Rekomandime

Mësuesit në mësimdhënien me të nxënit ndërveprues

Ata ndjehen shpesh të zhgënjyer nga efikasiteti i metodave të përdorura në klasë, sepse ndeshin vështirësi kur i vënë ato në zbatim me nxënësit e tyre, në situatë konkrete në klasë. Këto janë disa rekomandime për të ndihmuar mësuesit.

Mësuesit janë burim i pashtershëm gjithmonë në pasurim të ideve dhe materialeve më të vlefshme që përgatitin dhe përdorin me nxënësit e tyre. Ata ndjehen shpesh të zhgënjyer nga efikasiteti i metodave të përdorura në klasë, sepse ndeshin vështirësi kur i vënë ato në zbatim me nxënësit e tyre, në situatë konkrete në klasë. Më poshtë do të mundohem të përzgjedh disa rregulla ose më saktë rekomandime për të ndihmuar mësuesit që të shmangin mosbesimin kur përdorin metodat e reja me nxënësit e tyre. 


Së pari - ajo se çfarë po mësojnë nxënësit është më e rëndësishme se metoda që përdoret. Pasi të keni vendosur se çfarë doni që të mësojnë nxënësit, cilat janë qëllimet apo objektivat tuaja në atë temë, atëherë mund të analizoni rrugën që do të ndiqni. Një metodë e përdorur në klasë mund të funksionojë mirë lidhur me disa objektiva dhe materiale, ndërsa me të tjera shumë më pak. Duhet të sigurohemi që strategjia jonë e mësimdhënies harmonizohet me qëllimet që kemi vendosur.


Së dyti - më e rëndësishme është procesi i të menduarit të nxënit dhe jo metoda e përdorur në klasë. Ndjekja fanatike e hapave të një metode nuk siguron që nxënësit do të përfshihen në atë lloj të menduari që çon në të nxënit e thellë dhe logjik. Nxënësit mund të bien në rutinë.


Së treti - rregulloni atë çfarë po bëni për të harmonizuar interesat e nxënësve me qëllimet tuaja. Megjithëse strategjitë në klasë shpesh përshkruhen si hapa “të gjithë të rëndësishëm”, jini të vetëdijshëm për atë mënyrë të të menduari që doni të nxisni tek nxënësit.


Së katërti - ekziston prirja që të ngrihen në mësim ato nxënës që janë aktiv dhe të cilët ju japin përgjigjen e duhur në mënyrë që të paraqiteni si një mësues i suksesshëm por, nëse do të dëshironi të nxisni të gjithë nxënësit tuaj që të jenë aktiv duhet tu krijoni atyre një mundësi të barabartë për tu përgjigjur.


Së pesti - të gjithë mësuesit duhet t’i mbushin orët e mësimit me veprimtari që nxisin nivelin e lartë të nxënit dhe mundësojnë krijimin e aftësive të mira shkollore. Praktika më e mirë mund të përdoret më shpesh për lëndë dhe tekste të shumëllojshme. Praktikat më të mira do të kenë zëvendësuar në këtë mënyrë shumicën e praktikave më të rëndomta, dhe mësuesi do të ketë më shumë kënaqësi nga puna e tij. 


Së gjashti – bashkëpunoni me mësues të tjerë. Të paktën një herë në muaj përpiquni të takoheni me një ose më shumë mësues të tjerë që po japin mësim me të njëjtat metoda të reja. Mbajini shënim pyetjet dhe arritjet, merrini me vete në takim për ti diskutuar me të tjerët. Me siguri keni për të pasur sugjerime të mira, për të ndihmuar kolegët të kapërcejnë problemet që kanë dhe ato nga ana e tyre do të kenë sugjerime që do t’iu ndihmojnë.


Së shtati- në mësimdhënien dhe të nxënit ndërveprues për të vlerësuar punën e nxënësve sa më saktë e në mënyrë korrekte mësuesi vendos kriteret që përshkruajnë një punë si detyrë të mirë dhe harton rubrika për vlerësimin e punës. Kur zhvillojnë listat dhe rubrikat e vlerësimit zakonisht mësuesit duhet t’ua shpjegojnë ato edhe nxënësve. Kjo i ofron mundësi nxënësit për të pasur një vlerësim të argumentuar qartë dhe të merituar. 


Ndër metodat e të nxënit ndërveprues duket si më e suksesshmja dhe më e përdorura “puna në grupe”. Nëpërmjet saj nxënësit jo vetëm që hynin në komunikim me njëri-tjetrin, krijonin lidhje gjatë të nxënit por gjithashtu dalin në pah shumë lehtë aftësitë e tyre komunikative, të lidershipit, interpersonale e krijuese.


Mësimdhënia dhe të nxënit ndërveprues kërkon mësues profesionist dhe të kualifikuar për lëndën, të jetë në kontakt gjithmonë me informacionet e reja, të dinë të përshtatin informacionin me nivelin e nxënësve, dhe gjithashtu duhet të kenë njohuri për përdorimin e teknologjive të reja gjatë zhvillimit të orës mësimore.


Një tjetër konkluzion ishte fakti që edhe pse mësuesit e nxënësit ishin përkrahës të mësimdhënies e të nxënit ndërveprues, sot akoma vazhdon të përdoret metoda tradicionale edhe në ato lëndë të cilat kanë hapësira për përdorimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies. 


Së fundi një konkluzion i cili përveç të tjerash dhe ky luan rolin e tij të veçantë, është domosdoshmëria e pajisjes së shkollave me kushtet dhe me mjetet e nevojshme për realizimin e të nxënit ndërveprues. Numri i nxënësve në klasë ishte tepër i madh, në të gjithë shkollën ndodhej vetëm një video projektor, dhe laboratorët e kompjuterëve ishin të vegjël. Në paraqitje dukej sikur shkolla i mundësonte kushtet e mjetet për realizimin e mësimdhënies ndërvepruese, por në fakt mësuesit gjendeshin përpara mungesave e vështirësive të shumta për të realizuar me sukses të nxënit ndërveprues.


Mësimdhënia dhe të nxënit ndërveprues duket se po paraqet disa vështirësi gjatë procesit të realizimit, por pavarësisht nga të gjitha këto ajo ka një përkrahje nga të gjithë institucionet arsimore kryesisht jopublike. Mësimdhënia ndërvepruese po aplikohet shpesh në shkollat e mesme. Ajo ka përparësi në të nxënit e shëndetshëm dhe afatgjatë për nxënësin dhe konsiderohet si më produktive krahasuar me metodën tradicionale e cila dita ditës po zbehet gjithnjë e më shumë.


Msc. Hamit Hoxha

Mësues i gjuhës shqipe

Hafiz Ibrahim Dalliu Tiranë


(Portali Shkollor)

9,404 Lexime
6 vjet më parë