Ndihma ndaj fëmijëve

Përgatitja ditore e nxënësve dhe ndihma që i nevojitet

Nëse një fëmijë sidomos në vitet e para të shkollës ka nevojë për ndihmën e prindërve më shumë se kurrë, nuk mund ta lesh të lirë. Problemi qëndron te ne si prindër dhe si mësues që duhet t’u mësojmë fëmijëve rrugën e drejtë për t’u përgatitur. Këshilla nga Iriana Papamihali.

Kur i kemi fëmijët e vegjël presim me padurim të na rriten, kur na rriten atëherë kuptojmë shumë për fëmijërinë e tyre.

Harrojmë që edhe kur rriten ata janë përsëri fëmijët tanë dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë shpirtërore. 


Liria e të vepruarit


Shpesh dëgjoj fjalinë: lerini fëmijët të lirë të bëjnë çfarë të duan. “Liria” varet se në çfarë këndvështrimi e sheh. Fëmijët duhet të luajnë e të jenë të lirë edhe të vrapojnë edhe të bëhen pis me rërë, të kenë liri për të shprehur energjitë e moshës nëpërmjet lojrave, lirinë që të shprehin mendimin e vet. Sipas meje, fëmijët duhet të jenë të lire, të jetojnë sipas moshës që kanë. Duhet patur kujdes me lirinë e tepërt dhe me lirinë e munguar. Ekstremitetet asnjëherë nuk janë të mira, duhet tolerancë midis tyre. 


Prindërit përpara përgjegjësive


Ka prindër që e marrin si të mirëqenë këtë fjali, duke hequr përgjegjësitë që kanë ndaj fëmijëve në përgatitjen e tyre ditore. Pas ditës së gjatë e të lodhshme që kanë prindërit e kuptoj që shumica nuk kanë durimin e duhur që të merren me përgatitjen e fëmijëve të tyre. Thjesht i pyesin: -A i bëre mësimet për nesër? Mjaftohen vetëm me përgjigjen e fëmijës: Po. 

Sado besim të kemi te fëmija ynë, dhe mirë bëjmë që kemi, ka situata të caktuara të përsëritura prej të cilave fëmijët përfitojnë. Ne të rriturit nuk kemi pse e lemë përgjegjësinë në dorë të fëmijëve. Apo e kemi më të lehtë për të pasur ndërgjegjen e qetë? Për të justifikuar veten? Mendoj që fëmijët sidomos kur janë të vegjël për shumë situata nuk i bëj me faj aspak. Fëmijët nuk kanë faj nëse u mbaron fletorja, nëse harxhohen ngjyrat, nëse mbeten pa laps dhe stilolaps, etj. Në këtë rast përsonalisht nuk i ve fajin fëmijëve. Prindi duhet ta mësojë fëmijën, që pasi të mbarojë mësimet dhe detyrat të bëjë çantën gati për të nesërmen dhe jo ta lerë për një moment tjetër. Në këtë mënyrë fëmija sheh orarin dhe bën gati cantën për ditën që vjen. Nuk ka pse t’i mbajë librat dhe mjetet që nuk i duhen me vete në klasë.


Si t’i ndihmojmë fëmijët tanë?


Nëse një fëmijë sidomos në vitet e para të shkollës ka nevojë për ndihmën e prindërve më shumë se kurrë, nuk mund ta lesh të lirë. Problemi qëndron te ne si prindër dhe si mësues që duhet t’u mësojmë fëmijëve rrugën e drejtë për t’u përgatitur. Nuk mund ta lesh fëmijën vetëm që të bëjë detyrat dhe pasi gabon edhe mund t’ia grisësh fletën dhe mbi fletën rrjedhin edhe lotët. Në këtë rast fëmija do të mërzitet dhe nuk do ketë dëshirë të vazhdojë. Atëherë përpara se t’ia grisim fletën me gabime, duhet që në hapat e para të fillimit të detyrave ne t’u mësojmë atyre të punojnë me një rregull të caktuar. Më e mira do të ishte që nxënësit të kishin një bllok të vogël shënimesh që të shkruanin porositë dhe detyrat. 

Nuk mund ta kuptoj se si mund të bëhen detyrat e matematikës, pa patur një fletë përpara që të bëhen veprimet ose të hidhen të dhënat e problemave. Ndodh edhe që të bëhen detyrat dhe pastaj mësohet mësimi, gjë që është e gabuar. 

Nëse e lemë të lirë fëmijën ai nuk do dijë, të fillojë përpara deryrat, apo të mësojë mësimin e ditës. Ndihma e prindërve është vendimtare në këto raste. Nëse gabojnë duhet me takt t’u bëjmë vërejtje dhe më shumë se sa vërejtje, duhet t’u japim atyre kurajë. Vetëm kështu do të kenë dëshirë të vazhdojnë përpara. Edhe pse ndonjëherë kanë të drejtë nga puna e lodhshme e kopjimit të detyrave që janë bërë njëherë në klasë dhe duhen kopjuar edhe njëherë në shtëpi.


Metodat e të nxënit


Shumica e nxënësve kanë mënyra të ndryshme për ta përthithur mësimin, dikush e lexon me mendje, dikush me zë të lartë, dikush e shkruan, etj. Ka nga ata që përqendrohen më mirë gjatë leximit dhe si rrjedhojë edhe e mësojnë më shpejt, ka nga ata që nuk kanë durim ose vëmendjen e duhur dhe e harrojnë shpejt tekstin e lexuar, si rrjedhojë mendojnë se po ta mësojnë përmendësh nuk do ta harrojnë më. Ndonjëherë edhe mund ta mësojnë përmendësh një poezi, një paragraf, kur dramatizojnë një pjesë etj. Nëse i referohemi lëndës së historisë aty ka aq shumë data sa nxënësi duhet t’i mësojë përmendësh, që t’i memorizojë. 


Metodat e të mësuarit


Ka tekste që disa tema i kanë të ngjeshura se ashtu është vetë lënda, kanë volum. Këtu duhet roli i prindit që ta drejtojë fëmijën dhe ta udhëzojë se si të nxjerrë një përmbledhje të atij mësimi të gjatë, sepse nuk mund të pretendohet që nxënësi ta mësojë përmendësh. 

Ne duhet t’u japim fëmijëve shembuj praktikë të të mësuarit me logjikë dhe jo përmendësh. Mos mendoni që ju të mbani librin në dorë dhe fëmija t’ua thotë mësimin me një frymë, është rruga e drejtë. Ju mbajeni librin përpara, por bëjini pyetje kostruktive në mënyrë që fëmija të aftësohet edhe në të shprehur dhe të ketë në mendje një përmbledhje të pikave kryesore të mësimit. Është shumë e rëndësishme që fëmija të ketë një metodë pune që t’i japë rezultatet e duhura gjatë procesit mësimor. Në këtë pikë edhe mësuesit janë një hallkë shumë e rëndësishme e përgatitjes së nxënësve në klasë, duke i treguar rrugën e duhur të përgatijes ditore në klasë dhe në shtëpi. 

Mos e kurseni ndihmën kur ju kërkohet, tregoni pak durim edhe pse jeni të lodhur. E ardhmja është në duart e fëmijëve tanë. Nëse përpiqemi të gjithë bashkë si në shkollë edhe në shtëpi, atëherë puna do thjeshtohej dhe vështirësitë do veniteshin pak e nga pak. Liria nuk qëndron në faktin të bëjë fëmija si të dojë, liria qëndron në themelin e dijeve, ku fëmijët tanë më vonë të dinë si të jenë të lirë. 


 

Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,359 Lexime
2 vjet më parë