Orë model, letërsi, Klasa X
Si mund të jesh një mësues i sukseshëm në një orë letërsie? Drejtoresha e shkollës “Adem Haxhija” Postribë, Edlira Alijaj, dha një orë model ku bashkëveprojnë të gjithë elementet për të arritur një orë të suksesshme.
Zhvillimi i vrullshëm i shoqërisë së sotme, rritja e informacionit e ndihmuar nga mjetet e shumëllojshme të transmetimit e të komunikimit kanë bërë që mësimdhënia të ndryshojë nga ajo e viteve të mëparshme. Më parë mësuesi ishte burim informacioni, ndërsa sot është ai është një udhëheqës dhe organizues i mësimit, që udhëheq nxënësin për të kërkuar në mënyrë të pavarur informacionin dhe me ndihmën e tij të zgjidhë çdo problem sado i vështirë të jetë. Sot në qendër të mësimit është nxënësi. Mësuesi rregullon e përshtat interesat e nevojat e tij, në përputhje me synimet e mësimdhënies.
Kjo është një orë model e zhvilluar nga drejtorja e shkollës “Adem Haxhija” Postribë, EDLIRA ALIJAJ në kuadrin e nismës tri lëndë në gjashtë orë, për mësuesit e kësaj shkolle. Pas ndjekjes të të gjitha orëve mësimore të kësaj shkolle ajo dha një orë model se si mund të zhvillohet një orë mësimore ku të gjitha elementet bashkëveprojnë për të arritur një orë të suksesshme.
MJEDISI i mësimit paraqitet ideal, sepse u jep nxënësve mundësinë për të zbuluar letërsinë dhe shqyrtimin e situatave të reja të ngritura. Tablo të ndryshme të shkruara për Shekspirin janë përgatitur nga nxënësit e klasës.
KRIJIMI I SITUATAVE. Mësuesja paraqitet ndihmëse duke u siguruar studentëve situata ku ata duhet të kenë stimulime të ndryshme dhe shembuj më praktikë.
• ofrimi i çdo nxënësi sa më shumë vepra të ndryshme të jetë e mundur,
• nxitja e nxënësve për t'u përgjigjur në mënyrë të plotë
• inkurajimi i nxënësve për të kuptuar se pse ato/ata përgjigjen në atë mënyrë.
IMPROVIZIME TEATRALE. Mësuesja është aktore e rëndësishme në procesin e mësimit, ajo nxit nxënësit që të diskutojnë, të imagjinojnë, të lexojnë dhe analizojnë veprat e lexuara. Organizimi i aktiviteteve të ndryshme për të vënë të gjitha tekstet e mësuara në praktikë si: nëpërmjet improvizimeve teatrale, me pantonimë dhe të ofron mënyra të tjera krijuese në mënyrë që të motivojnë nxënësit dhe rrisin vlerësimin e letërsisë.
METODA. Mësuesit duhet ta bëjnë mësimin sa më krijues duke provuar metoda të ndryshme dhe nuk duhet të lejojnë që nxënësit ta ndiejnë veten të mërzitur në klasë.
NDËRVEPRIM I GJUHËS DHE I LETËRSISË. Mësuesit duhet të jenë në gjendje të përgatisin një klasë të organizuar mirë, ku ndërveprimi midis letërsisë, gjuhës do të sjellë metodën më të mirë për mësimin e gjuhës te nxënësit.
Për të ruajtur interesimin e nxënësve drejt mësimit të letërsisë dhe për të rritur aftësinë e tyre të perceptimit kritik dhe estetik, ajo jep mundësinë e praktikës, me diskutime, pyetje dhe duke mbrojtur mendimet e tyre të diskutueshme ndaj mendimeve të ndryshme në klasë. Arsyeja kryesore për të bërë këtë është që të ruajnë motivimin dhe interesin e nxënësve.
METODA DIGJITALE. Materialet dhe burimet digjitale plotësojnë dhe pasurojnë lëndën, si edhe aktivitetet që mësuesja bën gjatë orës së mësimit ose jashtë saj.
VLERAT KRIJUESE TË MËSUESIT TË LETËRSISË. Mësuesja krahas dijes shkencore profesionale që zotëron demostron edhe vlera të tjera krijuese, si frymëzim, intuitë, talent që e bëjnë personalitet qendror në drejtimin e kësaj shkolle, por edhe në klasë. Mësimdhënia e mirë është parakusht për arritje të suksesshme të të nxënies nga nxënësit. Pa këtë nivel të kënaqshëm të mësimdhënies nuk mund të thuhet se një mësimdhënës organizon dhe realizon synimet e caktuara të një ore mësimore. Formimi i vetë mësimdhënësit, bindjet e tij dhe karakteristikat e personalitetit janë elemente domethënëse, që krahas tekstit letrar përcaktojnë arritjet e kompetencave mësimore të nxënësve në këtë orë mësimore.
(Portali Shkollor)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Gjeografi, teste përmbledhëse për periudhën e parë për klasën VI, VIII, X, XII
Model testimi në lëndën gjuha shqipe, klasa e 11