Mësuesi i letërsisë, Erget Cenolli, mes pasionit për mësimdhënien, krijimit poetik dhe shkrimit publicistik
Erget Cenolli, mësuesi i cili endet mes pasionit për mësimdhënien, poezinë, duke qenë njëkohësisht shumë vigjilent rreth të gjitha ndryshimeve që duhet të ndërmerren në sistemin arsimor shqiptar, me synim përmirësimin e tij.
Portali Shkollor, përmes punës së përditshme, gjithmonë ka evidentuar mësues të cilët përveç aftësive të mira në mësimdhënie, gëzojnë talente të posaçme, apo zotërojnë aftësinë për të dhënë ide të mira, përmes një syri kritik. I tillë është edhe mësuesi të cilin kemi intervistuar, Erget Cenolli, i cili endet mes pasionit për mësimdhënien, poezisë, duke qenë njëkohësisht shumë vigjilent rreth gjitha ndryshimeve që duhet të ndërmerren në sistemin arsimor shqiptar, me synim përmirësimin e tij. Një ndër idetë etij, që u përqafua menjëherë ishte futja e letërsisë shqipe, si një lëndë më vete, në korpusin e të gjitha lëndëve. Për më tepër, ju ftojmë të lexoni intervistën.
Erget Cenolli, ju jeni një mësues mjaft i përkushtuar ndaj profesionit tuaj dhe kryesisht, interes të veçantë tregoni ndaj lëndës që edhe jepni "Gjuhë shqipe dhe letërsi". Nga ju buron kjo dashuri kaq e madhe për letërsinë e më tej për mësimdhënien?
Në fakt, dashuria e parë dhe e vetme për mua është Gjuha Shqipe. Kjo është gjuha me të cilën unë kam ardhur dhe gjalloj në këtë botë. Dashuria për gjuhën më ka çuar tek pasioni për letërsinë, ndërsa mësmdhënia është profesioni që unë kam zgjedhur për të qenë gjithmonë pranë dashurisë dhe pasionit.
Çfarë është poezia për ju, si ia transmetoni atë nxënësve tuaj, duke qenë të shkruarit është një tjetër pasion juaji, të cilin edhe e keni konkretizuar në botimin e një libri me poezi nën titullin "Vdekja më e dobishme se jeta"?
Poezia është arti i përdorimit më të lartë dhe të përsosur të gjuhës. Ajo përmbledh në vetvete të gjitha ngjyrat dhe të fshehtat që ka gjuha. Të folurit dhe sidomos të shkruait e figurshëm, që është gjuha e poezisë, nuk është diçka e lehtë, por një ndërmarrje që kërkon shumë mundim dhe sidomos përkushtim. Për tua përcjellë nxënësve, kërkohet mundim prej Sizifi. Mësuesi çdo ditë duhet të vendosë me kujdes një tullë, pasi mësimdhënia, sidomos e letërsisë, është një punë që frytet e veta nuk i ka të aty për atyshme, por pas një kohe shumë të gjatë.
Si erdhi ky libër me poezi dhe ç'domethënie ka për ju?
Libri im është një punë rreth pesëmbëdhjetë vjeçare, me mëdyshje të shumta, herë herë të papërballueshme. Botimin e tij e konsideroj fillimin e një rruge të gjatë plot peripeci e të papritura.
Si do t'i cilësonit poezitë tuaja? I inkurajoni edhe nxënësit tuaj të shkruajnë?
Që të inkurajosh dikë për të shkruar apo ecur në udhën poetike, duhet të zbulosh fillimisht, nëse brenda, ka ndonjë shkëndijë të talentit poetik. Poet pa fillesë talenti nuk mund të ketë. Mendoj se njerëzit me talent poetik janë të paktë. Koha më ka mësuar që ta dalloj “që larg” një talent poetik dhe ta udhëzoj, me aq sa unë mundem për të ecur dhe t’u dalluar në këtë fushë. Udhëzimet e mia përmblidhen tek thënia: Lexo çdo ditë një poezi të mirë dhe shkruaj çdo ditë , të paktën, një varg!
Për t'iu rikthyer edhe një herë mësimdhënies, a mendoni se ekziston një stil perfekt apo metodë perfekte, duke marrë në konsideratë edhe vitet tuaja në arsim, pra eksperiencën tuaj?
Nuk ka stil perfekt, ka perfeksionim të përhershëm të stilit. Mësuesi i mirë mëson nxënësin, mësuesi shumë i mirë meson prej nxënësit.
Një mësuesi i ndodh të ndeshet me nxënës shumë të mirë, nxënës të shkëlqyer, por edhe me nxënës të cilët disponojnë një talent të rrallë. Ju ka ndodhur të keni nxënës të tillë dhe si i keni trajtuar ata?
Vetë puna kërkon që mësuesi ta ndajë zhvillimin e mësimdhënies në tri nivele, brenda të cilave përfshihen nxënësit e dobët, të mirë dhe shumë të mirë. Po, kam pasur privilegjin dhe kënaqësinë të punoj me të tillë nxënës dhe e kam konsideruar dhe trajtuar, jo si nxënës, por si koleg.
Ju keni qenë ndër të parët që ka hedhur idenë e ndarjes së Gjuhës nga Letërsia. Madje, bëtë një pohim edhe më të guximshëm, duke thënë se Letërsia Shqipe, duhet të jetë një lëndë e veçantë në arsimin parauniversitar. Pse kjo zgjedhje? Bazuar mbi cilat argumenta?
Mendimi im, për ndarjen e gjuhës nga letërsia, gjeti përkrahje të menjëhershme në rrethet e mësimdhënësve. Deri tani është bërë diçka në këtë lëmë, por mendoj se duhet ende shumë punë. Mos arritja e një suksesi të dukshëm vjen prej faktit se, mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, ende nuk janë ftuar të përfshihen plotësisht në këtë ndërmarrje, ndërkohë që ata janë të vetmit që mund t’i jepnin procesit drejtimin e duhur.
Letërsia Shqipe duhet vendosur si lëndë më vete, sepse mësohet shumë pak në arsimin parauniversitar (ajo përfshin vetëm 20-25% të orëve të mësimit në lëndën e letërsisë, prej klasës së gjashtë deri në atë të dymbëdhjetë). Ndërkohë, kjo letërsi është shfaqja më e lartë e përdorimit të Gjuhës Shqipe. Pa studimin e shumëanshëm të saj asnjë nxënës, madje asnjë shqiptar, nuk mund të quhet i plotë në formimin profesional e sidomos atë intelektual.
Letërsia konsiderohet "ushqim i shpirtit". Një mendje e lexuar është një mendje e stërvitur dhe mësuesit e letërsisë e dijnë më së miri këtë gjë. A ju ndodh t'i ngarkoni nxënësit tuaj me shumë libra jashtëshkollorë në emër të këtij pasioni? Cilët autorë sugjeroni më së shumti?
Për leximet jashtëshkollore unë vetëm udhëzoj, por asnjëherë nuk detyroj. Leximi i letërsisë është një proces i brendshëm, që duhet të rrjedhë natyrshëm tek njeriu. Detyrimi do ta bënte nxënësin armik me librin, jo vetëm për sot, por për gjithë jetën. Mësimi më i madh është shembulli vetjak.
Së fundmi, cila është këshilla që do donit ta ndanit me patjetër me kolegët tuaj të rinj, të po kësaj fushe, të cilët sapo i janë futur rrugës së mësimdhënies në letërsi?
Mësuesit e rinj duhet ta kuptojnë se shkolla që sapo kanë mbaruar është një thes bosh, që duhet mbushur gjatë jetës profesionale, duke mësuar përditë:
1. Nëpërmjet leximeve.
2. Nëpërmjet bashkëpunimit me mësuesit më të vjetër.
3. Nëpërmjet korrigjimit të gabimeve të përditshme.
Shënim. Falenderoj Portalin Albas, për intervistën! Ky portal ka qenë përditë pranë mësuesve me materialet interesante që publikon, shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdojë të ndihmojë profesionalisht në mirëarsimimin e brezit të ri shqiptar.
(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)
Falënderime dhe mirënjohje për mësuesen më të mirë kujdestare...
Dimensioni njerëzor i një mësuesi
Në kujtim të mësueses Sonela Totraku, simbolit të forcës njerëzore