Aktualitet

Masa të Kodit të Punës për kujdesin e fëmijëve dhe lejet prindërore

Kodi i Punës në Shqipëri parashikon masa për përkujdesjen e fëmijëve në ngarkim, duke përfshirë pushime të paguara dhe të papaguara për sëmundje dhe përkujdesje. Ai gjithashtu përcakton të drejtat për leje prindërore, si dhe kushtet dhe afatet e tyre. Ja se çfarë shkruan specialisti Fiqiri Çifliku.

Nga Fiqiri Çifliku, specialist në burimet njerëzore 


Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë ka parashikuar masa për përkujdesjen e fëmijëve në ngarkim. Në nenin 132, përcaktohet se: Në rast përkujdesjeje të domosdoshme për fëmijët në ngarkim, punëmarrësi përfiton pagën e tij, jo më shumë se 12 ditë mungesë në vit. 


Punëmarrësi me fëmijë deri në tre vjeç ka të drejtë për një pushim të paguar deri në 15 ditë, kur fëmija i tij është i sëmurë, vërtetuar me raport mjekësor. Ai ka të drejtë të mungojë për një periudhë shtesë, jo më shumë se 30 ditë në vit pa pagesë. Pushimi i jepet bashkëshortit që merret/kujdeset efektivisht për fëmijën. Në rast të kundërt, ai i jepet me radhë nënës dhe babait. Punëdhënësi mund të verifikojë raportin për kujdesin për fëmijën ashtu siç bëhet me raportin për paaftësinë në punë për shkak sëmundjeje, duke caktuar një mjek tjetër.


Duhet theksuar se në rastin e përkujdesjes për fëmijën, pagesa është e plotë dhe jo 80%, siç është për raportin e paaftësisë së përkohshme.


Në nenin 132/1, përcaktohet edhe e drejta për leje prindërore për punëmarrësin, i cili ka më shumë se një vit punë të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës. Punonjësi ka të drejtë për një leje të pa paguar, jo më pak se 4 muaj, derisa fëmija që ka në ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç. Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Në rastin e birësimit të fëmijës, leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush moshën 12 vjeç. 


Në çdo rast, punëmarrësi duhet të lajmërojë, me shkrim, punëdhënësin të paktën dy javë përpara fillimit të lejes prindërore. Punëdhënësi ka të drejtë, pas konsultimit me punëmarrësin, të shtyjë datën e fillimit të lejes deri në gjashtë muaj, për arsye që lidhen me nevojat operacionale të ndërmarrjes, kur punëmarrësi nuk mund të zëvendësohet përkohësisht, kur kjo leje kërkohet njëkohësisht nga shumë punëmarrës ose kur pozicioni i punës është i një rëndësie të veçantë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

322 Lexime
22 orë më parë