Familja

Për pushime të paharruara me fëmijët në plazh

Teksa mund t’i keni mbyllur të gjitha angazhimet e fundit me shkollën, kjo tani është periudha e pushimeve të vërteta. Fëmijët janë më të paduruarit për të kaluar disa ditë pushimi në plazh. Por nëse do të merrni në konsideratë këto këshilla, atëherë pushimet tuaja me të vegjlit nuk do të kthehen në stres.

Mund të themi se deti është një parajsë e vërtetë jo vetëm për ne të rriturit, por edhe për fëmijët! Për të organizuar pushime të paharruara në plazh me ta, duhet të përqendroheni në aktivitetet e mundshme që mund të zhvillohen në vendin që do zgjidhni për të kaluar pushimet, pa harruar këshillat e dobishme që i ndihmojnë familjet t’i përjetojnë sa më mirë ato ditë. Këto janë këshilla të cilat mund të garantojnë një çlodhje për të gjithë familjen dhe argëtim pafund. 


1. Fëmijët nuk janë të gjithë të ngjashëm dhe çdo moshë kërkon vëmendje specifike. Nëse do të shkoni me pushime me të sapolindurin tuaj, apo me një bebe, atëherë duhet të keni parasysh që zhvillimi i aftësisë motorike, në kontakt me natyrën dhe ajrin e pastër është gjëja më thelbësore. 


2. Nëse do të niseni në një destinacion ekzotik (nëse ndodh të hapen kufijtë ajrorë prej COVID-19), duhet t'i kushtoni vëmendje të veçantë referencave të vaksinave që u keni bërë fëmijëve tuaj (poliomielitit, difterisë dhe tetanozit) dhe gjithmonë mbani kartën e shëndetit me vete.


3. Është mirë që të vegjlit të ndjekin të njëjtin regjim ushqimor edhe gjatë pushimeve: shumë e rëndësishme që të zgjidhni gjithmonë restorante ku shërbehen ushqime të shëndetshme, qoftë ushqime të ëmbla ashtu edhe të kripura; ose në rast se do të gatuani vetë për fëmijët tuaj, atëherë kujdesuni që të blini produkte të freskëta dhe t’i gatuani ato në moment. 


4. Fëmijët duhet të pushojnë si më parë: gjatë pushimeve është normale që disa zakone të pësojnë ndryshime dhe nëse kjo nuk krijon ndonjë problem për të rriturit, paraqet një “trazirë” për fëmijët. Ruajtja e rregullsisë në vakte dhe gjumë, sigurisht që do t'i ndihmojë ata të jenë më të urtë dhe më të qetë.

 

5. Të zhvilloni fantazinë e fëmijëve gjatë pushimeve në plazh është një gjë më e lehtë. Ju do të mund të keni më shumë kohë të lirë për t’i lexuar përralla ose histori magjike fëmijëve tuaj; po kështu do të keni më shumë kohë të dëgjoni bashkë me ta muzikë relaksuese. Kontakti me një ambient të ri për fëmijët është një kënaqësi më vete, ndërkohë që kjo gjë do të stimulojë tek ata aftësinë për të mësuar dhe për të kuptuar botën rreth tyre. 


6. Mundohuni të zgjidhni planin e duhur të aktiviteteve gjatë ditës; edhe të moshuarit mund të përfshihen për të luajtur me fëmijët duke pikturuar ose duke krijuar kolazhe të ndryshme: të luajturit me ngjyrat dhe format është diçka e parezistueshme për fëmijët. Gjithashtu edhe krijimi i një i mini-herbariumi do t'i ndihmojë fëmijët të njihen me natyrën përreth, duke rritur ndërgjegjësimin e tyre për të respektuar mjedisin.


7. Shfaqjet me maska ose me kukulla qesharake mund të jenë një kujtim tjetër i paharrueshëm i pushimeve në plazh me fëmijët! Një mënyrë kjo për t’i argëtuar ata dhe për t’i çliruar imagjinatën. 


8. Pushimet janë gjithmonë një rast i mirë për t’i socializuar, apo thënë ndryshe, për t’i bërë më të  shoqërueshëm fëmijët tuaj. Në plazh ata mund të krijojnë miqësitë e para: lojërat e organizuar në skuadër janë një ide e mirë për momente argëtuese, por që ndikojnë edhe në rritjen dhe bashkëveprimin e fëmijëve me të tjerët. Këto lloj lojërash stimulojnë të menduarit dhe inteligjencën. 

 

9. Gjatë mbrëmjes pantonimat ose filmat, pavarësisht moshës së fëmijëve, janë të rëndësishëm për pushimet në familje: shfaqjet e ndryshme, lojërat me imitime dhe filmat do të mund t’ju bëjnë të kaloni mbrëmje plotë të qeshura dhe mjaft të bukura nën shoqërinë e njëri-tjetrit. 


10. Sporti është i dobishëm dhe i shëndetshëm që në moshë të re dhe pushimet janë një rast i mirë për të zhvilluar ndoshta çdo lloj të tij. Fëmijët me siguri do të jenë më të kënaqur nëse do të bëjnë në plazh aktivitete të ndryshme sportive, për shembull, ju mund të sajoni ndonjë vend që ata të luajnë tenis, të kërcejnë ose të bëjnë ushtrime si në palestër. 



Përktheu N. Allkja Biçaku

Burimi: ClubMed Magazine 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,678 Lexime
4 vjet më parë