Fenomeni tik tok

Mësuesja Alketa Ipeku: Edhe unë shoh në Tik Tok, por nuk ka gjithmonë informacione të sakta

Nxënësi duhet të ndërgjegjësohet dhe të bindet se, jo çdo informacion i ofruar në rrjetet sociale është i saktë nëse nuk është i sigurtë burimi i tij dhe nëse personi që e jep, nuk është profesionist i fushës.

Teknologjia është kthyer në një mjet të domosdoshëm dhe në mësimdhënie, por duket se në një trend janë kthyer dhe rrjetet sociale. 


Tik Tok-u përveçse një rrjet social në të cilin paraqiten video të llojeve të ndryshme, duket se po përdoret nga fëmijët dhe si një metodë për të mësuar duke e menduar si lehtësi në të nxënët e tyre më shpejt e më lehtë.  jo ndoshta dhe për faktin se gjithçka u serviret e gatshme në lëndë të caktuara. 


Lind pyetja: A mund ta zëvendësojnë rrjetet sociale mësuesin?


Duke qenë sot në pozitat e mësuesit  e duke e kthyer veten pas  në kohë si nxënëse e shoh rolin e tij të pazëvendësueshëm.

Pavarësisht kërkesave e ndryshimeve në vite, në kurrikula, metoda të mësimdhënies, përdorimit të teknologjisë, ndikimin e faktorëve të ndryshëm socialë, mësuesi ka rol vendimtar në formimin e nxënësve. 

Nxënësi duhet të ndërgjegjësohet dhe të bindet që jo çdo informacion i ofruar në rrjetet sociale është i saktë nëse nuk është i sigurtë burimi i tij, nëse personi që e jep nuk është profesionist i fushës. 

Argumentohet se fëmijët po i mësojnë shumë shpejt gjuhët e huaja nëpërmjet rrjeteve sociale. Sigurisht, ata janë më të prirur për të përthithur shpejt informacionet, zhvillojnë të folurit, po roli i mësuesit sërish mbetet vendimtar në njohuritë  gramatikore apo pasurimin e fjalorit.

Dhe ne mësuesit jemi aktivë në rrjetet sociale, dhe në tik tok, po në të shumtën e rasteve meqenëse janë kthyer në trend, na shërbejnë për të qenë më pranë nxënësve në mendimet dhe konceptimet e tyre.

Sado që sot mësimi zhvillohet me në qendër nxënësin, sërish roli i mësuesit në menaxhimin e orës së mësimit është kryesor. 

Duke qenë se teknologjia është mjet që nxit të nxënët e nxënësve, e bën mësimin më interesant dhe interaktiv, duhet që infrastruktura shkollore të ofrojë më shumë mundësi në këtë drejtim.


Së fundmi në shkolla të caktuara, në kuadrin e projekteve të ndryshme po aplikohet mësimi i kombinuar mes teknologjisë dhe procesit nën drejtimin e mësuesit. Uroj që të tilla të shtrihen në shkollat e gjithë vendit duke krijuar para së gjithash infrastrukturën e duhur.


Nxënësi mund të jetë një hap para mësuesit në përdorimin e teknologjisë, por  Ai mbetet çelësi që të hap dyert e dijes, nxitjes e motivimit drejt së ardhmes.



Nga mësuesja Alketa Ipeku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,832 Lexime
1 vit më parë