“Nemo në rrjetën e peshkarexhës së ndryshkur”- shkëputur nga ditari i një nxënëseje të bullizuar
Pak realitet i shkëputur nga ditari i një nxënëseje të bullizuar na bën të kuptojmë se sa vuajnë fëmijët dhe të gjithë ata persona të cilët tallen dhe dhunohen psikologjikisht nga shoqëria ku jetojmë. Ky është një shkrim reflektues për t’i thënë "JO bullizimit".
“Hey ditar, shkolla më është bërë shumë e mërzitshme, u bë kohë që ai ambient po më merr frymën. Nuk më rrihet më aty, nuk më lëvizin minutat. Kangjellat e dala boje dhe porta e madhe e shkollës më duket sikur më ftojnë në ferr. Porta e drunjtë e goditur dhunshëm nga shkelmat e adoleshentëve nga fundi dhe gati-gati e nxirë, më duket si hallka e fundit e fillimit të mundimeve. Korridori deri tek klasa më duket kaq i gjatë, kaq i pafund e me shpejtësi vrapoj që të anashkaloj ndonjë fjalë të shëmtuar që më adresohet. Si i bëhet ditar? Kam dhe muaj të tjerë përpara e se di si do t’i ngrys. Sot vërtetë jam ndjerë shumë keq, kur hyra në klasë Emma më tha së jam kaq e shëmtuar saqë dhe pasqyrës i vjen ndot kur i dal para. Veshja ime është kaq jashtë kohe dhe mode saqë me to as rrotat e makinës nuk pastrohen. Mbi të gjitha sot mu thye dhe bishti i syzeve dhe se di si do t’ia them prindërve. Lodhen të gjorët dhe fundi i muajit na gjen gjithnjë pa para. Me zor pres ta mbaroj këtë dreq gjimnazi e t’ia nis një pune sidoqoftë, sikur dhe pak e kështu s’do brengosemi më për paratë që s’na dalin. Të kam zili ditar pasi t’i rri në shtëpi, s’të sheh askush, je ngrohtë midis sendesh e mbi të gjitha paragjykimi tek ty njihet thjesht si fjalë. Zëre e ke si një tatto mbi lëkurë, por që të ka dhembur e as të ka ber përshtypje, ndërsa mua më duhet të gëlltis çdo ditë mbi vete ‘shëmtirë’, ‘rreckamane’, ‘ik’, ‘zhduku’…”.
Pak pjesë e kësaj historie nuk është tjetër gjë veçse një pasazh i shëmtuar, gërryes i ditëve në të cilat jetojmë. Substanca që shoqëria e pamëshirshme krijon, nis dhe sulmon fiks ne vulnerabilitetin e individëve të caktuar. Media flet për të famshit të cilët bullizmin e kanë kthyer në forcë, art e nga kjo forcë kanë pasur veç nderim e famë e kur shkon puna tek fama ti je i dëshirueshëm, i pranueshëm dhe çdo dëshirë, tekë realizohet më një të kërcitur gishtash. Sa admirim fitohet kur të gjithë këta fitimtarë, pasazhe traumash i risjellin dhe një herë në jetë. Dikur, vuajtjen e tyre, dhunën psikologjike, verbale, apo edhe fizike tashmë e konvertojnë në një lingotë ari. Tingëllon çuditshëm por dhe bullizmi shet, madje shet shumë mirë.
Ajsbergu i tregon vetëm majën diellit, por pjesën më të madhe e ruan në brendësi, thellësi, ku errësira dendësohet dhe e liga merr jetë. Të mos qenurit i fuqishëm, i pasur, apo dhe estetikisht tërheqës, të kthen si ai peshku koralor nemo. Një peshk i vogël që nuk i kishte pendët simetrike për notim. Ky notar i vogël doli fitimtar, ia doli dhe një herë të kalonte rryma të fuqishme, të shpëtonte nga çdo gojë grabitqare e barkuritur, nga çdo zgavër me dhëmbë të mprehur për gjak.
Nemo ia doli!
Fal kujt?
Fale mbështetjes së të atit dhe Dorës, te gjithë pak a shumë e dimë.
Dhe në jetën reale duhet t’ia dali gjithkush, por kjo falë mbështetjes së mësuesve shërbimeve sociale, psikologët e shkollave, pasi familja mbetet e fundit qe kupton lëngatat e shpirtit të fëmijës. Ajo e kupton në fund kur “loja” merr fund. E këtë fund askush s’do ta dëshironte për të dashurin e shtëpisë.
Nxënësi mbetet një katalizator midis dy hallkave të fuqishme siç janë familja dhe shkolla, por pa harruar që shkolla dikur ka edukuar te parët e familjes. Pa dashur t’i heq balancën e edukimit, mësuesit dhe oficerët duhet të kenë nuhatje më të fuqishme, duke parandaluar atë të keqe e cila nuk mbillet por mbin ngado.
Te gjithë me kontributin tonë duhet të përmbysim atë peshkarexhë të ndryshkur ku qëllimin e vetëm ka vyshkjen e luleve të reja, thyerjen e brishtësisë, damkosjen.
Nga Mirel Kambo, gazetar
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?