Mësuesit me përvojë 33-vjeçare i hiqen orët e mësimit

Mësuesi i Matematikës në shkollën “E kuqe”, Ramazan Fejzo, pas 33 vitesh punë në arsim, sot është duke u hedhur në rrugë të madhe

Mësuesi i Matematikës në shkollën “E kuqe”, Ramazan Fejzo, pas 33 vitesh punë në arsim, sot është duke u hedhur në rrugë të madhe. Këtë vit arsimor, sipas tij, drejtoresha e shkollës ka nisur t’i bëjë presione politike. Fillimisht e ka lënë vetëm me 8 orë mësimi në javë, ndërkohë që nga ana tjetër i kërkon të japë lëndën e Informatikës, degë për të cilën nuk ka një diplomë, dhe veç asaj duhet të firmosë për degën që po jep jashtë profilit. Shkolla “E kuqe”, sipas mësuesit të Matematikës, Ramazan Fejzo, edhe pse i ka klasat shumë të mbingarkuara, me 38-39 nxënës, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, Daie Ramku nuk pranon t’i ndajë, pasi nuk do të zhvillojë mësim pasdite. Veç asaj, sipas Fejzos, këtë vit kjo shkollë 9-vjeçare është pa laborator Informatike. Pasi, për të hapur një klasë të parë më tepër, drejtoresha mbylli laboratorin. “Është viti i dytë që në shkollën “E kuqe” më bëhen presione nga më të ndryshmet për të më larguar dhe për të më zëvendësuar me militantë”, – shprehet mësuesi i Matematikës, Ramazan Fejzo.

Profesor Fejzo, sa vite punë keni në arsim, cilat janë kualifikimet tuaja?

Kam 33 vjet si mësues Matematike, rreth 10 vjet drejtues shkolle. Kam punuar në shkollat më të njohura të Tiranës. Kam marrë pjesë në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore si përgjegjës administrimi dhe 2 vitet e fundit si përfaqësues i MAS-it. Kam marrë pjesë në grupet e punës për reformën e arsimit bazë (para vitit 2013). Kam të gjitha kualifikimet dhe kategorinë e parë. Por këtë vit shkollor kam vetëm 8 orë mësimore Matematike. Ndërkohë që, nga drejtoresha kanë filluar presionet politike për të më larguar.

Jeni interesuar për të marrë më shumë orë mësimi?

Normalisht. Por drejtoresha e shkollës, Daie Ramku, e cila nuk ka as përvojë si mësuese, besoj as 5-vjeçarin nuk e ka, sepse nuk e njeh fare arsimin, më thotë se “nuk kam orë, por mund të japësh Informatikën”. Degë për të cilën nuk jam diplomuar. Mund të kem njohuri në kompjuter, se di ta përdor, por nxënësve duhet t’u japë mësim një mësues i kualifikuar. E vetmja meritë e saj është se është militante partie dhe ndihet e sigurt. Këtë vit shkollor, drejtoresha e shkollës më ka lënë 8 orë mësimore Matematike, një klasë të 6-të dhe një klasë të 9-të. I kam kërkuar që të jap mësim në klasat e 5-ta, pasi edhe në shkollat e tjera, mësues të ciklit të lartë janë futur edhe në klasa të 5-ta. Hapësirë për ta bërë këtë kishte, sepse në ciklin e ulët dolën 3-4 mësuese në pension dhe të mos merrte 4 mësuese të reja, por një më pak, kur ke mësuesin e shkollës pa normë të plotë. Por nuk pranon, sepse u ka premtuar disa të njohurve dhe i ka sjellë që ditën e parë të shkollës. Nuk e di se kush e përkrah në këto veprime.

Çfarë zgjidhjesh ju ka dhënë drejtoresha?

Më thotë të firmos që të jap mësim një lëndë që nuk e kam bërë as në shkollë 8-vjeçare, as në shkollë të mesme, as në shkollë të lartë, as nuk jam diplomuar për të. Kjo drejtoreshë kujton se, kushdo që di të përdorë kompjuterin mund të japë Informatikë. Është turp që në një shkollë 9-vjeçare, në mes të Tiranës, të drejtojë një person kaq i paaftë, sa mendon se mësuesi mund të japë çdo lloj lënde, pavarësisht se për çfarë është diplomuar. Ose të plotësojw normën në shkolla të tjera kur ka orë Matematike në klasa të 5-ta. Matematika është 4 orë në javë pothuajse çdo ditë. A mund të shkohet brenda ditës sa te njëra shkollë te tjetra?! Po të ishte lëndë tjetër që bëhet 2 apo 3 orë në javë, mund të bëhet në dy shkolla, se shkon 2 ditë te njëra dhe 3 ditë te tjetra, por jo Matematika. Klasat i kemi të mbingarkuara, por nuk pranon t’i ndajë sepse nuk do të dalë në punë pasdite.

Me këto orë mësimi që keni, sa shkon paga juaj mujore?

Pagë qesharake, se nuk është as sa paga minimale. Vetëm 18 mijë lekë në muaj marr.

A keni vënë në dijeni institucione të tjera më të larta, DAR apo MAS, për këtë situatë në “Shkollën e Kuqe”?

Kam vënë në dijeni Drejtorinë Arsimore Tiranë dhe Ministrinë e Arsimit, por asnjë përgjigje nuk kam marrë. Këtu shkelen shumë rëndë të drejtat e njeriut. Të aftët nuk vlerësohen. Pëlqehen të paaftët. Drejtoresha Daie Ramku ka që në shtator që e ka hequr fare kabinetin e Informatikës dhe e ka bërë klasë. Kompjuterat janë grumbulluar në një magazinë që do të bëhej, sipas saj, kabinet Informatike, por erdhi nëntori dhe kabinet Informatike nuk ka.

Po si zhvillohet ora e Informatikës në këtë shkollë?

Mësuesi i mban nxënësit në klasë dhe u jep libra të lexojnë, pasi nuk ka si të bëjë demonstrime sepse nuk ka më kabinet Informatike. Ndërsa kompjuterat po hyjnë në muajin e tretë që po mbulohen nga pluhuri.

Sa është numri i nxënësve në klasë, se thatë më sipër që i keni të mbingarkuara?

Ka shumë klasa që janë me 37-38-39 nxënës, që janë shumë të mbingarkuara, por as që mendon t’i ndajë. Të mbingarkuara kryesisht janë klasa të 7-ta, të 8-ta dhe 9-ta. Në shumicën e shkollave të Tiranës ka klasë të ciklit fillor që ka dalë pasdite, por drejtoreshës nuk i leverdis se duhet të dalë edhe vetë pasdite, dhe nuk punon dot te biznesi i vet.

Më thatë se keni punuar në disa shkolla të Tiranë si mësues dhe si drejtor shkolle, cilat janë?

Shkolla “Edith Durham” (ish “11-Janari”), “Sabahudin Gabrani”, “Vasil Shanto”, “Fan S. Noli”, “E kuqe”; 10 vitet e fundit kam qenë drejtor shkolle edhe në këto shkolla.

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

3,708 Lexime
8 vjet më parë