Psikologji

Përse gënjejnë fëmijët? Si duhet të reagojnë mësuesit dhe prindërit?

Faktori kryesor, që lidhet direkt me gënjeshtrën është frika. Duhen shmangur reagimet impulsive si nga prindërit ashtu edhe nga mësuesit. Sidomos nxënësit e vegjël frikësohen më shpejt dhe si rrjedhojë edhe vënia përpara përgjegjësisë me insistim i bën ata të gënjejnë.

Ndodh shpesh që të gjendemi përpara një gënjeshtre. Nuk mendoj që ka ndonjë që nuk ka thënë qoftë edhe një gënjeshtër në jetën e vet.


Sa herë i kemi gënjyer fëmijët tanë me dashje ose pa dashje? Edhe për të shmangur një përgjegjësi, ose edhe për të justifikuar një veprim shpesh gënjejmë. 


Me fëmijët ndodh ndryshe. Nëse ne të rriturit jemi të vetëdijshëm për veprimet tona, fëmijët gënjejnë pa e menduar shumë dhe pa i marrë parasysh pasojat. Faktori kryesor, që lidhet direkt me gënjeshtrën është frika. Frika e madhe nga ndëshkimi, bën që një fëmijë të gënjejë për një gabim, për një notë, për një sjellje jo të hijshme kundrejt dikujt, ose edhe kur i merr shokut apo shoqes një mjet dhe nuk ja thotë. 


Të gjitha reagimet impulsive, që bëjmë ne të rriturit kundrejt gabimeve të fëmijëve, i bën ata që nga ndjenja e frikës të gënjejnë. Nëse nuk kanë mësuar, ose nëse nuk kanë bërë detyrat, fëmijët gjithmonë përpiqen të gjejnë një justifikim për të shpëtuar nga nota negative. 


Personalisht ua bëj të qartë nxënësve që në fillim, që vlerësoj shumë sinqeritetin kur u mungon diçka në orën e mësimit dhe nuk e tradhtoj besimin e tyre. Preferoj më mirë të kem besueshmërinë reciproke në themel të marrëdhënieve me nxënësit. Kjo është shumë e rëndësishme për mua si mësuese. 


Duhen shmangur reagimet impulsive si nga prindërit ashtu edhe nga mësuesit.

Sidomos nxënësit e vegjël frikësohen më shpejt dhe si rrjedhojë edhe vënia përpara përgjegjësisë me insistim i bën ata të gënjejnë. Gjithmonë frika bën, që njeriu të dalë nga vetja. Nga frika e gjykimit ose e reagimit të dikujt dhe shmangia e këtij reagimi, bën që të dalë në skenë gënjeshtra. 


Frika e madhe bën që fëmija të gënjejë dhe për momentin të shpëtojë nga ndëshkimet dhe breshëria e fjalëve që do të derdhen lumë mbi të. 


Akoma më keq dhuna fizike, që një fëmijë nuk e përballon dot emocionalisht, ashtu si edhe dhunën psikologjike. Sa më shumë trysni të ushtrojmë mbi ta, aq më shumë gënjeshtra do dëgjojmë prej tyre. Duhet të ruajmë gjakftohtësinë dhe t’i bindim fëmijët që jemi aty pranë jo për t’i gjykuar, por për t’i mbështetur dhe për t’i udhëzuar. Nëse do jemi gjithmonë përpara tyre duke i drejtuar gishtin tregues si një shigjetë, atëherë edhe vendimi i tyre për të thënë të vërtetën është lëkundur. Sa më shumë të jemi duke i diktuar rregulla, ose duke i vendosur ata në qoshe, aq më shumë jemi duke tradhtuar besimin e tyre për të thënë të vërtetën. Shpeshherë duhet të jemi në rolin e një dëgjuesi dhe të një shoku, sesa në rolin e një prindi apo të një mësuesi. 


Përse fëmijët më shumë u besojnë moshatarëve të tyre, sesa prindërve? 


Sepse shokët dhe shoqet nuk i gjykojnë, sepse dhe nuk janë në gjendje të dallojnë kufirin që e ndan të mirën nga e keqja. Në përputhje edhe me moshën i kanë mendimet e njëjta. Kjo bën që ata mos të jenë të kthjellët në mendimet e tyre. Ndryshon puna me prindërit. Fëmijët stepen shumë herë për të thënë të vërtetën nga frika e reagimit të prindit ose të mësuesit. Ndodh që edhe njëri prind të gënjejë prindin tjetër, duke bërë pjesë të gënjeshtrës edhe fëmijën. Ky veprim e legjitimon gënjeshtrën në sytë e fëmijës, i duket normale dhe i jep shkas të përdorë gënjeshtrën për të dalë nga një situatë e caktuar. Ka ndodhur që kanë luajtur brenda në shtëpi dhe padashje kanë thyer një vazo apo një objekt. Nga frika e kanë fshehur dhe nuk kanë treguar të vërtetën. 


Më ka mbetur në mendje një episod me dy djemtë e një mikes sime. Ata gjatë ditës ishin vetëm, sepse të dy prindërit i mblidhte në shtëpi darka, për shkak të biznesit. 


Duke qenë vetëm, të dy djemtë e vegjël shpiknin lloj-lloj lojërash, që të kalonin kohën brenda katër mureve të shtëpisë. Një ditë morën topin dhe filluan të luanin futboll në dhomën e tyre. Papritur topin e hodhën te lampadari lart dhe e thyen. Të dy djemtë u frikësuan shumë dhe dolën me vrap nëpër dyqane për të blerë lampadarin, por koha nuk i premtonte dhe u kthyen në shtëpi duarbosh. Nga frika e ndëshkimit, morën qese(letër) me ngjyrë dhe me shumë siklet e vendosën te vendi ku kishte qenë lampadari. Ky marifet u bëri punë për pak kohë, deri sa mamaja, shoqja ime, e vuri re pas disa ditësh dhe ata u gjendën përpara përgjegjësisë. 

Ndodhi të tilla ka dhe secili nga ne ka përjetuar situata të ndryshme me fëmijët dhe me nxënësit ose me dikë tjetër. Pra frika më e madhe është frika e ndëshkimit te fëmijët, sesa frika e dëmit që mund të kenë bërë, sepse nuk kanë edhe pjekurinë e duhur për ta gjykuar deri në këtë pikë. Por frika e ndëshkimit verbal ose fizik i bën ata, që të sajojnë gënjeshtra apo edhe të gjejnë rrugë alternative, për të mbuluar gabimet që kryejnë. 



Nga Iriana H. Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,286 Lexime
1 vit më parë