INTERVISTË

Psikologia Lediona Braho: Si t'i mbrojmë fëmijët nga rreziqet në internet

Të dashur prindër! Mbajeni kompjuterin në vend të sigurt dhe të dukshëm, komunikoni hapur dhe rregullisht me fëmijët tuaj, shpjegoni rregullat dhe udhëzimet për përdorimin e internetit dhe vendosni bashkë me fëmijët rregullat e përdorimit të internetit.

Kërkimet në vend dhe në botë tregojnë se fëmijët bien në kontakt me internetin në moshë fare të vogël dhe ata mund të hyjnë në internet nga vende të ndryshme, si: shtëpia, shkolla, bibliotekat, vendet publike, etj. Një e treta e përdoruesve të internetit në Shqipëri janë fëmijë, sipas UNICEF (2018). Mosha mesatare kur fëmijët hyjnë për herë të parë në internet është 9 vjeç, mesatarisht çdo fëmijë qëndron online 3 orë në ditë dhe 75 përqind e fëmijëve përdorin telefonin çdo ditë. Ndërsa një anketim i kryer vitin e shkuar në shkollat e Tiranës, tregoi se nga 80% e nxënësve që e përdornin internetin, 60% e tyre e kalonin kohën në rrjetet sociale. Po ashtu, një studim i kryer në 25 vende të Bashkimit Europian (2011) tregoi se 86% e fëmijëve (pra, rreth 9 në 10 fëmijë) janë përdorues të internetit. Ndaj, me të drejtë, mund t’i quajmë fëmijët “përdorues të rregullt të internetit”. Këto statistika, psikologia Lediona Braho i shpjegon në intervistën për Portalin Shkollor. Braho rendit disa këshilla për fëmijët, si të jenë të sigurt gjatë lundrimit në internet, por edhe për prindërit.


Gjithnjë e më tepër fëmijët tërhiqen nga teknologjia dhe janë përdoruesit më të rregullt të internetit. Si e komentoni këtë fakt?

Fëmijët tërhiqen nga teknologjia për shumë arsye. Mundësia për t’u ekspozuar ndaj pajisjeve teknologjike herët është tejet e madhe. Pajisjet si kompjuterat, telefonat inteligjentë, tabletat dhe pajisje të tjera që mundësojnë hyrje në internet, janë të përhapura masivisht në treg dhe shumica e familjeve kanë mundësi t’i blejnë ato. Nga ana tjetër, prindërit dhe të rriturit e tjerë e kanë shpeshtuar përdorimin e pajisjeve, duke ofruar një model të caktuar për fëmijët e tyre. Për fëmijët, pajisjet teknologjike janë interesante, pasi ofrojnë mundësi të shumta për argëtim dhe socializim. Ritmet e shpejta të zhvillimeve teknologjike, pajisja e fëmijëve me telefona inteligjentë dhe mbulimi i hapësirave urbane me wireless e kanë përhapur shumë përdorimin e internetit nga fëmijët. Për këto dhe arsye të tjera, lundrimi në internet është kthyer në aktivitetin kryesor të fëmijëve në epokën digjitale. 


A duhet që prindërit të përdorin filtra, në mënyrë që fëmijët e tyre të jenë paksa më të sigurt kur lundrojnë në internet?

Patjetër që po! Prindërit duhet të vendosin filtra, të cilat janë opsione bllokuese ndaj materialeve të papërshtatshme që mund t’u shfaqen fëmijëve të tyre kur këta të fundit hyjnë në internet. Edhe kur fëmijët janë në një faqe lojërash, atyre mund t’u shfaqen viruse ose “spam” që përmbajnë materiale të padëshirueshme. E rëndësishme është që prindërit të jenë të informuar. Informacioni gjendet lehtësisht online ose mund të merret nga specialistët e informatikës. Prindërit dhe të rriturit duhet të informohen mbi çështjet e lidhura me sigurinë dhe rreziqet e fëmijëve në internet dhe të vendosin mbi mënyrat më të mira të kontrollit dhe mbikqyrjes së fëmijëve. Duke u informuar rregullisht nga burimet e sigurta të informacionit, prindërit mund të kuptojnë sa i përhapur është fenomeni, sa kohë shpenzojnë fëmijët online, si ndryshon përhapja në bazë të moshës dhe gjinisë së fëmijës, cilat janë aktivitetet e preferuara të fëmijëve dhe sidomos rreziqet që u kanosen fëmjëve etj. Prindërit duhet të njohin në mënyrë të detajuar rreziqet, duke filluar nga kërcënimi i privatësisë te rreziku real i takimit me njerëz të panjohur dhe dashakeqës. Për të mbrojtur fëmijët online, prindërit mund të kontaktojnë me ofruesin e internetit të tyre. Çdo familje me fëmijë që ka hyrje në internet duhet të kërkojë një program kontrolli prindëror. Këto programe duhen instaluar në pajisjet që përdorin fëmijët e tyre (telefonat, iPad, kompjutera) për një përdorim sa më të sigurt të internetit. Gjithashtu, prindërit duhet të këshillohen me specialistë të mbrojtjes së fëmijëve për të siguruar një mbrojtje sa më të mirë të fëmijëve të tyre. Në internet janë publikuar edhe doracakë dhe manuale informues shumë të dobishëm për prindërit, të cilët mund të lexohen dhe përdoren nga të gjithë. 

Rreziqet më të shpeshta në internet cilat janë, sipas jush?

Interneti paraqet rreziqe të shumta për fëmijët. Disa prej tyre janë: bullizmi kibernetik (dhuna online), ngacmimet nga njerëz të panjohur, publikimi dhe keqpërdorimi i të dhënave personale, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme dhe pornografike, etj. Shkarkimi i një fotoje apo videoje mund të bartë viruse të fshehura. Kur fëmijët kanë profile në rrjete sociale, ata mund të jenë të rrezikuar për t’u mashtruar ose gënjyer nga persona të panjohur. Është e lehtë që fëmijët të gënjehen dhe manipulohen online dhe të bien viktima të keqbërësve. Përdorimi i kamerës gjatë bisedave u ofron keqbërësve mundësinë për t’i bindur fëmijët që të takohen me ata. Dhuna kibernetike mund të shprehet përmes mesazheve kërcënuese, postimit të komenteve fyese, dërgimit të fotografive ose videove pa leje, krijimit të profileve false etj. Kjo formë e dhunës është çështje shumë shqetësuese dhe shkaktare e problemeve të sotme te fëmijët. 

Kur fëmijët kalojnë shumë kohë në internet, ata neglizhojnë aktivitete të tjera, si ushqyerja, gjumi, aktivitetet shoqërore, detyrat e shtëpisë, etj. Koha e tepërt e kaluar në internet shoqërohet me pasoja negative shëndetësore (probleme me gjumin, mbipeshë dhe obezitet, hipertension) dhe psikologjike (rënia e përqendrimit, varfëria gjuhësore, probleme emocionale, si vetmia dhe izolimi, deri në simptoma të çrregullimeve si ankthi dhe depresioni). Fëmijët që e përdorin së tepërmi internetin janë të rrezikuar për të krijuar varësi ndaj internetit, e cila karakterizohet nga dëshira obsesive për të kaluar kohë në internet dhe paaftësia për ta kontrolluar atë. 

Sipas një studimi me 900 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, nga World Vision (2015), 44 përqind e fëmijëve dhe të rinjve çdo ditë shohin në internet materiale pornografike. Ndërsa sipas një studimi të UNICEF (2018), 1 në 5 fëmijë pohon se ka parë imazhe dhune ose abuzimi online, ndërsa 1 në 10 pohojnë se kanë parë përmbajtje, ku flitet për vetëvrasje dhe materiale të padëshiruara. Çereku i fëmijëve komunikojnë online me dikë që nuk e njohin, ndërsa gjysma e këtyre kanë takuar personalisht dikë që e kanë njohur nga interneti. Mbi 75 për qind nuk kanë asnjë kontroll nga prindërit. Sipas të dhënave të fundi të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë “Alo116”, fëmijët raportojnë se shumicën e kohës që kalojnë në internet janë të pashoqëruar nga prindërit. Një pjesë të mirë të kohës në internet, ata e kalojnë në rrjete sociale dhe se edhe janë kërcënuar nga persona të panjohur nëpërmjet mesazheve në Facebook.


Disa këshilla për fëmijët…

Interneti është një vend ku fëmijët mund të kalojnë kohën, të argëtohen, të komunikojnë dhe të mësojnë, por ata duhet të informohen për rreziqet. Personat më të afërt të fëmijëve janë prindërit dhe mësuesit, të cilët kanë përgjegjësinë t’u tregojnë fëmijëve se përdorimi i internetit shoqërohet me rreziqe. Fëmijët duhet të njihen me të drejtat e tyre. Ata duhet të dinë se kanë të drejta që duhet të respektohen, edhe në internet; kanë të drejtë të mos ofendohen, të mos gënjehen dhe të mos lëndohen. Ata kanë të drejtë të mbrohen. Për të qenë të mbrojtur, fëmijët duhet të informohen për përmbajtjet e përshtatshme për moshën e tyre. Po ashtu, fëmijët duhet të dinë se edhe fëmijët e tjerë kanë të drejta, që ata duhet t’i respektojnë. 

Fëmijët duhet të mësojnë shumë më shumë lidhur me rregullimin e privatësisë në profilet e tyre në internet dhe lidhur me postimet që ata bëjnë. Fëmijët kanë nevojë për edukim lidhur me shfrytëzimin e sigurt të internetit.  Kështu, të rriturit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve se ata nuk duhet të japin të dhënat e tyre personale (adresa dhe numri i telefonit), nuk duhet t’u përgjigjen mesazheve fyese ose ngacmuese, nuk duhet të shtojnë ose të pranojnë njerëz të panjohur dhe duhet të bllokojnë adresat që iu dërgojnë mesazhe kërcënuese. 

Fëmijët duhet ta dinë se interneti nuk duhet të zëvendësojë aktivitetet sociale dhe fizike në natyrë. Nëse fëmijët qëndrojnë shumë kohë në internet, ata kanë më pak kohë për të ndërvepruar me prindërit, për të krijuar shoqëri dhe për t’u argëtuar në botën reale. Po ashtu, ata do të kenë më pak kohë për të bërë mësimet. 

Këshilla ime kryesore e drejtpërdrejtë për fëmijët do të ishte: Flisni me prindërit tuaj, informohuni për sigurinë dhe rreziqet në internet dhe nëse ndiheni të rrezikuar, kërkoni ndihmë! Fëmijët mund të kërkojnë ndihmë në numrin 116-111, në Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ose të raportojnë rastet e abuzimit te faqja www.Isigurt.al në rubriken “Raporto”.  


Po disa këshilla për prindërit?

Ndërgjegjësimi i prindërve lidhur me rrezikun dhe sigurinë në internet duhet të rritet. Kjo duhet të fillojë me marrjen e njohurive për rreziqet që fëmijët mund të hasin gjatë qëndrimit online. Pra, prindërit duhet të jenë të mirëinformuar. Më tej, ata duhet t’i përgatisin fëmijët e tyre për internetin e sigurt, në mënyrë që të parandalojnë çdo problem që mund të lindë. Prindërit duhet të komunikojnë hapur me fëmijët për përdorimin e internetit. Prindërit dhe fëmijët, së bashku, duhet të krijojnë një listë të rregullave për përdorim të internetit, e cila duhet të përmbajë rregullat për kohën dhe vendin ku fëmijët munden ta përdorin internetin. 

Meqë fëmijët e përdorin më së shumti internetin në shtëpi, prindërit duhet të luajnë një rol kyç për të ndihmuar fëmijët kur ata hasin në ndonjë rrezik. Prindërit duhet t’i bindin fëmijët se monitorimi nga prindërit është në dobi të tyre dhe se në rast se fëmijët hasin diçka që i shqetëson në internet, duhet t’i lajmërojnë menjëherë. Prindërit duhet t’I monitorojnë fëmijët e tyre se sa gjatë qëndrojnë në internet, me kë bisedojnë, të mos lejojnë që fëmijët të përdorin telefonin në orët e vona të natës dhe t’i udhëzojnë fëmijët që të mos lënë takime me persona që nuk i njohin mirë.

Prindërit duhet të përfshihen aktivisht në edukimin e fëmijëve në moshë sa më të hershme për rreziqet e përdorimit të internetit, duke i udhëzuar hap pas hapi fëmijët për ta përdorur internetin në mënyrë të përgjegjshme. 


Të dashur prindër! Mbajeni kompjuterin në vend të sigurt dhe të dukshëm, komunikoni hapur dhe rregullisht me fëmijët tuaj, shpjegoni rregullat dhe udhëzimet për përdorimin e internetit dhe vendosni bashkë me fëmijët rregullat e përdorimit të internetit. Edukojini fëmijët tuaj për kohën që duhet të kalojnë, materialet që mund të shohin dhe si të sillen kur hasin gjëra të papërshtatshme! Flisni hapur me fëmijët tuaj para se ata t’jua kërkojnë këtë gjë!  



(Lediona Braho për Portalin Shkollor)

7,889 Lexime
5 vjet më parë