Orientime se si të punoni dhe ndihmoni nxënësit me çrregullime të të shkruarit
Nëse fëmija apo nxënësi juaj ka vështirësi të mëdha për të shkruar shkronjat, për të shqiptuar fjalët saktë, për të lexuar shkrimin e dorës, problemi mund të jetë ‘disgrafia’,një aftësi e veçantë e të mësuarit që ndikon në aftësitë motorike fine, veçanërisht në shkrim. Filloni t’i praktikoni këto këshilla.
Nisja e klasës së parë është një nga momentet më të bukura dhe një hap i rëndësishëm në jetën e të gjithë fëmijëve. Por jo për të gjithë fëmijët ky fillim është njësoj. Ata hasin vështirësi të shumta, jo vetëm se përballen me një mjedis të ri, me shokë e shoqe të reja, por hasin dhe vështirësi në mësimin e shkronjave, numrave, të lexuarit, të shkruarit etj.
Këto vështirësi bëhen edhe më të theksuara kur vijnë për shkak të një çrregullimi në të nxënë ose në të shkruar. Një ndër këto çrregullime është disgrafia, e cila kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë, sidomos nga mësuesit. Në radhë të parë ata duhet ta njohin këtë problematikë e pastaj ta ndihmojnë nxënësin me vështirësinë që has.
Çfarë është disgrafia?
Disgrafia është gjendje e cila shkakton probleme në të shprehurit me shkrim. Disgrafia nuk është rezultat i mungesës intelektuale, instruksioneve joadekuate ose përtacisë, por ajo është rezultat i ndryshueshmërisë së trurit gjatë përpunimit të informatave.
Disgrafia është një aftësi e kufizuar e transkriptimit, që do të thotë se është një çrregullim shkrimor që shoqërohet me shkrim dore të dëmtuar, kodim ortografik dhe sekuencat e gishtave (lëvizja e muskujve të kërkuar për të shkruar).
Disgrafia është një problem i shkaktuar nga truri dhe nuk vjen si rezultat i fëmijës i cili mund të jetë përtac. Edhe pse një numër i madh i njerëzve kanë shkrim të keq, disgrafia është një çrregullim më serioz.
Në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-IV), disgrafia karakterizohet si një aftësi e kufizuar e të mësuarit në kategorinë e shprehjes me shkrim kur shkathtësia e shkrimit është më e ulët se ato që priten duke pasur parasysh moshën e një personi të matur përmes inteligjencës dhe arsimit të përshtatshëm për moshën.
Për shumë fëmijë të diagnostikuar me disgrafi, mbajtja e lapsit apo radhitja e shkronjave në vijë të fletores është e vështirë. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë probleme me germëzim dhe shprehjen e mendimeve në letër.
Kjo mund të arrihet vetëm duke ndjekur një sërë teknikash dhe strategjish, që i përgjigjen nevojës së fëmijës.
Këto janë:
1. Mjedisi pozitiv luan rolin kryesor në zhvillimin e fëmijës. Ata ndjehen më të inkurajuar dhe më të kënaqur kur mësojnë në një mjedis pozitiv dhe me një klimë pozitive brenda klasës. Nuk dekurajohen kur gabojmë dhe janë të gatshëm të provojnë përsëri, sepse shkrimi është një aftësi e tillë. Prandaj, është shumë e nevojshme që mësuesit, të krijojnë një mjedis pozitiv brenda klasës dhe bashkëpunim e mbështetje të fortë nga shokët e shoqet e klasës.
2. Zhvillimi i aktivitete të vizatimit dhe pikturës, ku bëjnë pjesë vizatimi i lirë, ngjyrosja e figurave, bashkimi i pikave etj. Ku më e rëndësishmja në to është mbajtja saktë e lapsit. Ata kanë preference për lapsa të ndryshëm dhe me ngjyra të ndryshme, por duhet të sigurohemi, që kanë lapsa të një cilësie të mirë. Ata i ndihmojnë të praktikojnë shkrimin e tyre.
3. Lapsi duhet të jetë prej materiali plumb i mirë dhe i shkurtër, jo më i gjatë se 6 cm dhe i trashë. Ai vendoset ndërmjet gishtit të madh dhe tregues, ndërsa gishti i tretë vendoset nën to.
4. Gjithashtu për tu mësuar me përdorimin e tij dhe për të forcuar motorrikën fine, lapsi mund të përdoret me një material ndihmës (doreza), e cila i mban gishtat e mbyllura dhe ndihmon të shkruash saktë.
5. Letër grafiku është një material i mirë, që ata mund të përdorin për të shkruar, sidomos në lëndën e matematikës. Vijat në letrën grafike ndihmojnë për të mbajtur drejt kolonat dhe i ndihmon fëmijët për t’u përqendruar.
6. Dërrasa ose bordi i bardhë (whiteboard), ku fëmija mund të shkruajë ose vizatojë me shkronja të mëdha ose figura të ndryshme, të cilat e ndihmojnë me lëvizjen e muskujve.
7. Mbajtja e dorës për ta ndihmuar fëmijën në ruajtjen e drejtimit dhe të shkruarit nga e majta në të djathë.
8. Zhvillimi i aktiviteteve skiptografike si: përgatitja e shkronjave në etiketa të vogla me material (karton ose letër) me ngjyrë dhe t’i zgjedhin për të formuar fjalën, sipas asaj të dhënë.
- Vijëzimi i numrave ose shkronjave sipas atyre të paraqitura me pika, të cilat e ndihmojnë fëmijën të praktikohet dhe të ruajë drejtimin.
- Plotësimi i shkronjave ose numrave në vendet bosh sipas fjalës ose modelit të dhënë si shembull në fillim, të cilat e ndihmojnë të praktikojë shkrimin dhe të ruajë drejtimin.
9. Zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme për nxitjen e shprehive për koordinimin sensoro-motorr të lëvizjeve të duarve e të gishtave në të shkruar, edukim psikomotorr, kontroll të qëndrimit të ekuilibruar ulur, pozicion i drejtë i trupit etj. Këto përfshijnë qëndrimin dhe këndin, duke u siguruar një tavolinë, karrige me mbështetje, që përqendrojnë drejt posturën e trupit të nxënësit. Vendosja e rregullt, në balancë e librit me faqen, fletoren dhe mjetet e punës.
10. Zhvillimi i ushtrime dhe aktivitete me shkronjat në reliev, duke i ngjyrosur dhe prerë, duke i formuar me plastelinë, duke i formuar dhe punuar me materiale të ndryshme, të cilat ndihmojnë shumë në zhvillimin e aftësive motorrike, forcimin e kontrollit dhe koordinimit.
11. Imitimi- mësuesi duhet të shkruajë ngadalë, saktë dhe me lexueshmëri, sepse nxënësi shpesh imiton atë, kur ai modelon dhe shkruan para tij.
12. Dhënia më shumë kohë nxënësit për kryerjen e detyrave, sepse për shkak të vështirësisë, ai punon më ngadalë.
13. Leximi është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar të shkruarit. Sa më shumë të lexojnë nxënësit aq më shumë do të familjarizohen me fjalët, me mënyrat e të shprehurit, me llojet e teksteve etj. E sidomos leximi me zë të lartë, sepse kombinimi i të parit, të lexuarit dhe të dëgjuarit ndihmon shumë në memorizimin e asaj, që ata kanë lexuar.
Nëse doni të ndihmoni nxënësin tuaj, atëherë filloni t’i praktikoni!
Nga Mariglena Muci
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?