Për mësuesit, për ne!
Frymëzimi quhet Mësues dhe unë e barazoj mësuesin me fluturën. Flutura ka krahë, i sheh gjërat nga lart, kontrollon, vigjëlon, i mbyll krahët, ulet mbi lule, e bën me butësi, me ngjyra, dhe i flet asaj. E të dyja duken bukur bashkë, sepse kanë një qëllim.
– Fatjon, më trego një histori të bukur.
– Çfarë historie zysh?
– Një histori që të ka frymëzuar, që ka një mesazh pozitiv, që të ka dhënë forcë! Ma trego.
– Por kemi matematikë tani…
– Mirë, më trego një numër që të frymëzon, pse të frymëzon, pse e sheh veten të lidhur me këtë numër?
– Zysh, po kemi gjeografi…
– Mirë, më thuaj vendin më të bukur që të pëlqen ty. Ke shkuar apo do shkosh? Më thuaj me kë do të shkosh, çfarë do provosh dhe pse të pëlqen?
* * *
Jam e sigurt, nëse të gjithë ne zgjohemi nesër në mëngjes, shkojmë në klasë dhe japim këtë detyrë, nesër do të ndryshojmë ditën e përbashkët, do të ndryshojmë këndvështrimin për shkollën, do të ndryshojmë ajrin në klasa, sepse ju do trokitni në zemrën e çdo fëmije. Do jepni një mesazh të thjeshtë, por shumë të padukshëm në ditët e sotme; që kujdeseni. Kujdeseni për çdo nxënës, kujdeseni me vetëdije të plotë dhe me idenë se zemra dhe mendja e çdo fëmije është gjëja më e shtrenjtë që ju keni në ato pesë orë, brenda mureve të shkollës.
Kjo është shkolla.
Ky është mësuesi në sytë e mi. E këtë e them si nënë, si qytetare, si qënie njerëzore që bashkëjeton me tre milionë banorë të tjerë në një mjedis të vrazhdë si ky i yni, shpëtimi prej të cilit varet pafund nga ju, nga çdo mësues që gjendet në këtë sallë apo jashtë saj.
A frymëzojmë nëpër shkolla? A ndikojmë nëpër shkolla? A zgjojmë mendjet e fëmijëve? E më kryesorja a i edukojmë me vetëbesim këta nxënës, të cilët i kemi të grumbulluar në një mjedis ndoshta pa suva dhe pa ngrohje, por me potencial të pallogaritshëm në të ardhmen e secilit prej tyre dhe të vendit vetë.
A frymëzojmë pra? Kam dyshim që jo.
Ato që unë dëgjoj në shumicën e rasteve, janë teori, tekste pa mbarim, e folur me leje, zhurmë që duhet të pushojë, detyra që nuk motivojnë etj.
A është kjo shkolla? Them se jo.
Unë nuk do të doja një robot me nota të mira. Unë do të doja një njeri që ka aftësinë të krijojë, të rrëfehet, të ndjehet mirë, të shpresojë, të ketë hapësirë të argëtohet dhe të mësojë, sepse përballë ka njërin prej jush që e frymëzon dhe e motivon për të ecur përpara, e jo për t’u ndrydhur në një karrige dërrase, kruspull në bankë, e kruspull në shpirt.
Frymëzimi quhet Mësues dhe unë e barazoj mësuesin me fluturën. Flutura ka krahë, i sheh gjërat nga lart, kontrollon, vigjëlon, i mbyll krahët, ulet mbi lule, e bën me butësi, me ngjyra, dhe i flet asaj. E të dyja duken bukur bashkë, sepse kanë një qëllim.
Sa mësues duken bukur me nxënësit? Mendojeni…
Unë e di se nuk jeni të paguar sa duhet, e di se secili ka probleme të shumë formave në shtëpi – siç i kemi të gjithë – por dashuria për të nxitur vetëbesimin tek të rinjtë, dëshira për t’i parë të qetë dhe të lirë, që kur të shohin mësuesin, mos të shohin kafaz por një oazë të bukur mirësie, nuk besoj se lidhet me pagesën. Është e brendshme. Është zgjedhje. Do energji, por nëse zgjedhim ta bëjmë, është shumë e lehtë, do të jetë e natyrshme dhe kënaqësia që merret nga fëmija është shumë më e madhe dhe nuk ka lidhje me paranë. Fëmija ta kthen mundin shpejt.
Të mos harrojmë, për një pjesë të madhe, për ata që vijnë nga familje të mangëta e të boshatisura, për një fëmi, ju jeni gjithçka ka.
Kjo është shtëpia ime. Ftova shokët e tim biri për darkë dhe organizuam dy orë zhvillimi personal, për të folur e dëgjuar se çfarë pëlqejnë e çfarë nuk pëlqejnë të vetja, cilat janë ëndrrat dhe çfarë i frymëzon e çfarë i motivon. Kanë shkruar, kanë folur, kanë qeshur dhe janë përlotur… Rezultati ishte fantastik. Unë thjesht i nxita dhe u kujdesa që çdo njeri aty të kishte rëndësinë e tim biri. Sepse fëmijët janë të gjithë njësoj dhe nuk i ndan asnjë gjë, deri sa djemtë bëhen burra dhe vajzat bëhen gra, e secili shkon në rrugën që i përket.
Unë ju nxis të gjeni një ide sot. Një ide që nuk ka lidhje me librin, oraret, realizimin e planeve, kurrikulat, politikën, çekanet e përditshme, që po rrahin me forcë gjithçka, përveç se një gjëje: nuk po rrahin zemrën e fëmijëve që na mbushin shkollat sot. Nëse e gjeni, do ta keni të lehtë sepse do të mbaheni fort te ajo, do t’ju japë optimizëm, do fitoni mbi rutinën dhe do të jetë shtysë e fortë për rezultate konkrete.
Një ide mund të jetë: Nesër do përpiqem që të motivoj nxënësit në klasë nën temën “Cila është shpresa ime?”
Një ide tjetër mund të jetë: Nesër nuk do të kritikoj asnjë. Nesër vetëm do të nxis. Nxitja prodhon kurajo. Kurajo prodhon entuziazëm. Entuziazmi prodhon vrull. Vrulli prodhon liri dhe ndjesi të mirë bashkëpunimi.
E në fund të ditës do kemi 200 ide. Është një hap shumë i madh për të dhënë leksion apo shembull mirëqënieje te çdo nxënës, qoftë edhe te vetja. Do hapni një derë pa dryn, dera pa dryn është luks i madh. Quhet e hapur, ju duhet vetëm ta shtyni.
Siç e shtyu Mësuese Gjylo… Mësuese Gjylo ka patur një fëmi në shkollën nëntëvjeçare që nuk fliste. Prindërit e kishin dërguar në shumë doktorë, por pa rezultat. Mësuese Gjylo e mori shumë për zemër rastin në fjalë. Mblodhi klasën dhe drejtoi çdo nxënës, që të mos shfaqte as habi, as përçmim, asnjë shenjë që mund ta vinte në siklet vajzën që nuk fliste.
Do jepnin shumë dashuri dhe ndjeshmëri. Pas tre vitesh, në një orë letërsie, Mësuese Gjylo kishte dhënë një poezi të mësohej përmendësh nga klasa. Thirrjes për vullnetar recitimi, iu përgjigj një krah i bardhë dhe i hollë. Vajza që nuk fliste që fëmi, filloi ta thoshte… ngadalë, me pak belbëzim, por nuk pipëtiu njeri derisa e mbaroi, dhe klasa shpërtheu në duartrokitje. Mësuese Gjylo me gjithë nxënësit e saj dolën mbi mjekësinë, sepse kujdesi dhe dashuria – sidomos te fëmijët – hyn dhe vepron në skutat më të errëta.
Duhet të ndezim një dritë në shkolla, ose duhet të ndezim një zjarr. Sepse është e rëndësishme të kuptohet se nuk edukohet vetëm mendja, por edhe zemra dhe kjo është më kryesorja. Ju edukoni 20 për qind të popullsisë, që nesër do të jetë 100 për qind e ardhmja.
Na duhen të gjithë me nota të mira? Jo. Na duhen qytetarë që vetëbesojnë, që krijojnë, që flasin të lirë, që shpresojnë e që ndjehen të vlefshëm, sepse ju i keni mësuar të jenë të atillë.
Nga Arlinda Çausholli
(Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Mbi rritjen e dhunës në shkolla...