Model

Orë model, lënda gjuhë shqipe, klasa e katërt

Kjo orë model është përgatitur nga mësuese Kristina Gega, e cila numëron 30 vite në arsim. Aktualisht punon në shkollën 9-vjeçare “1 Maj” në kryeqytet.

Lënda: Gjuhë shqipe

Klasa: IV

Tema mësimore: Peizazh dimri

Situata e të nxënit: Stina e dimrit

Rezultatete të nxënit sipas kompetencave kyçe

1.     Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;

2.     Kompetenca e të menduarit;

3.     Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;

4.     Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin

5.     Kompetenca personale

6.     Kompetenca qytetare

Rezultatete të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

·        Realizon një peizazh dimri sipas njohurive dhe fantazisë së tij.

·        Nxjerr në pah njohuritë dhe teknikat artistike të mësuara.

·        Punon duke bashkëvepruar në grup për realizimin e punimit.

·        Prezanton punimin e tij me poster dhe me fjalë.

·        Përcjell mesazhe në lidhje me mjedisin dhe natyrën përmes punimeve të tij.


Fjalët kyçe: peizazh dimri.

Burimet: teksti i nxënësit, përvoja të nxënësve.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare:

·        Shoqëria dhe mjedisi

·        Vendimmarrja

·        Të drejtat e njeriut

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve; punë në grup, diskutim, prezantim i punimit, stuhi truri.


Organizimi i orës së mësimit:

Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme të nxënësve; stuhi truri

Nxënësit flasin shkurtimisht për tematikën e punimit që do të realizojnë duke dhënë karakteristikat e kësaj stine në klimë, mjedis, veshje të njerëzve etj.

Në tabelë bëhet një kllaster me mendimet e nxënësve.

Më pas nxënësit plotësojnë kllasterin me fjalën dimër. 

Ndërtimi i njohurive të reja: punë në grupe

Nxënësit ndahen në grupe dhe përzgjedhin vetë një lider për grupin. Ndarja e grupeve bëhet e miksuar.

Çdo grup ka me vete një sërë materialesh dhe diskutojnë duke arritur në një konkluzion se si do të realizojnë punimin e tyre.

Pas ndarjes së detyrave mbi aplikacionet që do të realizojë secili u kërkohet nxënësve që të marrin pjesë të gjithë në realizimin e punimit.

Bëjmë vëzhgimin e punës së nxënësve dhe ndërhyjmë dhe me pyetje mbi aplikacionet, ngjyrat apo mënyrën e realizimit të tyre. Kujdesemi që çdo nxënës të jetë i përfshirë.

Nxënësit lihen të punojnë për afro 20- 25 minuta.


Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura. Diskutim

Çdo grup përzgjedh liderin ose një pjesëtar tjetër të grupit për të realizuar prezantimin e punimit duke argumentuar përzgjedhjen e ngjyrave dhe aplikacioneve.


Vlerësimi: vlerësimi do jetë motivues por më tepër do t’i mëshohet vetëvlerësimit nga nxënësit ku secili nxënës kur të gjykojë mbi punën e shokëve të argumentojë për zgjedhjen dhe vlerësimin e tij.

Kristina Gega është mësuese e arsimit fillor prej 30 vitesh dhe punon në shkollën 9-vjeçare “1 Maj” prej 19 vitesh. Në bisedat me të vihet re pasioni  dhe përkushtimi që ka për punën dhe për nxënësit e saj. Megjithëse jep mësim në klasën e katër, kurrikulën e re e njeh shumë mirë dhe ka filluar ta zbatojë aty ku është e mundur. Më poshtë na dha disa refleksione për orën e mësimit që zhvilloi në lëndën e gjuhës shqipe të cilën e integroi edhe me lëndë të tjera.

Refleksione të orës së mësimit

Kjo orë mësimi u organizua duke pasur plotësisht në qendër të procesit vetë nxënësit. Ndonëse si bazë metodike shërbeu puna me grupe, kjo nuk pati asnjë problem lidhur me qetësinë dhe harmonizimin e punës duke i bërë nxënësit të ndiheshin më të lirshëm dhe më të pavarur në punën e tyre. U vu re që secili lider jo vetëm drejtoi dhe harmonizoi shumë mirë punën në grupe por bëri të mundur përfshirjen e secilit nxënës në të.

Gjatë punës u vu re se fantazia e nxënësve u la e lirë dhe krijimet e tyre përveç subjektit për dimrin jo vetëm nuk kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dhe ishin me shumë kreativitet duke i bërë të mundur të shpalosin kështu një sërë aftësish.

Besoj se nxënësit arritën të shpalosnin nga të gjitha kompetencat si:

·        Komunikimit dhe të shprehurit sidomos gjatë prezantimit të punës së tyre.

·        Të menduarit duke argumentuar mënyrën e realizimit të punës.

·        Të nxënit duke shfrytëzuar njohuritë mbi karakteristikat e stinës së dimrit.

·        Qytetarë duke punuar e bashkëvepruar në grup.

·        Personale duke dhënë mendimet ndjesitë dhe idetë e tyre në realizimin e punës.

·        Sipërmarrjen dhe mjedisin jo vetëm në rolin e liderit, por dhe në mënyrën se si e konceptuan punën duke e lidhur me mjedisin.

Përveçse një orë mësimore për realizimin e programit në mënyrë sa më kreative dhe me në qendër nxënësit ajo ishte shumë frytdhënëse dhe argëtuese për ta.

(Portali Shkollor)

36,111 Lexime
7 vjet më parë