INTERVISTË

Historia e suksesit të drejtoreshës së shkollës “Misto Mame”, Ariana Maçi

Drejtoresha e shkollës “Misto Mame”, Ariana Maçi, në prag të festës së mësuesit, vjen në një intervistë për Portalin Shkollor, duke ndarë eksperiencën e saj të gjatë, si mësuese dhe drejtuese.

Ariana Maçi: Shkolla “Misto Mame”, një vatër atraktive për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin

 


Ariana Maçi, drejtoresha e shkollës “Misto Mame”, rrëfen rëndësinë e jastëzakonshme të mësuesit dhe rolit të tij. Mësuesi, sipas saj, është trashëgimtari dhe arkitekti i mendimit. Në këtë ditë, prag festës së 7-marsit, ajo zgjedh jo vetëm të urojë, por edhe të ndajë mesazhe kuptimplota për të gjithë arsimtarët e tjerë. 


Çfarë përfaqëson për ju ky profesion?


Në botë ka mijëra profesione, por më interesanti, më tërheqësi dhe burimi i të gjithë profesioneve të tjera është mësuesia, që për fatin tonë nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Jo çdokush mund të bëhet mësues. Mësuesi është trashëgimtari dhe arkitekti i mendimit. Është prindi që hyn në zemrën, mendjen e aftësitë e çdo fëmije me një besim të palëkundur për ta. Ai është kreativ, i palodhur, shumë i duruar, për të krijuar vlera të padiskutueshme tek këta fëmijë. Është ai që shqetësohet për të gjetur shtigje nga më të ndryshmet, për t’u falur dritë si mendjeve, ashtu edhe shpirtit të nxënësve.



Cila është sfida më e madhe në drejtimin e kësaj shkolle?


Në një karrierë prej 23 vitesh drejtimi, sigurisht që sfidat kanë qenë të shumta. Për mua, sfida më e madhe në drejtimin e një shkolle është aftësia për ta kthyer shkollën në një vatër atraktive për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin. Për të arritur sukses në këtë sfidë, duhet të jesh mik me secilin nga këta aktorë, të kuptosh individualitetin e secilit dhe pa u lodhur t’i shërbesh deri ne fund. Çdo moment i shërbej synimit që edukimi, mësimi, loja e kënaqësia për t’i realizuar mos të ndahen kurrë nga njëra-tjetra.



Si i mbani të motivuar mësuesit e shkollës që drejtoni?


Jo unë, por të gjithë bashkë mbajmë njëri-tjetrin me dashuri, respekt të ndërsjelltë dhe mirëkuptim. Ne të gjithë jemi një ekip, që çdo moment e mirëkuptojmë dhe bashkërendojmë punën si pjesë komplementare të një pazëlli të madh. Detyrimi im është që çdo individ që hyn në shkollën “Misto Mame” të vijë e të largohet me gëzim e me besim të plotë për ato që ju ofrohen nga shkolla. Sigurisht që në thelbin e saj, qëndron puna e kualifikuar. Këto janë arsyet që shkolla ku ne punojmë prej disa vitesh po qëndron në krye të Kartës së Performancës së Tiranës.



Çfarë kujtimi ruani nga ish nxënësit?


Në 36 vite pune sigurisht ka shumë raste, por unë jam e mrekulluar nga një ish nxënës me aftësi ndryshe që pas disa vitesh që e takova, jo vetëm që më njohu, por dhe më ftoi të pija një kafe në lokalin ku ai punonte. Nuk kishte kënaqësi më të madhe se të shikoje që ky individ ishte bërë i dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë. 



Cili është qëndrimi juaj në lidhje me reputacionin e mësuesit?


Nuk ka dyshim që të gjithë besojmë që reputacioni i mësuesit duhet të jetë sa më i lartë. Kjo zë fill që në zgjedhjen e profesionit. Ështe pozitiv fakti që në vitet e fundit ka përpjekje serioze për përzgjedhjen e nxënësve më cilësorë për të studiuar për mësuesi. Mendoj që dhe autonomia financiare e shkollës jep rezultate për vlerësimin e mësuesit.



Si keni zgjedhur të festoni këtë ditë?


Festa ka ditë që ka nisur në shkollë. Sipas grafikut po bëhen festa me nënat e mësueset në klasa të ndryshme. E reja e dy viteve të fundit është nisma: “Një pemë për ty mësuesja ime”. Pra, mbillet nga nxënësit pemë. Në këtë mënyrë ata kontribuojnë edhe për ambientin. Më vjen mirë që po rrisim fëmijë ambientalistë dhe që e duan natyrën. Përveç të tjerash kemi planifikuar një festë të përbashkët në Prizren me kolegët nga Kosova. Le të shërbejë kjo ditë edhe për të ndarë eksperienca me ta. 



A keni një mesazh që dëshironi ta ndani me kolegët tuaj me rastin e festës së mësuesit? 


Dua të uroj të gjithë mësuesit, pikërisht ata që ndërtojnë me durim të ardhmen e çdo individi. Në këtë ditë feste, me mirënjohje dhe respekt: “Gëzuar 7 Marsin dhe faleminderit për përkushtimin, dashurinë dhe edukimin që jepni brez pas brezi.



(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

6,050 Lexime
4 vjet më parë