Nxënësit dhe prindërit mësojnë nga mësuesi
“Edhe mësuesi është një individ që ka nevojë për të komunikuar ngushtë me ne dhe për të marrë një motivim që të mund të kryejë detyrën e tij me përkushtimin, ashtu siç ne ia kërkojmë ta kryejë”
Ndryshe nga vitet e tjerë, vitin shkollor 2015-2016 e nisa me një shqetësim të pashpjegueshëm. Vajza ime (klasa 7) më kishte arritur në gjatësi dhe sa herë që në familje e kishim pyetur “çfarë do të bëhesh kur tërritesh” kishim marrë vetëm një “ou” që realisht nënkuptonte “më lini rehat”. Indiferenca e saj më kishte shqetësuar edhe më parë, por parandjenja që viti që na priste do të ishte më i vështirë nuk më linte më të qetë. Por nuk ishte vetëm pikpyetja se nga se shkaktohej indiferenca e vajzës time që më ngrihej në kokë. Mosha 13-vjeçare është një moshë e rëndësishme për formimin e personalitetit dhe ajo që realisht më frikësonte dhe më frikëson ende është mënyra sesi vajza e shpenzon pjesën e kohës, të cilën familja nuk mund t’ia kontrollojë; kohën në shkollë. Është pikërisht ajo kohë, të cilën ne prindërit as nuk mund t’ia kontrollojmë fëmijës dhe as nuk mund ta menaxhojmë në vend të tij.
Me këtë letër drejtuar Portalit Shkollor, nuk dëshiroj as të ankohem, as të ngre kritika kundër dikujt. Qëllimi im i vetëm është pasqyrimi i situatës dhe një pjese të realitetit prind-shkollë, parë nga brenda familjes.
Jo vetëm ne prindërit, por besoj mbarë opinioni publik bie dakort se puna me nxënësit në shkolla është vështirësuar tepër. Në këtë pikë, ne, prindërve na shpëton dhe askush nuk kujdeset të na informojë mbi shkallën e rregullit dhe të disiplinës që egziston në përgjithësi në shkollë. Në takimet me prindërit, të cilat mendoj se nëpër shkolla, në përgjithësi, janë shumë të rralla, vihemi në dijeni (dhe kjo në mënyrë sipërfaqësore) vetëm mbi sjelljen specifike të fëmijës sonë. Por nuk na jepet informacion mbi frymën që egziston në klasë, që edhe ne të mund t’i këshillojmë fëmijët tanë sesi të reagojnë në situata të caktuara. Gjithmonë i kërkohet prindit dhe e bëjnë familjen përgjegjëse për sjelljen e fëmijës, por nuk mendoj se duhet të jetë vetëm kështu.
Pa dashur të paragjykoj përkushtimin e mësuesit në mësimdhënie dhe njohuritë e tij në rrafshin shkencor e pedagogjik, mendoj se edhe mësuesit kanë rolin e tyre të edukatorit, rol që për fat të keq, dhe e theksoj jo vetëm për “faj” të tyre, mësuesit e shkollave tona nuk e luajnë si duhet. Për shqetësimin më të vogël që shkatohet në klasë, dëgjojmë raste kur mësuesja kujdestare nxiton të marrë në telefon prindin e nxënësit protagonist, në vend që të ndërhyjë me qetësi, me opinionin e vet dhe të marrë vendimet që i takojnë. Është mëse e vërtetë që mësuesit kanë lodhjet e tyre, por mospërfshirja tërësore e mësuesve ndaj problemeve psiko-sociale të nxënësve, na e bën të pamundur ne prindërve të kuptojmë sjellje të caktuara të fëmijëve, si dhe mbi të gjitha na çorienton. Kur mësuesit nuk kanë, ose të paktën nuk komunikojnë sistematikisht se çfarë pritshmërish kanë për nxënësit e tyre, kur ne të rriturit e kemi të pamundur të kuptojmë një mësues, si mundet që nxënësit ta kuptojnë këtë mësues?
Mendoj se mësuesi tani, më shumë se kurrë, nuk duhet ta harrojë rolin e tij si “model”. Nxënësi dhe prindi mësojnë nga mësuesi, qoftë edhe nga veprimet e tij, në dukje rutinë, apo të parëndësishme. Shpesh përcillemi edhe nga reagime të mësuesve, “unë kam 30 nxënës e nuk kam kohë të merrem me të gjithë” dhe një sjellje e tillë nuk i shërben as marrëdhënieve të këtyre mësuesve me ne prindërit, por mbi të gjitha janë shprehje e një marrëdhënieje gjithnjë e më të vakët me nxënësin. Mësuesi i mirë duket te vullneti, kurajoja, dëshirat dhe aspiratat e nxënësit.
Në trekëndëshin e marrëdhënieve prind-nxënës-mësues ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë, një prej të cilëve jemi vetë ne, prindërit. Shumica jonë, si prindër, duhet të reflektojnë ndryshe dhe të mos e “dënojmë” mësuesin të jetë vetëm një vënës notash. Edhe mësuesi është një individ që ka nevojë për të komunikuar ngushtë me ne dhe për të marë një motivim që të mund të kryejë detyrën e tij me përkushtimin, ashtu siç ne ia kërkojmë ta kryejë.
Nëse ka vullnet, ka edhe një zgjidhje. Të gjithë i njohim nevojat dhe problemet e fëmijëve e nxënësve, por tani është koha që të merret në konsideratë edhe problemi kryesor i prindërve, të cilët ndihen jo mjaftueshëm të ftuar në jetën e shkollës, si dhe problemi kryesor i mësuesve, që është “vetmia” përpara derës së sfidave që u kërkohet t’i përmbushin. Nëse secila prej nevojave të komunitetit mësues-nxënës-prind do të merrej, të paktën, në konsideratë, do të ishim në rrugën e duhur të përmirësimit dhe arritjeve të aspiruara.
(A. Mihallari, prind; Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!