Shkolla në plazh

Nxënësit në Spanjë po mësojnë në “klasat” buzë detit

Spanja duket se ka gjetur një zgjidhje krejt të veçantë sa i takon arsimimit të fëmijëve në këtë kohë pandemie. Tashmë disa shkolla atje janë zhvendosur për të kryer orët mësimore buzë detit, në plazh. Fëmijët janë të gëzuar pasi ndihen të relaksuar teksa mësojnë.

A tingëllon si një ëndërr shkolla në plazh? 

Pas një viti mësimi online dhe klasave të distancuara nga shoqëria për shkak të pandemisë, një shkollë në rajonin spanjoll të Murcia të Spanjës po bën pikërisht këtë gjë, mësim buzë detit!  


Shkolla Felix Rodriguez de la Fuente nëpërmjet kësaj risie tenton të ndërthurë ajrin e pastër me një mënyrë të re të mësimdhënies. Nxënësit janë ulur në tavolina të vetme dhe me maska përpara një dërrase të zezë portative. Bankat janë vendosur mjeshtërisht në brigjet me rërë të Playa de los Nietos (Plazhi i Nipërve).


“Kjo mënyrë mësimdhënie dhe mësimnxënie është e sigurt dhe fëmijët po argëtohen", tha mësuesi Juan Francisco Martinez. “Ata nuk harrojnë atë që mësojnë këtu” shtoi ai.

Fëmijët e kësaj shkolle jo të zakontë janë të moshës 3 deri në 12 vjeç. 


Orët mësimore janë pjesë e një projekti të gjerë i njohur si “Ajri i freskët” i cili synon të sigurojë cilësi më të mirë të ajrit për fëmijët gjatë pandemisë COVID-19, ku përfshihet pra të mësuarit në ajër të hapur.


Mësuesit fillojnë t’i përgatisin këto klasa në orën 8 të mëngjesit, ndërsa 8 klasa marrin pjesë në mësimet 20 minutëshe. 


 “Mua më pëlqen shumë të shkoj në plazh!”, thotë 9-vjeçari Antonio Fernandez. “Preferoj të jem këtu në plazh duke mësuar sepse kështu ndihem më i relaksuar dhe komod”, shton ai. 

Luz, 10-vjeçari thotë: “Unë e dua plazhin, në verë gjithmonë vij këtu për të notuar çdo ditë dhe më pëlqen rëra. Por tani kjo është diçka edhe më e mirë pasi unë mësoj në plazh bashkë me shokët dhe shoqet e mija dhe kjo na pëlqen shumë”. 



“Ne në fakt nuk kemi zhvilluar thjesht dhe vetëm mësim në plazh. Ka pasur shumë raste kur nxënësit kanë parë nga afër mënyra praktike jetese. Atyre për shembull i është shpjeguar nga peshkatarët e zonës procesi i peshkimit dhe fëmijët kanë kuptuar në këtë mënyrë se nga vjen shpeshherë dreka apo darka në familjet e tyre”, ka thënë për mediat e huaja drejtori i kësaj shkolle, Alfonso Vera. 



Burimi: Reuters

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,528 Lexime
3 vjet më parë