Sylejmani: Disa metoda për të ushqyer fëmijët kur ata refuzojnë të hanë

Psikologia nga Prishtina, Nafie Sylejmani, ndan me prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve disa metoda për ushqyerjen e fëmijëve që refuzojnë të hanë ushqim të shëndetshëm.

Shpeshherë prindërit ose kujdestari/ja ballafaqohen me një situatë të sikletshme kur vjen koha për të ushqyer fëmijën. Ndodh që fëmija ha një ushqim të vetëm, ose sasi shumë të vogla të tij dhe kjo bën që prindi ose kujdestari/ja të ballafaqohet me një grup të madh shqetësimesh që e bëjnë procesin edhe më të vështirë.


Ndoshta ushqimet e mia nuk janë të shijshme?! Ndoshta nuk jam duke përdorur metodën e duhur për ta ushqyer? Këto janë vetëm disa nga pikëpyetjet, e mendimet e vazhdueshme që mund t’ju sillen nëpër kokë.


Në situata të tilla, mjetet teknologjike shihen si shpëtimtarë të menjëhershëm për zgjidhjen e problemit. Përdorja e telefonit, tabletit apo televizionit gjatë të ushqyerit dëmton dukshëm këtë proces. Mund të shihet si një metodë efektive që ju të arrini qëllimin për t’i dhënë sasinë e ushqimit që ju keni paraparë për të, por kjo ia pamundëson fëmijës të zhvillojë procesin e shëndetshëm të njohjes së ushqimit.


Janë disa mënyra për moshat e ndryshme që ju mund t’i përdorni për ta mësuar fëmijën tuaj të shijojë shijet e reja apo të hajë sasinë e mjaftueshme që atij i duhet. 


Nëse bazohemi në moshën e fëmijërisë së hershme, nga 1 deri në 2 vjeç, ju mund t’i shërbeni ushqime të reja të shëndetshme duke u munduar ta motivoni atë që të paktën ta provojë ushqimin. Mos këmbëngulni që fëmijës t’i jepni të gjithë ushqimin e ri, por fokusohuni që ai vetëm të provojë shijen e re. Gradualisht tentoni që herën e ardhshme të rritni pak dozën e ushqimit, p.sh., një lugë nga ushqimi i ri, dhe pjesën tjetër vazhdoni me ushqimin e zakonshëm që ai e ha.


Fëmija do të refuzojë vazhdimisht, mund të fillojë të qajë,të protestojë në mënyra të ndryshme, por mundohuni ta qetësoni veten duke e menduar që ky proces është i përkohshëm, deri të mësohet pak me shijen e re, pastaj do të jetë shumë më e thjeshtë për të dy palët.


Ndërsa nëse fëmija juaj i takon grupmoshës më të rritur, 3-6 vjeç, atëherë puna është pak më e thjeshtë, sepse ju mund të fokusoheni në metoda motivuese, prej të cilave do të arrini që fëmijën ta motivoni për të përfunduar ushqimin.


Disa nga metodat motivuese që ju mund të përdorni janë:


Nëse jeni duke i prezantuar ushqimin e ri, tregoni atij se nëse provon ushqimin, ju do ta shpërbleni me lodrën që fëmija e do më shumë, ose do ta dërgoni në vendin që i pëlqen etj. (Sigurohuni që të premtoni aq sa ju mund të ofroni.)


● Vazhdimisht shpërbleni ata pas përfundimit të ushqimit.


● Përdorni libra me storie të caktuara që nxisin fëmijën të provojë ushqimin e ri ose ta përfundojë atë.


● Shihni ndonjë film bashkë rreth ushqimit të shëndetshëm dhe pas çdo filmi, diskutoni për personazhet dhe si mundeni ju bashkë të veproni si ta etj.



Të ushqyerit e fëmijës mbetet si sfidë deri kur ju të gjeni metodën e përshtatshme motivuese për fëmijën tuaj.



Nafie Sylejmani – Msc. Psikologji Klinike


Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,923 Lexime
3 vjet më parë