Të jesh mësues ndihmës

Orientime për mësuesit se si të punojnë me fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit në shkolla

Të kesh një fëmijë me ÇSA në klasë mund të jetë vërtet një sfidë, por edhe tepër përmbushëse nëse di të sigurosh mbështetjen e duhur. Më poshtë po listojmë disa mënyra sesi mund të punoni me këta fëmijë.

Çrregullimi i Spektrit të Autizmit mund të paraqesë shumë sfida në jetën e përditshme të një fëmije dhe sidomos në mënyrën sesi ata angazhohen në shkolla. Nuk ka statistika të plota lidhur me frekuentimin e shkollës së fëmijëve me ÇSA, por një numër i madh prej tyre kanë filluar të ndjekin shkollat fillore të zakonshme.


Kjo është një gjë vërtet e mirë, por shqetësues është fakti se shumë shkolla nuk janë të pajisura me mjetet e duhura, për të ofruar mbështetjen, për të cilën ata kanë nevojë. Nga ana tjetër edhe mësuesit e arsimit special nuk kanë marrë një trajnim adekuat për të mësuar fëmijët me ÇSA. Kështu, një gjendje e tillë mund tu sjellë atyre vështirësi në përfshirjen në aktivitete mësimore dhe përballimin e jetës e rutinës së përditshme. Prandaj mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për karakteristikat e vështirësitë e autizmit, si dhe si të adoptojnë metoda efektive të mësimdhënies.


Të kesh një fëmijë me ÇSA në klasë mund të jetë vërtet një sfidë, por edhe tepër përmbushëse nëse di të sigurosh mbështetjen e duhur. Më poshtë po listojmë disa mënyra sesi mund të punoni me këta fëmijë:


1. Krijoni një rutinë

Bota është shpesh një vend konfuz dhe shkakton ankth për fëmijët autikë. Kjo është arsyeja se pse ata gjejnë rehati në një rutinë të strukturuar dhe të qëndrueshme. Për fat të mirë natyra e strukturuar e shkollës është e përsosur për këtë, por ju duhet të gjeni një mënyrë për ta bërë të qartë rutinën e tyre të përditshme. Krijimi i një orari vizual është një metodë efektive dhe e përdorur gjerësisht në vendet perëndimore. Kjo përfshin vendosjen e imazheve dhe fjalive të thjeshta në një orar, sipas rendit kronologjik, për të përshkruar aktivitetet dhe ndryshimet në ditën e fëmijës. Gjithashtu, kjo shërben edhe si kujtesë për fëmijën dhe i jep atij një ndjenjë sigurie për atë që duhet të bëjë.


2. Kujdesuni të përshtatni mjedisin e klasës

Shumë fëmijë me autizëm përjetojnë atë, që njihet si ndjeshmëri shqisore. Kjo mund të bëjë që ata të kenë reagime intensive pozitive ose negative ndaj stimulit ndijor. Pra, është e rëndësishme që ta bëni mjedisin e klasës më pak dëmtues për ata. Çdo fëmijë autik është i ndryshëm, prandaj ju duhet të mësoni se cilat janë ndjeshmëritë e tyre individuale. Kështu ju duhet të vëzhgoni me kujdes sesi ata reagojnë ndaj dëgjimit të tingujve të caktuar ose ndriçimit, ngjyrave, prekjes, aromave etj. Për këtë mund t’iu ndihmojnë me shumë informacion edhe prindërit ose kujdestarët e tyre. Më pas bëni të mundur të shmagni çdo stimul që ju sjell atyre shqetësim ose ankth. Psh, nëse ata i shqetëson drita e fortë, të përdorni perde më të errëta në klasë. Ose nëse i shqetëson tingulli i ziles së shkollës, mund tu vendosni kufje 5 minuta për të larguar zhurmën. Këto duhet të keni parasysh, t’i përfshinin në rutinën e tyre, që t’ua mësoni rregullisht.


3. Përgatiteni për ndryshimet

Për shkak se rutina e një fëmijë me ÇSA është vendimtare për rehatinë e tyre, ndryshimet mund të jenë tepër ndikuese për ata. Ndryshimet e rutinave janë të pashmangshme në shkolla, por ju mund të lehtësoni ankthin e tyre duke përgatitur fëmijën paraprakisht. Psh, nëse do të ndryshoni klasën brenda një jave, çojeni fëmijën ta shikojë atë ditë më parë. Ose jepini atij fotografi që ta shohë atë më parë dhe t’i memorizohet. Një lidhje e tillë mund ta ndihmojë atë të ndihet më pak i frikësuar dhe i jep atij kohë të përshtatet mendërisht.


4. Komunikoni qartë

Edhe pse ndryshon nga personi në person, autizmi mund të ndikojë në aftësinë e një fëmijë për të komunikuar dhe interpretuar. Kjo është arsyeja se pse ju duhet të merrni parasysh të gjitha fjalët që përdorni dhe si i strukturoni fjalitë tuaja. Shmangni ndërlikimin e tyre me metafora dhe pyetje retorike. Përdorni fjali të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Psh, nëse keni nevojë që fëmija të rregullojë lapsat mos i thoni atij : “-Beni, a mund të sistemosh lapsat në kuletë dhe t’i vendosësh në çantë të lutem?”. Por thojini: “- Beni vendosi lapsat në kuletë”!( duke i treguar kuletën ku ai do t’i rendisë). Kështu ata e kanë më të lehtë të kuptojnë dhe tu përgjigjen gjesteve të thjeshta.


5. Zbuloni interesat dhe pëlqimet e tyre

Një nga gjërat e shumta, që i bën unikë fëmijët me ÇSA është mënyra sesi ata mund të formojnë interesa. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për “bregdet”, “elektronikë”, “kafshë” etj, këto interesa që ata kanë mund të shërbejnë si porta hyrëse për të mësuar. Mjafton pak kreativitet dhe përkushtim dhe ju mund të arrini të realizoni mjaft mirë detyrat me ata. P.sh, nëse interesi i tyre është “rrethi” ju mund të integroni fjalë, foto, imazhe, objekte që lidhen me ushtrimet drejtshkrimore ose të matematikës, për t’i thjeshtuar ato. Përfshirja e interesave ose pëlqimeve ndaj diçkaje, ndikon shumë në angazhimin e tyre në procesin mësimor.


6. Bashkëpunoni me prindërit dhe kujdestarët e tyre

Prindërit dhe kujdestarët luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e këtyre fëmijëve. Për ta mbështetur plotësisht fëmijën brenda dhe jashtë shkollës, ju duhet të koordinoni dhe ndani njohuritë e punën edhe me ata. Ju mund të bashkëpunoni fort për realizimin e detyrave në shkollë me ato në shtëpi. Nga kjo marrëdhënie nuk do të përfitojë vetëm fëmija, por do i ndihmojë edhe prindërit ose kujdestarët të ndihen më të qetë në lidhje me edukimin e fëmijës së tyre. Angazhimi juaj për të punuar me ata do të forcojë besimin e tyre në aftësinë e shkollës për të mbështetur fëmijën.


7. Forconi vetëbesimin tuaj

Kur mendoni se po bëni gjithçka si duhet, puna me një fëmijë me ÇSA mund të jetë ende testuese për ju! Fëmija dhe prindërit besojnë tek ju për të bërë më të mirën, prandaj është e rëndësishme të mësoni sesi të “ktheheni” nga ditët e vështira.

Shpesh kjo vjen me përvojë dhe një mendim pozitiv, që duhet të mbani gjatë gjithë kohës. Këto janë disa gjëra të thjeshta, që ju duhet t’ia përsërisni vetes suaj çdo ditë, e sidomos kur gjërat bëhen më të vështira. Krijimi i një marrëdhënie me fëmijët autikë nuk është diçka, që ndodh brenda natës. Duhet kohë, përkushtim dhe durim!


Çdo gabim, që bëni është një reagim i vlefshëm për të kuptuar se çfarë nuk funksionon. Jo gjithmonë do t’i arrini gjërat menjëherë, sepse në fund të fundit ata janë fëmijë. Kështu, duhet të kuptoni se ata po bëjnë më të mirën e mundshme në botëkuptimin e tyre me mbështetjen, që ata kanë në dispozicion. Gjithmonë duhet të dini se një sjellje problematike e tyre është pasojë e një nevoje të paplotësuar. Pasi të mësoni se cilat janë nevojat e tyre, mund të shikoni se gjërat janë më të lehta. Rezultati që do të shihni tek fëmija me punën tuaj, do të tejkalojë çdo stres apo shqetësim, që keni ndjerë në të shkuarën.


Mbështetja që ju iu jepni këtyre fëmijëve është një punë e vlefshme dhe tepër përmbushëse. Ndihma për fëmijët autikë që të angazhohen plotësisht në shkolla, jo vetëm që e bën përvojë arsimore pozitive dhe përfituese, por gjithashtu hap rrugën për një të ardhme ku ata mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,126 Lexime
3 vjet më parë