Mënyra si të ndaloni së menduari për shkollën dhe punën gjatë pushimeve
Nëse sulmi i mendimeve për shkollën dhe nxënësit vazhdon t'ju shqetësojë orë pas ore, provoni disa nga mënyrat e ofruara, të thjeshta, por të dobishme për të ndarë punën nga pjesa tjetër e jetës tuaj, për ta lënë punën në punë.
Shumë prej mësuesve po përpiqen të mos mendojnë për punën gjatë pushimeve, por nuk ia dalin dot. Më poshtë ju paraqesim disa mësnyra sesi t’ia dilni.
Duke mos ndaluar së menduari për mësimdhënien, shkollën, nxënësit, përgjegjësitë, ju përjetoni një lodhje të jashtëzakonshme dhe e gjitha ju kthehet në një barrë. Bëhet shumë rraskapitëse, kur ju duhet ta merrni punën me vete në shtëpi. Edhe pse mund të jetë e vështirë, nuk është e pamundur.
Pyetja që shtrohet është: Si mund të fikësh trurin e një mësuesi?
- Pse mësuesit mendojnë kaq shumë për shkollën?
Ndodh që kur një profesion e bën me shumë pasion, afeksionohesh dhe e ke të pamundur shkëputjen. Përkushtimi kontrollon mendimet e tua, dhe çdo gjë vërtitet rreth mësimdhënies dhe mënyrave si të përmirësohesh në këtë profesion.
“Bashkëshorti ishte i pari që më paralajmëroi. Ai tha se ishte i shqetësuar, pasi po mbimendoja për punën. Fjalët e tij më iluminuan dhe nisa të kuptoj se natyra ime pasionante, e kombinuar me prirjen time për të qenë këmbëngulëse dhe punëtore e palodhur, nuk po më shërbenin për mirë. Në këtë moment i bëra vetes pyetje: A jam pjesë e një problemi”?
“Shumë mësues kalojnë nëpër të njejtat vështirësi, pasi mësuesi ndjen përgjegjësi përballë fëmijëve. Për vite të tëra, unë kam lejuar punën të mbizotërojë në jetën time, në shumë fusha: në mendimet e mia, në jetën familjare, në fundjavat dhe ëndrrat e mia, që përfundimisht do të ndikonin në mirëqenien time të përgjithshme, përfshirë shëndetin tim”.
A është ky rasti juaj?
Nëse përgjigja është po, mendimi i shumtë nuk duhet të menaxhojë jetën tuaj.
Si të ndaloni së menduari për shkollën?
- Programoni një takim pas orës së mësimit
Për të larguar mendjen nga puna, merrni kohë për të pirë kafe me një mik jashtë profesionit tuaj dhe mos flisni për shkollën. Joga është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për ta shpërqendruar veten nga puna. Vizitat rutinë te mjaku, kujdesi ndaj vetes në një qendër estetike, janë të rekomandueshme. Pra, jepini kohë vetes.
- Kur të ktheheni në shtëpi, ndryshoni rrobat
Nëse ndryshoni rrobat, do të ndryshoni edhe mënyrën e të menduarit. Sapo të vishni rrobat e rehatshme, menjëherë do të ndiheni "jashtë detyrës". Në pamje të parë mund të duket qesharake, por rrobat i japin një sinjal trurit, që puna ka përfunduar.
- Vendosni kufij midis shtëpisë dhe punës
Mendoni se si mund të vizatoni vijën midis shtëpisë dhe punës. Ndoshta mund të caktoni një kohë kur të ndaloni së punuari. Për shembull, në orën pesë të pasdites, ju ndaloni së bëri punën në shkollë, ose së lexuari postën elektronike, deri në ditën e ardhshme të punës.
Vendosja e kufijve të qartë dhe të shëndetshëm ndërmjet shtëpisë dhe punës është thelbësore për të arritur ekuilibrin punë-jetë.
- Gjatë kohës që udhëtoni nga puna në shtëpi, mos mendoni më për punon. Përdorni kufjet për të dëgjuar muzikë
Përfitoni nga makina për të kanalizuar ngjarjet e ditës dhe, nëse është e nevojshme, kur të mbërrini në rrugën tuaj (në oborr, në parking), shkruani çdo gjë që ju vjen në mendje që do të duhej të bëhej ditën tjetër. Duke iu afruar shtëpisë tuaj, me vetëdije bëni një "kthesë mendore" duke kuptuar se nuk jeni më në punë dhe "mbyllni derën" me mendimet që ju përcollën deri në atë moment (nëse është e nevojshme, ju mund ta imagjinoni mbylljen e derës, dhe pastaj, me të vërtetë mbylleni atë dhe lini gjithçka pas). Tani është koha për familjen dhe për veten tuaj!
- Përsërisni mendimet pohuese
Përdorni mendime pohuese përsëritëse për t'ju ndihmuar të zhvendosni mendimin tuaj për shkollën në të menduarit rreth shtëpisë, vetvetes ose rreth asaj që jeni duke bërë në këtë moment.
Disa nga mendimet e përsëritura që mund t'i drejtoni vetes:
1. Unë zgjedh të lë punën në punë dhe të mos mendoj për të në shtëpi.
2. Kur jam në shtëpi, mendoj për familjen time dhe për veten time.
3. Familja dhe mirëqenia ime janë në mendimet e mia kur jam jashtë detyrës.
4. Kam vendosur një kufi të qartë.
- Hiqeni qafe shqetësimin gjatë mbrëmjes
Në mbrëmje, gjeni diçka që doni të bëni për të çliruar tensionin dhe zhgënjimin e grumbulluar gjatë ditës. Ecja është një mënyrë e shkëlqyer për të hequr ndjenjat e ankthit nga puna. Kjo mënyrë do i shërbejë edhe fizikut tuaj, menaxhimit të stresit dhe do përmirësojë gjendjen shpirtërore.
- Aplikoni aktivitete bazuar në ndërgjegjësim (vigjilencë)
Aplikoni aktivitete sensibilizuese, për të përqendruar mendimet tuaja në momentin e tanishëm dhe për të qëndruar mendërisht larg shkollës.
Aktivitetet e ndërgjegjësimit përfshijnë:
1. Frymëmarrje e thellë dhe e ngadaltë;
2. Ngjyrosje, pikturë, ndonjë formë tjetër e shprehjes artistike;
3. Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme;
4. Ushtrime fizike.
Burimi: teachsmartwithme.com
Përktheu: Parajsa Shtini
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!