INTERVISTË

Mësimi online për fëmijët me nevoja të veçanta, Rajmonda Mollaymeri: Sfidë e re për ne!

Rajmonda Mollaymeri është drejtuese e Rrjetit Profesional “Mësues ndihmës" në Korçë. Në një intervistë ajo ka ndarë eksperiencën e saj me ne rreth mënyrës se si është zhvilluar mësimi online për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa sugjeron edhe këshilla aktuale për kolegët dhe prindërit.

Mësimi online për nxënësit me nevoja të veçanta mund të themi se ka qenë një sfidë më vete këto kohë, por edhe për mësuesit dhe prindërit. Nga ju si drejtuese e Rrjetit Profesional “Mësues ndihmës", Korçë, kemi parë një angazhim të madh dhe profesional, të cilin ne e kemi paraqitur edhe në Portalin Shkollor, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë mësuesve ndihmës dhe jo vetëm atyre, në mënyrë që ata të ishin sa më pranë nxënësve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta.  



Cilat kanë qenë vështirësitë por edhe efektet pozitive që ju keni hasur nga kjo mënyrë ndryshe e të bërit mësim me nxënësit me nevoja të veçanta?


Situata COVID-19 ka ndryshuar përditshmërinë e punës, shtëpisë dhe shkollës.  Mësimi online ka qenë një sfidë si për nxënësit me nevoja të veçanta, ashtu edhe për ne mësuesit e prindërit.  

Fëmijët me nevoja të veçanta e kanë të vështirë të kuptojnë se cfarë ndodh me ndryshimin e rutinës së tyre, e kanë të vështirë të pranojnë izolimin pa pasur mundësi për të ndërvepruar me botën jashtë. Fokusi kryesor në “Mësimin online” ka qenë komunikimi, bashkëpunimi dhe orientimi i prindërve për t’i ndihmuar fëmijët.  Bashkëpunimi me mësueset e klasës për t’ju qëndruar sa më pranë, pjesëmarrja në grupin e klasës bashkë me fëmijët e tjerë.  

Fillimi ishte i vështire sepse rutinat e përditshme u ndërprenë dhe krijimi i rutinave të reja për nxënësit me nevoja të veçanta kërkoi pak kohë (sidomos për nxënësit me çrregullime të spektrit me autizëm).  Mësimi online për disa nxënës ka qenë pamundësia e prindërve për t’i ndihmuar fëmijët (niveli social-ekonomik, mungesa e pajisjeve teknologjike) pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të vazhdueshme.  Por nga ana tjetër kemi prindër që kanë mbështetur fort fëmijët dhe nuk kanë munguar asnjë ditë duke ndjekur orientimet në “Mësimin online” duke i ndihmuar dhe aktivizuar fëmijët në kushtet e shtëpisë. Angazhimi i mësueseve në mësimin online i përballi ato me sfida të reja. Roli kryesor ishte për ne mësueset komunikimi, bashkëpunimi me prindërit dhe orientimi i tyre si t’i ndihmojnë fëmijët gjatë “Mësimit online” në kushtet e shtëpisë. Duhet të përshtatim stilet e mësimdhënies duke marrë parasysh nevojat dhe mundësitë e nxënësve.   Prindërit janë bërë mësues për fëmijët e tyre, terapistë, psikologë.  Mësimi online u ka mundësuar prindërve, nxënësve të ndajnë me ne diskutime që nuk kanë të bëjnë vetëm me të mësuarin por edhe çështje të tjera në aspektin social- emocional të fëmijëve, shqetësime, nevoja.  Marrëdhënia me prindërit është forcuar më tepër, prindërit më të informuar me teknikat e mësimdhënies. Prindërit i kanë kushtuar më shumë kohë fëmijëve dhe janë më të angazhuar rreth mësimit dhe mbështetjes së fëmijëve. Janë përforcuar aftësitë digjitale si për mësueset, nxënësit, prindërit. Aplikimi i metodave, mënyrave të mësimdhënies(video, imazhe, ilustrime, foto), ana vizuale e cila është shumë e rëndësishme për nxënësit me nevoja të veçanta. Bashkëpunimi i ngushtë me aktorët ZVA Korçë & Maliq, drejtues, mësues kujdestare, shërbimin psiko-social dhe prindërit ka qenë një mbështetje e madhe në punën tonë gjatë kësaj periudhe. 



Konkretisht si është realizuar mësimi online me nxënësit me nevoja të veçanta? 


Përmes komunikimit me prindërit mësimi online me nxënësit me nevoja të veçanta po vazhdon çdo ditë në mënyra të ndryshme duke ju qëndruar sa më pranë.  

Nëpërmjet një planifikimi duke përshtatur programin dhe temat mësimore në kushtet e shtëpisë sipas aftësive dhe mundësive të nxënësve në bashkëpunim me mësueset kujdestare dhe prindërit.  Programi është ndërthurur duke u përqëndruar më shumë në pësëritjen e njohurive të marra më parë në shkollë dhe duke u mbështetur në pikat e forta të fëmijëve dhe në prirjet e tyre. Orientimi i prindërve për t’i ndihmuar në detyra, përgatitja e modelimeve të detyrave, foto, video, ilustrime etj.  Përfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta në veprimtari bashkë me nxënësit e tjerë, në grupin e klasës, komunikimi me shokët dhe shoqet e klasës, përforcimi pozitiv dhe motivimi i shpeshtë ka qenë shumë i dobishëm. Raportimi për ecurinë e nxënësve me nevoja të veçanta në drejtori, dokumentacioni i ecurisë (punime, foto, video) shënime për secilin nxënës, përgatitja e mjeteve, temave të shoqëruara me foto, video, ilustrime, modelime për ta thjeshtuar dhe për t’i bërë sa më të lehta dhe tërheqëse temat mësimore dhe duke i ndërthurur me njëra- tjetrën në përshtatje me kushtet e shtëpisë (bashkëpunim me mësuesen kujdestare apo të lëndës). Vlerësim dhe motivim çdo ditë të ecurisë së nxënësve. Kënaqësi për ne mësueset, të shikonim në fund të ditës punime, detyra, video, të nxënësve me nevoja të veçanta që në bashkëpunim me prindërit e tyre i kanë realizuar shumë bukur,  ku shprehet qartë mesazhi: “Duke qenë bashkë, ne mund t’ia dalim”. Kemi përdorur mënyra të ndryshme komunikimi në bashkëpunim me prindërit (telefon, messenger, ëhatsapp, viber, skype).  



Si ka qenë bashkëpunimi me mësueset ndihmëse dhe a keni organizuar takime të rrjetit? 


Takimet e Rrjetit Profesional “Mësues ndihmës” kanë vazhduar online edhe gjatë kësaj periudhe.  

Vazhdimisht diskutojmë mbi sfidat, vështirësitë por edhe për arritjet dhe përvojat pozitive në ecurinë e fëmijëve me nevoja të veçanta mbi programin “Mësojmë nga shtëpia”.  Eshtë për t’u përgëzuar puna e mësueseve të Rrjetit Profesional “Mësues- ndihmës” Korçë & Maliq sepse u përshtatën shumë shpejt me mënyrën dhe programin “Mësojmë nga shtëpia” dhe po punojnë duke përdorur të gjitha mënyrat për të qënë më pranë fëmijëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre.   



A mund të ndash me ne disa këshilla për punën që duhet të vazhdojnë të bëjnë mësuesit ndihmës dhe prindërit me fëmijët me nevoja të veçanta?         

      

Për mësuesit ndihmës:

Roli i mësuesit ndihmës përveç profesionit është një mision që kërkon përkushtim dhe profesionalizëm.  

- Mjafton të kemi qasjen e duhur me nxënësit me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre dhe padyshim që suksesi nuk do të mungojë. 

- Bashkëpunimi me prindërit “Çelësi i suksesit”

- Të punojmë fort me shumë profesionalizëm, duke këmbëngulur drejt qëllimeve dhe objektivave cilësore dhe të arritshme. 

-Eshtë e rëndësishme të kuptojmë gjendjen emocionale të fëmijës, kushtet social-ekonomike të familjes përpara një aktiviteti apo një informacioni të ri.  

-Shmangim informacionin dhe detyrat e tepërta!Mësimi nëpërmjet lojës, temave sa më të thjeshta në përshtatje me mundësitë e fëmijës. I nxitim fëmijët për të qenë aktiv, nxitim kreativitetin dhe prirjet e tyre. 

- Të ndajmë me koleget përvoja nga puna jonë (orë mësimore, modele të gatshme, metoda, strategji) dhe të bashkëpunojmë me mësueset kujdestare apo të lëndës, shërbimin psiko-social, drejtues,specialistë të fushës për të na ardhur në ndihmë në punën tonë. 


Për prindërit:

Përfshirja e prindërve në proçesin e të mësuarit është shumë e rëndësishme në zhvillimin e aftësive dhe duke qënë aktiv me fëmijët e tyre në shtëpi gjatë kësaj periudhe. 

-Bashkëpunimi i ngushtë me mësueset/mësuesit, shërbimin psiko-social .  

-Krijimi i një ambienti pozitiv për fëmijën. 

-Organizimi i një rutine ditore. 

-Angazhimi i fëmijëve në aktivitetet e shtëpisë është i rëndësishëm. 

-Biseda me fëmijën, loja është gjuha e fëmijëve dhe lodrat si fjala e tyre. 

 -Në fund të çdo dite merrni një minutë pë të menduar për ditën. 

-Tregojini fëmijës për diçka pozitive që kanë bërë. 

-Motivojeni veten për diçka që keni bërë mirë. 



Keni ndonjë mesazh ose apel që dëshironi ta ndani me ne? 

Të japim dhe të marrim sa më shumë dashuri. Fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre kanë më shumë nevojë të jemi bashkë në këto ditë të vështira që po kalojmë të gjithë. Sa më shumë vëmendje dhe bashkëveprim nga aktorë të ndryshëm ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre. 

 


Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,662 Lexime
4 vjet më parë