Ngritja e temperaturave

Ndryshimi i klimës nga njerëzimi, valët rekord të nxehtësisë 150 herë më të mundshme për të ndodhur

FNKK&GjK paralajmëron se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu ka bërë që valët rekord të nxehtësisë të jenë 150 herë më të mundshme për të ndodhur, duke vënë kështu jetën në rrezik.

Temperaturat e kohëve të fundit kanë pasur një ndikim të madh në miliona njerëz duke rrezikuar dhe jetë njerëzish, ka paralajmëruar Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK).


Vala rekord e nxehtësisë javën e kaluar në një pjesë të SHBA-së dhe Kanada-së, do të ishte në fakt e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.  Ky është rezultati sipas një analize të shpejtë nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh të klimës dhe Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Analiza ka zbuluar faktin se ndryshimi i klimës, shkaktuar nga emetimet e gazeve serë, ka bërë që vala e nxehtësisë të ketë të paktën 150 herë më shumë shanse që të ndodhte.


Presidenti i FNKK&GjK Francesco Roça për këtë çështje ka thënë se:  “Tani për tani, ne jemi dëshmitarë të regjistrimeve rekord të nxehtësisë ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, me pasoja të tmerrshme për miliona njerëz në të gjithë botën. Në përgjigje të situatës, ne jemi duke vepruar në terren, dhe falë investimeve në veprimtaritë e parashikuara, jemi në gjendje të përgatitemi më mirë për këto kriza".


Nga zjarret dhe thatësira te tejlodhja dhe rreziqet serioze shëndetësore të lidhura me nxehtësinë, komunitetet në të gjithë globin po përpiqen të përballen me rritjen e temperaturave dhe frekuencën e valëve të nxehtësisë. 


"Rrjeti i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe nuk mund të luftojë i vetëm pasojat shkatërrues të krizës klimatike", shtoi Roça. "Patjetër që duhet të ketë një përpjekje të përbashkët globale për t'u marrë me emergjencën e klimës, e cila përfaqëson kërcënimin më të madh për të ardhmen e planetit dhe banorëve të tij". 


Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe po punojnë me ata që goditen më shumë nga valët aktuale të nxehtësisë dhe ata që janë më të rrezikuarit nga rritja e temperaturave - përfshirë këtu të moshuarit, të pastrehët, njerëz me COVID-19 dhe me probleme shëndetësore, ata që jetojnë në zona të izoluara, refugjatët dhe emigrantët. 


Kreu i Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Maarten van Aalst, ka thënë për këtë: “Valët e të nxehtit janë në krye të listës globale të katastrofave më vdekjeprurëse si në vitin 2019 dhe atë 2020. Ky është një tjetër shembull i tmerrshëm që fatkeqësisht nuk është më një befasi, por pjesë e një shqetësimi gjithnjë në rritje në nivel global. Shumë nga këto vdekje mund të parandalohen nga përshtatja me valët e të nxehtit me të cilat po përballemi në Amerikë dhe në të gjithë botën". 


Në SHBA, ekipet e KKAmerikan po punojnë në mbajtjen në temperatura të pranueshme qendrat dhe strehimoret, në mbështetje të njerëzve për t'i shpëtuar valëve të rrezikshme të të nxehtit, ndërsa KKKanadez është në gatishmëri për të punuar me shërbimet e urgjencës për t'iu përgjigjur zjarreve vdekjeprurëse të shkaktuara. 


Në Evropë, vullnetarët e Kryqit të Kuq po sigurojnë ndihmë shëndetësore dhe të përkujdesit shoqëror për të moshuarit dhe më të rrezikuarit nga temperaturat përvëluese. 


Në Pakistan këtë vit, disa nga temperaturat më të nxehta të regjistruara kanë djegur zona të provincës Sindh dhe ekipet shëndetësore të Gjysmëhënës së Kuqe të Pakistanit kanë ndihmuar njerëzit, duke përfshirë drejtuesit e biçikletave dhe të tjerët të ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme pasi janë të detyruar të punojnë jashtë për të fituar jetesën e përditëshme.  


Në Afganistan, Gjysmëhëna e Kuqe Afgane dhe FNKK&GjK po punojnë së bashku për të siguruar ndihmë urgjente në të holla dhe ushqim për më shumë se 210,000 njerëz, pasi një nga thatësira më të këqija në dekada kërcënon furnizimin me ushqim dhe ujë. 


Në Lindjen e Mesme, Shoqatat e Gjysmëhënës së Kuqe, përfshirë këtu ato të Iranit, Irakut dhe Sirisë, janë duke vepruar në përgjigje ndaj thatësirës që ka prekur jetën e miliona njerëzve. Në Arabinë Saudite, Gjysmëhëna e Kuqe ka organizuar një fushatë mbarëkombëtare për zbutjen e rreziqeve shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat që shkojnë deri në 50C.


Ndërsa numri i emergjencave të lidhura me klimën rritet globalisht çdo vit, FNKK&GjK dhe Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë duke rritur mbështetjen e tyre për komunitetet më në nevojë. 


Në vitin 2020, 75 Shoqata Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe kanë mundur të sigurojnë rreth 37 milion dollarë për të mbështetur 109 operacione emergjente - shumica e të cilave ishin përmbytje dhe ciklone në Rajonin e Paqësorit të Azisë dhe Afrikës.



©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

1,534 Lexime
3 vjet më parë