PUSHIMET PËR MËSUESIT

Mësues, enegjitë e humbura mund t’i rikuperoni duke u marrë me këto aktivitete gjatë pushimeve

Udhëzime për mësuesit që ndihen të lodhur, pas një viti të gjatë shkollor, të mbushur plot sfida. Duke ndjekur aktivitetet e mëposhtme, ju rifitoni energjitë e humbura, për t’u rikthyer plot entuziazëm dhe dëshirë në vitin e ri shkollor.

Shpesh dëgjojmë që viti shkollor është një maratonë. Mësuesit duhet të gjejnë një mënyrë për të pushuar dhe për t’u rikarikuar pas një viti të lodhshëm. Mësuesit e dedikuar, pasi kanë përcjellë nxënësit e tyre në pushimet vjetore, i shoqëron një ndjenjë lodhjeje. I duhet një kohë e gjatë rikuperimi, përpara se të nisin një vit të ri shkollor. Më poshtë, ju sjellim disa mënyra si të rikuperoni veten dhe të jeni gati për një vit shkollor të vrullshëm. 


Lërini telefonat mënjanë

Të shkuarit me pushime është një mënyrë e mirë për të karikuar energjitë tuaja të humbura. Një nga efektet anësore të shoqërisë sonë, është që gjatë gjithë kohës, ne jemi pashmangshmërisht të lidhur me pajisjet tona elektronike. Në mënyrë të pavullnetshme, jemi shndërruar në një shoqëri që lëviz nga ekrani i kompjuterit, në atë të celularit, duke e përsëritur dhe ripërsëritur këtë cikël pa mbarim. 


Kjo shkakton lodhje kronike, edhe pse në fillim nuk e vemë re. Në postën tuaj elektronike lini një mesazh, ku theksoni se jeni me pushime dhe nuk dëshironi të shqetësoheni. Madje ju rekomandojmë të pauzoni edhe nga facebook-u, intagram-i, twiter-i. Bllokojeni profilin tuaj, gjatë kohës që jeni me pushime, për t’u rikthyer sërish më vonë. Nuk është problem nëse për një periudhë të shkurtër kohe qëndroni të painformuar. 


Rilexoni librat që dikur ju kanë frymëzuar në zgjedhjen e këtij profesioni 

Kur ishit të rinj, me siguri keni qenë idealist. Jeni frymëzuar nga libra, të cilët ju kanë inspiruar të zgjidhni profesionin  e mësuesisë. Rilexojini!


Këto libra, do ju rikujtojnë arsyet përse ju e keni zgjedhur këtë profesion. Punimet e Johnathan Kozol dhe Ted Sizers i shërbejnë këtij qëllimi. Përshkrimet e tyre të sinqerta për ndikimin e shkollës në jetën e fëmijëve, ju sigurojnë një strehë tek e cila duhet të riktheni vazhdimisht.  


Qëndroni me fëmijët tuaj, pa luajtur rolin e superiorit me ta

Është shumë e vështirë që në mënyrë të vazhdueshme të monitoroni nxënësit tuaj dhe në të njejtën kohë të jeni përgjegjës për progresin e tyre. Ndaj, këtë periudhë me fëmijët tuaj, përpiquni t’ia kaloni sa më mirë dhe ta shijoni qëndrimin me ta. 


Provoni mundësi të reja, për të prindëruar ndryshe me ta. Nëse muajt e tjerë të vitit, duhet të jeni prindi autoritar, që kujdeset për edukimin, shkollimin, sjelljen, etj, ka ardhur koha të relaksoheni bashkë me ta dhe ta lini mënjanë këtë rol. Kaloni kohë duke luajtur me fëmijët, sepse kjo do ju freskojë dhe do ju mbushë me energji pozitive. 


Nëse ju duhet të punoni, zgjidhni një punë sezonale, që nuk ka të bëjë me fëmijët, apo me mësimdhënien

Gjatë verës ju mund të kërkoni një punë që nuk ka lidhje me fëmijët. Mos u ndjeni në faj, nëse kjo është ekzaktësisht ajo se çfarë kërkoni. Duke u shkëputur përkohësisht nga ky profesion, ripërtërini shpirtin tuaj, por ju pajis edhe me një palë lente të reja shikimi. 


Zgjidhni pushimet e duhura

Vendosni gjërat në makinë, zini një fluturim drejt një vendi të ri, apo zgjidhni diçka që do ju ofrojë një eksperiencë totalisht të re, të cilën nuk e keni përjetuar më parë. 

Shumë mësues që njoh, e marrin punën me vete. Lëreni laptopin, revistat edukative, celularët, kompjuterin në shtëpi, ose së paku në dhomën e hotelit. Nëse i jepni vetes suaj kohë, do jeni edhe më të freskët, produktivë, të fuqishëm për nxënësit tuaj. 



Burimi: blog.sharetolearn.com

Përktheu: Parajsa Shtini


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,227 Lexime
4 vjet më parë