Deklarimi i të ardhurave personale (DIVA), dhe parashikimet e reja ligjore nga Fiqiri Çifliku

Fiqiri Çifliku ndan informacion mbi detyrimin e individëve në Shqipëri për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave personale (DIVA) për vitin 2024. Ai shpjegon ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat dhe rëndësinë e edukatës financiare, duke theksuar detyrimet dhe përjashtimet që lidhen me këtë proces.

Shkroi Fiqiri Çifliku 


Para disa ditësh postova një njoftim mbi detyrimin e individëve rezidentë në Shqipëri për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave personale (DIVA), për vitin 2024. Fokusi i këtij postimi ishin kryesisht mësuesit si miq dhe ndjekës të mi në rrjetet sociale. Postimi u nda edhe në faqen e Portalit Shkollor, një faqe prestigjioze e lidhur me veprimtarinë në fushën e arsimit. Në disa raste konstatova komente (supozojë të jenë nga mësues) që nuk e kishin kuptuar qëllimin e postimit dhe nuk e kishin informacionin pse bëhet, çfarë pasojash dhe cili është pozicioni i mësuesit. Kjo në fakt më trishtoi pak, pasi edukimi finaciar duhet të jetë një nga fushat kryesore të procesit edukativ, në shkollat tonë. Për këtë arsye e ndjej të nevojshme të sqarojë edhe njëherë procedurat, arsyet e përfshirjes në deklarim, të drejtat, detyrimet që lindin në këtë proces.


Sipas ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, personat rezidentë në Shqipëri, janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale të tatueshme nga të gjitha burimet, të realizuara brenda apo jashtë vendit, në një vit tatimor të caktuar. Këtu përfshihen individët sipas kuptimit të Kodit Civil, përfshirë të punësuarit, si dhe çdo individ tjetër person fizik që realizon të ardhura nga çdo burim, përfshirë dhurimin, trashëgiminë apo fitimet nga lojërat e fatit dhe janë përgjegjës për tatimin mbi të ardhurat personale.


Deklaruesi është i detyruar të mbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar të dhënat e deklaruara në DIVA.


Burimi i të ardhurave përfshijnë, por pa u kufizuar, të ardhurat në lidhje me punësimin; të ardhurat nga pagesat e tarifave; të ardhurat nga veprimtari kulturore, artistike ose sportive; të ardhurat nga veprimtaria e biznesit dhe të ardhurat e individëve tregtarë dhe të vetëpunësuar për veprimtari dhe shërbime të ofruara në Shqipëri.


Përveç të ardhurave të mësipërme, subjekt deklarimi janë edhe të ardhurat nga: pasuria e paluajtshme, aksesorët dhe frytet e tyre, si dhe të ardhurat që rrjedhin nga të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme; të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore, përfshirë detin; dividendët, fitimet kapitale, interesat e paguara nga organet e qeverisjes vendore ose qendrore, qiratë, tarifat e licencës, tarifat e shërbimit teknik dhe/ose digjital automatik, honoraret, fitimet nga lojërat e fatit, të ardhurat nga trashëgimitë, dhurimet e marra nga asete të ndodhura në Shqipëri; si dhe të ardhurat nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale, si dhe të ardhurat nga çdo veprimtari tjetër që kryhet fizikisht në Shqipëri.


Nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale, të ardhurat nga sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; ndihmat ekonomike; të ardhurat e përjashtuara në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare; shpërblim për shpronësimet e bëra nga shteti për interesa publike, ose ish-pronarëve për shpronësimin e pronës së tyre në të kaluarën; kompensimet financiare të paguara ish-të dënuarve politikë dhe pasardhësve të tyre; shpërblimet dhe çmimet e dhëna nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë; bursat e nxënësve dhe të studentëve; përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, përfitimet për dëmshpërblimet nga kontrata e sigurimit, të marra në zbatim të ligjit në fuqi për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore; të ardhurat nga mbështetja me grante dhe subvencione në bujqësi dhe blegtori me fonde të buxhetit të shtetit ose burime të tjera.


Nuk do të konsiderohen të ardhura të përftuara nga punësimi, vlera e ushqimeve të konsumuara, pijeve joalkoolike, pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi; rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit dhe dietat e udhëtimit; kompensimet për punonjësit në rast të sëmundjeve, fatkeqësive; kontributet për sigurimin e jetës, shëndetit dhe aksidenteve në punë; 


Të ardhurat vjetore të tatueshme përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të tatueshme nga punësimi, të marra nga një tatimpagues gjatë vitit tatimor dhe tatohen me normat progresive përkatësisht 0 – 2 040 000 lekë me 13% dhe mbi 2 040 000 lekë me 23%. Në shumicën e rasteve ky tatim është mbajtur nga punëdhënësi gjatë vitit dhe në deklaratën finale nuk dalin detyrime për t’u paguar. Ndërkohë njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të deklarimit, shpenzimet e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim apo të mjekimit për vete, për fëmijët dhe personat në kujdestari me kushtin që të dispononi dokumentacionin përkatës, si dhe shpenzimet për mjekim të jenë për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.


DIVA duhet të dorëzohet nga çdo person, jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës të vitit tatimor për të cilin dorëzohet deklarata, kur të ardhurat tatimore vjetore janë më shumë se 1 200 000 lekë në vit nga të gjitha burimet, kur është i dy punësuar, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit, si dhe ka më shumë se 50 000 lekë të ardhura të tjera që nuk i nënshtrohen tatimit.


Numri personal i identifikimit për individët përdoret si numër identifikimi tatimor për dorëzimin e DIVA.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,034 Lexime
1 ditë më parë