Informacioni

Mjeti dhe mënyra e dhënies së informacionit

Mjeti kryesor i dhënies së informatës është gjuha. Gjuha shprehet në dy trajta, si gjuhë e folur dhe gjuha e shkrimit, që është trajtë e komunikimit jo të drejtpërdrejt.

Në këtë proces të rëndësishëm, së pari, duhen qartësuar dhe kuptuar disa përkufizime që kanë të bëjnë me marrjen, pranimin dhe dhënien e informatave. Me marrje të informatave kuptojmë kur marrësi e merr vet informatën nga burime të ndryshme gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve të tij. Me pranim të informatave kuptojmë kur marrësi i pranon informatat që ia transmeton dhënësi dhe që tregon se marrësi është duke e pranuar informatën e dhënë nga dhënësi. Ndërkaq me dhënie të informatës kuptojmë kur informata shpërndahet, jepet nga ndonjë burim i caktuar, nga ndonjë dhënës, por nuk nënkupton se ajo është duke u pranuar nga pranuesi ose nga të gjithë ata të cilëve u dedikohet. Informata dërgohet me mjete të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Mjeti kryesor i dhënies së informatës është gjuha. 


Gjuha është një sistem i shenjave me anën e të cilave njeriu e shfaq veprimtarinë e vet mendore. Gjuha si mjet i komunikimit shprehet në dy trajta, si gjuhë e folur, e cila është formë e komunikimit të drejtpërdrejt dhe gjuha e shkrimit, që është trajtë e komunikimit jo të drejtpërdrejt. Ekziston edhe një formë e komunikimit të njerëzve me aftësi të kufizuara në të folur dhe në të dëgjuar që quhet gjuha e shifruar (e koduar). Një gjuhë e veçantë është gjuha trupore. Punëtori arsimor komunikon me nxënësit dhe kolegët tij/saj edhe me anë të sjelljeve, qëndrimit, mimikës, shikimit, vizatimit, gjesteve, shenjave etj. me anën e të cilave njeriu i shpreh ndjenjat (emocionet) e ndryshme në çaste dhe situata të ndryshme të mjedisit ku punon. Andaj në këtë proces është me rëndësi të madhe të zgjidhet dhe të zbatohet gjuha me të cilën më së miri mund të transmetohet dhe mund të nxënit e të kuptohet informata e caktuar nga ana e nxënësit apo e cilit do qoftë.


Duke i pasur para sysh rezultatet e studimeve të bëra në këtë fushë se një informatë e caktuar kur të dëgjohet mbahet në mend 20%, kurse një informatë e dëgjuar dhe e shikuar mbahet në mend 50% dhe kur të zbatohet apo praktikohet mbahet në mend deri 80%, atëherë menaxheri apo mësimdhënësi duhet ta transmetojë informatën e tij me zë dhe pamje, me mundësi të zbatimit në situata konkrete nga ana e të punësuarve dhe e nxënësve. Në këto raste aktivizohen të gjithë regjistrat shqisor të BNj dhe  pranimi i informatës është i plotë me të gjitha nuancat e saja duke përfshirë edhe kontekstin. Është aftësi e menaxherit dhe e të gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë në një institucion arsimor, e zgjedhjes dhe përdorimit të mjetit adekuat për transmetimin e mesazhit përkatës tek pranuesi i mesazhit.


Përparësia e komunikimit të drejtpërdrejt ndërmjet të punësuarve në shkollë dhe mësimdhënësit me nxënësit është në faktin se gjatë këtij procesi ka mundësi për informacione shtesë dhe për sqarime dhe udhëzime të nevojshme për problematikën e caktuar, ka mundësi për interpretim dhe ndjesi shpirtërore, ndërsa përparësitë e komunikimit indirekt përmes gjuhës së shkruar apo gjuhës figurative janë për faktin se BNj kanë më shumë kohë që ta përsërisin disa herë, të njëjtën informatë, ta krahasojnë atë me informatat tjera derisa ta kuptojnë dhe të nxjerrin përfundime logjike si dhe pastaj ta zbatojnë për interesa dhe nevoja të ndryshme. Mjetet adiovizuele tani e bëjnë të mundur komunikimin me një auditorium më të gjerë duke e ilustruar dhe pasuruar informatën me pamje që e zgjojnë kureshtjen e të gjithë atyre që u dedikohet. Tani gjuha klasike po zëvendësohet me gjuhën e kompjuterit si mjet i fuqishëm i komunikimit global, por këto mjete në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si zëvendësim të menaxherit dhe mësim­dhënësit, por vetëm për ta plotësuar, ndihmuar dhe përparuar rolin e tyre në procesin e menaxhimit dhe të mësimdhënies.


(Bazat e Menaxhimit të Institucioneve Arsimore, Isuf Zeneli)

4,151 Lexime
8 vjet më parë