Mësuesit dhe dajaku “online”
Mësuesja, e cila jepte lëndën e Edukimit Fizik u pezullua nga puna një ditë më vonë me një urdhër të MASH, por raste të tilla ndodhin çdo ditë në shkollat tona, në të gjithë vendin.
Një mësuese që gjuan disa herë me shpullë në orën e mësimit një fëmijë me syze, ishte videoja më e fundit që u publikua këtë muaj në media. Mësuesja, e cila jepte lëndën e Edukimit Fizik u pezullua nga puna një ditë më vonë me një urdhër të MASH, por raste të tilla ndodhin çdo ditë në shkollat tona, në të gjithë vendin.
Tashmë, fëmijët, të pajisur me telefona të markave të fundit, kanë arritur që edhe rastet e dhunës në klasë, t’i nxjerrin jashtë saj. Ky zhvillim teknologjik (i cili shpesh është shndërruar në lajm) ka ecur paralelisht edhe me ndryshimin e brezave dhe nevojat e kërkesat e tjera të fëmijëve.
“Dita”, ka folur me dy mësuese, Minerva Rumbo, në pension, por aktive në profesion në një shkollë private dhe Valentina Duro, e cila pas 37 vitesh punë, ka dalë në pension përpara 4 vitesh.
Këto zonja kanë arritur të japin mësim në dy kohë, para dhe pas viteve ‘90.
Janë përballur me zhvillimin e shoqërisë e po ashtu me ndryshimin e brezave.
Minerva Rumbo (1949) është mësuese letërsie. Plot 30 vite mësimdhënie në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në kryeqytet e kanë bërë që sot të jetë një ndër njerëzit më të dashur për shumë breza. Kolegët e saj pohojnë se është modeli i një gjenerate që rrallë mund të vijë. Përpara dhjetë vitesh ka dalë në pension dhe nuk ka ndenjur asnjë ditë pa punë. Ajo sot jep letërsi në një shkollë shumë të njohur në Tiranë. Ka ndikuar në jetën e shumë studentëve falë karakterit dhe durimit.
Ne e pritëm që zyshë Minerva të përfundonte mësimin ditën e djeshme dhe të merrnim nga ajo, disa mendime në lidhje me marrëdhënien mësues-nxënës dhe si po funksionon kjo vitet e fundit.
“Unë mendoj se ndryshimet janë gjithmonë pozitive, sidomos nëse di t’i menaxhosh mirë. Kjo është e nevojshme për të gjithë, por për mësuesit është e domosdoshme, sepse lidhet me punën, me mbarëvajtjen, me marrëdhënien që ata krijojnë me fëmijët”, thotë Rumbo për Dita-n.
Sipas saj ndryshimet nuk kanë lidhje me vetëm me prirjet e reja në teknologji, por edhe me mendësinë.
“Kohëra të reja, sjellin mendësi të reja, forma të reja të jetesës, këndvështrime po ashtu. Një mësues këto duhet t’i ndjekë, nëse nuk e bën këtë, koha do ta lërë mbrapa. Le t’i ndjekë duke patur dëshirën e mirë, t’i mirëkuptojë dhe kuptojë nxënësit me të cilit ai punon; them se, nëse nuk bëhet kjo, krijohen të çara të mëdha dhe komunikimi dalngadalë bëhet i vështirë, i pamundur, artificial dhe e gjithë kjo do të ndikojë në procesin edukativ, në procesin e mësimdhënies”.
Bashkëjetesa e mirë mes brezave e ka bërë atë, që të ketë dëshirë për të punuar edhe sot e kësaj dite.
“Mendoj që ka një fuqi jolëndore, e cila nuk mund të matet me njësi matëse, por që peshon dhe kjo është dashuria për njeriun, në rastin konkret dashuria që unë kam për nxënësin, dashuria për profesionin. Kjo më bën që pavarësisht se koha rrjedh dhe ata janë ndryshe, më bën që t’i trajtoj brenda së njëjtës psikozë të tyre. Profesioni i mësuesit është: jap dhe marr. Unë u jap nga përvoja ime dhe marr prej tyre, energjinë, lirshmërinë, dashurinë që ata kanë për jetën dhe për gjithçka”.
E pyesim zyshë Minervën për rastet e fundit të publikuara dhe se si e sheh ajo dhunën që mësuesit ushtrojnë ndaj nxënësit. Përpara se të kthejë përgjigje, më shumë i flet mimika se sa fjalët. Mbyll sytë dhe thotë se është kundër dhunës në mënyrë kategorike.
“Mendoj se dhuna është shenjë inferioriteti. Kur ti s’ke mjete të arsyes për të përdorur, gjëja më e thjeshtë, instiktive, antipodi i arsyes është dhuna. Kjo bëhet akoma më e rëndë kur përfytyron se dhuna ushtrohet nga një i rritur ndaj fëmijës. Ky është një veprim i rëndë, absurd, paradoksal, për mua edhe i dënueshëm”.
Sipas saj, nëse situata ka degjeneruar në dhunë, duket se hallka nuk ka funksionuar dhe për këtë bën përgjegjës, mësuesin.
“Nëse do ta vëzhgosh problemin e përfunduar në dhunë, që në zanafillë të situatës, do të konstatosh që, shkak për të degjeneruar në atë formë duhet të jetë bërë një pakujdesi në reagimin e mësuesit. Mundet që, një fëmijë të bëjë shumë gjëra që janë të papërshtatshme, jashtë normave, për arsye nga më të ndryshmet, që mund të lidhen me karakterin, me edukimin, që mund të lidhen me gjendjen psikologjike të tijën, që mund të lidhen me familjen dhe këto gjëra në ditët tona, janë bërë të shumta. Por mësuesi duhet të këtë, jo vetëm intuitën, por edhe gatishmërinë shpirtërore të merret me këto situata të veçanta, sepse ato të zakonshmet, janë të zakonshme dhe janë lehtësisht të menaxhueshme. Domethënë, diku, reagimi i mësuesit, mund të ketë qenë nxitës negativ për reaksionin e fëmijës”.
Por, është fakt se puna e mësuesit është vështirësuar me ndryshimin e brezave. Nxënësit janë bërë më të pabindur dhe shumë veprime të tyre mund ta acarojnë mësuesin. Edhe për këtë, mësuese Minerva e ka një përgjigje. “Po po, ka nxënës që të acarojnë, patjetër, por i rrituri je ti. Mendoj që është në dorën e mësuesit që ta menaxhojë, ta kapërcej situatën. Shkolla, familja dhe komuniteti janë një trinom i pandashëm, nëse nuk funksionon njëra hallk, lindin probleme. Objektet teknologjike janë bërë si zgjatime të duarve të tyre, po u more atë, i ke fikur fare. Kjo puna e celularëve është bërë patologjike. Pa atë, sëmuren. Një nga këto ditë, një nxënës më tha: po të mos e kem më në dorë iPhone-in, unë nuk jam më pjesë e njerëzimit. Kjo është një psikozë që ka nevojë për studime”.
Sipas zyshës, është e rëndësishme të njohësh jo vetëm fëmijën, por edhe rrethin e tij.
“Te fëmija është e rëndësishme të njohësh jo vetëm karakterin, por mjedisin familjar ku është rritur, të cilat, me dhimbje e them,që problemet në të, vijnë duke u shtuar. Është përtej detyrës së mësuesit që të dijë se në ç’rrethana është rritur një fëmijë, por është e nevojshme. Unë merrem me shkollën e mesme, por sikur të dinim për shembull se sa fëmijë janë me prindër të divorcuar, që nuk dinë se nga t’ia mbajnë, apo me një nga prindërit që nuk jeton më, e me një nga prindërit në emigracion, fëmijë që punojnë edhe duke bërë shkollën ditën, kur i dëgjon problemet e tyre, ti tërhiqesh. Ne në Shqipëri, vazhdojmë të kemi një brez mësuesish që e ndjekin këtë linjën shpirtërore, por me keqardhje konstatoj që ky brez po tretet…”-thotë për Dita-n, Minerva Rumbo.
Të jesh aktiv, çdo ditë, në më shumë se 30 vite në këtë profesion duhet ta duash shumë atë…- e pyesim edhe duke e konstatuar këtë fakt të gruaja e imët që kemi përballë. Qesh dhe thotë qartë formulën e saj të suksesit. “Mësuese nuk mund të bëhesh nga e keqja. Mësues duhet të bëhesh sepse e do. Një mësues nuk është vetëm një edukator, por duhet të njohë shumë mirë lëndën e vet. Duhet të jesh mjeshtër edhe në metodën e mësimdhënies. Mësues nga e keqja nuk mund të bëhesh. Nëse ndodh kjo, ky është fillimi i rrënimit të një shoqërie. Shkolla ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një mësues nuk mund të bëjë au-iu pa fund me nxënësit në mes të klasës dhe pastaj të pretendojë që me shkopin magjik të vendosë qetësi. Çka jep, do të marrësh. Respekt, dashuri, shkencën që t’i jep, atë do të marrësh”- shprehet zysha e letërsisë nga e cila kanë dal shumë breza.
Kujdes edhe me… tonalitetin e zërit!
Valentina Duro, 63 vjeç, ka punuar si mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë, sot në pension. Shkolla e fundit ku ka dhënë mësim është “Emin Duraku”. Këtu ka punuar 20 vitet e fundit, nga 37 që ka gjithsej në këtë profesion. Ka dhënë mësim në disa shkolla të kryeqytetit, si 9-vjeçare ashtu edhe të mesme.
Punën në sistemin e edukimit e ka filluar në vitin 1975 dhe e ka lënë në vitin 2011.
Rastësisht, takimin me të e lamë pranë shkollës ku edhe ka mbyllur karrierën, ndaj na u desh që herë pas here ta ndërprisnim bisedën, pasi aty kalonin prindër të ish-nxënësve të saj, të cilët e përshëndesnin me dashamirësi.
Zyshë Vali thotë se gjatë karrierës së saj, ka parë se si kanë ndryshuar brezat, por edhe mësuesit në të njëjtën kohë.
“Brezat kanë ndryshuar shumë, si për mirë, ashtu edhe për të keq. Kuptohet që, e mira me te keqen bashkëjetojnë, por në këtë rrugë kanë ndryshuar edhe mësuesit që kanë ardhur. Sot, vë re që këtyre të fundit, u mungon pasioni për zanatin. Gjithashtu ka një mungesë në mënyrën e komunikimit, për të cilën mendoj se është thelbësore në një marrëdhënie. Nga ana tjetër, zinxhiri prind-nxënës-mësues ka probleme”.
Ajo thotë se nuk është më ai respekt që ka pas qenë për mësuesin. Mësuesi ka qenë idhull për nxënësin, njeriu që di më shumë, që ta do të mirën, njeriu që të mëson, që kujdeset për ty. Ka humbur kjo, ndoshta edhe për faj të mësueseve. Kanë ndryshuar të dy kahet.
“Vë re dhe më thonë shpesh, kur takoj ish-nxënës të mi, që sot janë bërë vetë më fëmijë të cilët shprehen: Eh ku ka si ajo kohë o zyshë Vali, nuk vijnë më mësues si ju. Ne donim të jepnim mësim dhe të merrnim vetëm kënaqësi nga fëmijët. Të merrnim atë buzëqeshje dhe falënderimet. Thjesht, donim respekt”.
Vështirësi?
“Gjithmonë i mëshoj faktit se duhet ta njohësh mirë fëmijën me të cilin punon. Nuk duhet ta ofendosh. Dorë nuk llogaritet të vesh mbi të, por edhe një ofendim i tipit: “A ti nuk di”, nuk është i lejueshëm. Sekreti qëndron te mënyra e komunikimit dhe të njohja e karakterit të fëmijës”.
Për pamjen e dhunës publikuar së fundmi, Duro shprehet.
“I kam parë shpesh pamjet dhe është shumë e rëndë, jo vetëm kjo që është e patolerueshme, por unë them që edhe një fjalë, e dëmton shumë atë, pasi fëmija është fëmijë dhe ka gjithmonë të drejtë. Edhe kur bënë ato çapkënllëqet në orën e mësimit, mund ta marrësh e t’i flasësh më vete duke krijuar një farë konfidence, duke i thënë që, ora e mësimit është e shenjtë dhe çdo formë për ta prishur atë është e patolerueshme. Kur je gjatë mësimit mund t’ia kujtosh këtë moment edhe me një kafshim buze. Ai e kupton pasi t’i ke bërë një bisedë paraprake me të”.
Rastet që shkaktojnë nervozizëm?
“Fëmijët mund t’i acarojë nervat, por mësuesi është mësues. Le t’i acarojë. Fut duart në xhep. Merr frymë thellë. Qetësohu. Mësuesi nuk ka të drejtë të ngrejë dorë. Ngritja e dorës e përkeqëson situatën dhe punën. Po the: “ufa, këta na mërzitën”, harroje se do të kesh sukses në procesin e edukimit”.
Por ka edhe prindër i thonë mësuesve që të përdori dhunë pasi edhe ata vetë hasin vështirësi në edukimin e fëmijës së tyre. sigurish edhe ky rast nuk ka munguar gjatë punës së Valentina Duros.
“Ka, por edhe prindërve u duhet thënë se, asgjë nuk rregullohet me dhunë. Jo vetëm dhuna që nuk duhet përdorur, por as një fjalë e rëndë, edhe një tonë më i ashpër se zakonisht e vret fëmijën. Ai jeton në kolektiv, dhe kur mësuesja i flet kështu, ai ka personalitetin e tij, i cili në këtë rast ulet dhe kjo revolton atë”.
Por edhe zyshë Vali ka patur raste gjatë punës së saj kur është ndjerë në vështirësi në marrëdhënie me nxënësin.
“Kam patur. E kam ndaluar orën e mësimit dhe kam thënë; një minutë ta dëgjojmë se çfarë ka për të thënë ky shoku juaj tani, pasi unë kam rregullore në mësim dhe nuk mund ta vazhdojë orën kështu. Kam pezulluar mësimin, kam sqaruar rastin. E gjithë baza është ta njohësh fëmijën, jo vetëm në procesin mësimor, por edhe jetën tij, nuk është e thjeshtë, por është e nevojshme”.
Komunikimin me prindërit gjithashtu e konsideron po aq të rëndësishëm…
“Kam patur edhe prindër që u kanë kërkuar patjetër dhjetën dhe kam folur me ta. U kamë thënë: mos e kërko dhjetën, mos e vë fëmijën nën presion të tillë, edhe unë që jam mësuese nuk e marr dot gjithmonë dhjetën. Sepse vënia nën presion e bënë atë që, sapo sheh që bënë një gabim të qaj, pasi ai do dhjetën dhe e kupton që nuk e merr dot. Gjithmonë puna mirë bëhet duke e motivuar. Ti nuk ke të drejtë ‘t’i vesh nëntë pa ja treguar se përse i vure atë notë. Duke e motivuar, dhe duke qenë shumë korrekt me të gjithë, pa mbajtur me hatër askënd”- shprehet Valentina Duro për Dita-n.
(Nga Entela Resuli)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024
Teste vlerësimi për klasën e parë