"Një histori suksesi pasqyra, ku dëshirojmë të shihemi çdo ditë"
"Çdo histori suksesi e çdo nxënësi ka pas një shpirt frymëzues, një orientues profesionist siç është mësuesi. Prandaj historia e suksesit të një nxënësi është një histori suksesi edhe e mësuesit përkatës"- Nga Evans Drishti.
Nga Evans Drishti
Është koha sot, që puna të vlerësohet dhe të mbështetet.
Është koha sot, që t’u referohemi shembujve dhe modeleve inspiruese dhe frymëzuese që të ushqejnë me optimizëm dhe pozitivitet.
Kujtojmë këtu:
Prindërit përpiqen ta dërgojnë fëmijën tek mësuesja më e mirë në klasën e parë.
Arsyeja?
Një pikënisje e mbarë është gjysma e suksesit në rrugëtimin e arsimit.
E për më tepër, kur edukohesh dhe arsimohesh nga mjeshtre dhe profesioniste të punës dhe edukimit, atëherë edhe shkollimi merr vlerën dhe peshën e duhur.
Me nisjen e klasës së 6-të nxënësi nuk i zgjedh mësuesit e vet, por me kalimin e kohës ai arrin të bëjë një përzgjedhje sipas mënyrës së vet:
- Mësuesi/ja më aktiv dhe më dashamirës
- Mësuesi/ja që arrij ta kuptoj qartë, bukur gjatë shpjegimit dhe bashkëbisedimit.
- Mësuesi/ja që respekton natyrën time dhe vlerat që mbart.
- Mësuesi/ja që dëgjon dhe kupton fjalën time
- Mësuesi/ja që njeh më mirë etapat e zhvillimit tim.
- Mësuesi/ja që di të më mirëpresë që në mëngjes me ardhjen në shkollë dhe hyrjen në klasë.
- Mësuesi/ja që rrezaton urtësi dhe maturi në komunikim me mua dhe të tjerët.
- Mësuesi/ja që na ofron një atmosferë plot gjallëri dhe optimizëm.
- Mësuesi/ja që na e lehtëson dhe nuk na e vështirëson procesin mësimor
- Mësuesi/ja argëtues dhe vëzhgues
- Mësuesi/ja që na e shndërron klasën në një trupë teatrore gjallëruese.
- Mësuesi/ja që na sjell risi dhe ngrohtësi çdo orë mësimore
- Mësuesi/ja që nuk e rëndon atmosferën me bullizim, por e transformon me shkathtësim.
….
Kujdes;
Këto janë vëzhgime të vetë nxënësit, i çfarëdo niveli qoftë.
Nisur nga ky zinxhir procesi, profesionalizmi i një mësimdhënësi, nuk ngelet apo kufizohet vetëm në mësimdhënie, por gjurmon në vëzhgime të hollësishme për të kuptuar preferencat dhe aftësitë e çdo nxënësi.
Dihet që:
Emëruesi i përbashkët i çdo nxënësi është përzgjedhja që do bëjë me maturimin e tij,
ose një degë universitare
ose një drejtim profesional / përzgjedhje zanati.
Është pikërisht ky profesionalizëm që do këmbëngulë në mbështetjen e plotë të nxënësit ekselent duke ushqyer frymën elitare, për rrjedhojë përfaqësuese, jo vetëm brenda institucionit, por në mbarë shoqërinë duke u bërë;
arkitekt profesionist,
inxhinier profesionist,
mjek profesionist,
ekonomist profesionist,
piktor profesionist
muzikant profesionist
arsimtar profesionist,
drejtues profesionist,
…
E nga të tillë ekselentë të dalin politikanë dhe diplomatë profesionistë, që dijnë t’u japin zgjidhje të qëndrueshme sfidave të kohës.
Janë pikërisht këta që do shënjojnë epokat e integrimit jo vetëm individual, por edhe kombëtar e ndërkombëtar.
Janë pikërisht këta që do përcjellin “historitë e tyre të suksesit”.
Prandaj kërkohen arsimtarë profesionistë që të mbështesin dhe të ndërtojnë këto histori suksesesh.
Le të sjellim në vëmendjen tonë,
Janë me dhjetëra e qindra nxënësit tanë sot, të qyteteve të ndryshme të vendit, që me angazhime të pareshtura dhe vullnet të fortë gjenden në mbarë botën në profesione të ndryshme.
Është koha sot që:
- të tilla histori suksesesh të prezantohen nëpër institucionet tona arsimore, qofshin ato 9-vjeçare apo të mesme.
- fotot e këtyre nxënësve të jenë prezente në ambientet e këtyre shkollave, në mënyrë që brezat e rinj të ushqejnë shqisat e të parit dhe të menduarit.
- institucionet arsimore të ripërtërijnë dhe forcojnë lidhjet dhe raportet e këtyre të diplomuarve, kudo të ndodhen brenda apo jashtë vendit me shkollat e tyre përkatëse,
- bazuar në kurrikulën “këshillim për karrierë” të diplomuarit të sjellin përpara të rinjve përvojat dhe historitë e tyre të suksesit.
Le të zhvillojmë dhe integrojmë,një letrar të mirë, një matematikan, një fizikan, një biolog, një kimist, një historian, një gjeograf, një piktor, një filozof, një muzikant apo një sportist të talentuar.
E ndërkohë që zhvillohet një talent i tillë, mësimdhënësit e lëndëve të tjera e kanë të detyrueshme t’i japim mbështetje dhe përkrahje duke ia lehtësuar rrugëtimin për të arritur “historinë e tij të suksesit”.
Çdo histori suksesi e çdo nxënësi ka pas një shpirt frymëzues, një orientues profesionist siç është mësuesi.Prandaj historia e suksesit të një nxënësi është një histori suksesi edhe e mësuesit përkatës.
Të tilla histori suksesesh dhe arritjesh duhen prezantuar gjithnjë nëpërmjet mediave vizive dhe të shkruara, që publiku i gjerë të njihet me ta dhe të rinjtë tanë të kuptojnë mënyrat e duhura të arritjes së këtyre niveleve.
Të tilla histori suksesesh nga ana tjetër lënë mënjanë, braktisin tutje, hedhin në greminë dhe i zhdukin në errësirën e kohës shfaqjet e pahijshme dhe nivelet e ulëta që përpiqen të nxjerrin krye me injorancat e tyre.
Drejtuesit e institucioneve mbeten përherë “busulla” orientuese dhe mbështetëse për mbarëvajtjen e të tilla proceseve duke reflektuar dhe tejçuar fjalën e duhur në kohën dhe vendin e duhur.
A nuk ka në çdo shkollë fshati apo qyteti qoftë edhe një histori të vetme suksesi?!...
Qoftë një vit i mbarë për çdo mësues dhe nxënës!
Qoftë një vit plot histori suksesesh!
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Libra të sugjeruar nga ALBAS për nxënësit e klasave fillore
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri