Luan Stafasani: Analiza e tekstit dhe figurat stilistike
“Puna ime si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë më së pari përqendrohet tek disa figura kryesore të stilistikës letrare dhe synoj t’ua ngulis në mendje nxënësve përmes shembujve të thjeshtë nga përditshmëria jonë. Për të folur bukur, rreth 13 figura stilistike përbëjnë kolonat e retorikës”.
Sa herë flitet për krijimtarinë letrare është e pashmangshme analiza e saj dhe figurat stilistike si në rrafshin profesional ashtu dhe në atë diletant apo amator.
Me analizë të krijimtarisë letrare do kemi parasysh shqyrtimin e disa të dhënave të rëndësishme që lidhen së pari me jetën dhe veprën e autorit, vitin e botimit të veprës, temën që trajton, motivet, subjektin që nënkupton tërësinë e ngjarjeve e personazheve të veprës. Po ashtu në analizë nuk mungon vlerësimi i kritikës letrare dhe mesazhi i përgjithshëm e vlerat ideo-artistike.
Me tekst prej latinishtes kuptojmë thurje me fjalë e që kjo thurje të jetë e fortë e t'i rezistojë kohës duhet që aty të gjenden sa më shumë figurat stilistike.
Figura, edhe ajo vjen prej latinishtes e në shqip barasvlera e saj është lloji. Me figura stilistike do kemi parasysh panoramën e jetës humane dhe tipologjinë njerëzore të përshkruar në krijimtarinë letrare. Ai që shkruan letërsi, përshkruan jetën, shpalos pikëpamjet e tij për të, zbulon përmes figurave qëndrimin e tij në lidhje me mënyrat e stilet e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme, e duke i rrëfyer në tekstin letrar synon të krijojë tek lexuesi të njëjtat pikëpamje.
Figurat janë pasqyrim figurativ i botës, të cilat synojnë nxitjen e imagjinatës së lexuesit dhe është tipar dallues i artit të të shkruarit si trajtë dalluese e paraqitjes së jetës.
Në ndryshim nga dijetari që jep në mënyrë të drejtpërdrejtë vëzhgimet e bëra në jetë, ai që shkruan letërsi e pasqyron jetën dhe e interpreton atë duke vizatuar me fjalë e figura artistike galerinë e jetës shoqërore.
Figurë apo të folur të figurshëm kemi në çdo rast kur gjuha e përdorur është e bukur, domethënëse e plot ngjyra e nënkuptojnë në fund të fundit një mënyrë të ndryshme që dallon nga e folura e zakonshme.
Stilistika është pjesë e teorisë së letërsisë që merret me studimin e gjuhës poetike. Rrënja e kësaj fjale është stili që vjen prej greqishtes e ka kuptimin e zanafillës shkop për të shkruar në një sipërfaqe ndërsa me stil të shkrimtarit do kuptojmë zbërthimin e jetës dhe mënyrën si përshkruan.
Figurat stilistike ndahen në:
- Figura të kuptimit: krahasimi, personifikimi, kontrasti, hiperbola, litota, grotesku, simboli, paralelizmi figurativ.
- Figura të shqiptimit poetik: pyetja retorike, pasthirrma, apostrofa, retiçenca,pretericioni (tejkalimi), përsëritja, epanastrofeja, epanalepsa, epifora, anafora, aliteracioni, paranomazia, onomatooeja, optacioni, asonanca(zanorësia), konsonanca (bashkëtingëllorësia), pauza.
- Figura të fjalëve e shprehjeve: metafora, katakreza, metonimia, sinekdoka, ironia, sarkazma, asteimi, paradoksi, oksimoroni, perifraza, epiteti, alegoria, eufemizmi, antomazia.
- Figura të fjalorit poetik: sinonimet, antonimet, barbarizmat, homonimet.
- Figura të sintaksës poetike: inversioni, konversiioni, enumeracioni, gradacioni, elipsi, pleanazma, asindeti, polisendeti, kiazma.
Nëse i numërojmë në total dalin 55 figura stilistike, mirëpo në klasat 6-9 ndeshim 25 figura, pjesa tjetër takohet në ciklet më të larta të studimit.
Edhe vetë brenda 25 figurave gati gjysma e tyre ndeshen më së shumti në krijimtari letrare apo në analizën e komentin e pjesëve letrare. Po ashtu edhe në të folurën alegorike të popullit këto 13 figura ndeshen më së shumti.
Ndaj dhe puna ime si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë më së pari përqendrohet tek këto figura kryesore të stilistikës letrare e synoj të memorizoj tek nxënësit përmes shembujve të thjeshtë nga përditshmëria jonë.
P.sh ju them se krahasimi e metafora janë motër e vëlla që dallohen mes tyre thjesht nga përdorimi i lidhëzave tek krahasimi. Ato synojnë të krijojnë një imazh, figurë, sa më të gjallë të një personi a dukurie duke e krahasuar me një person a dukuri tjetër. Ai është si Ronaldo në futboll (krahasim), nëse ja heqim lidhëzën si bëhet metaforë: Ai është Ronaldo në futboll.
Similituda-krahasim i zgjeruar, ku dy krahët e krahasimit janë më shumë se dy fjalë: Kur dëgjon zëthin e së ëmës qysh e lë qengji kopenë, blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë/ashtu dhe zemra ime vjen me vrap e dëshirë atje ndër viset e tua.
Metonimia-gr, ndërrim vendi, zëvendësim emri: Mbrëmë isha me Agollin (përmend autorin për veprën).
Paradoksi-gr.i papritur, gjykim i saktë në pamje të parë bie në kundërshtim me arsyen por në thelb është i vërtetë: Fort po shndrit njaj diell e pak po nxeh.
Paralelizmi gr.paralelos = që ecën krahas, mënyrë të foluri poetik, qëndron në krahasimin e dy fenomeneve përmes përshkrimit paralel: Lulëzon e bardha pjeshkë!
Po thotë nusja: “A me nur në vjeshtë".
Pyetja retorike gr.rehtor=orator pohon në formë pyetëse.
Ku janë ata djem bujarë e trima sqimatarë?
Ironia gr=tallje e fshehtë. Sa mirë luajti Shqipëria me Serbinë (0-2), themi të kundërtën.
Hiperbola = zmadhim i tepruar për të forcuar përshtypjen e vënë në dukje figurën: Ish rrufe ajo e s'ish shpatë/Aq shumë ndrinte shpata sa trembej hëna.
Epiteti=shtojcë, mund të jetë i tillë çdo fjalë përcaktuese, mbiemri p.sh era e marrë.
Eufemizëm=flas njerëzisht, lloj i metonimisë. Udhëzoj për urdhëroj, ndërroi jetë për vdiq.
Simboli=zëvendësim i emrit të një fenomeni me një shenjë konvenciinale. Harpagoni-simbol i koprracisë.
Sarkazma=turpërim. Heu jo bre burra s'kam le për s'tepri/ma mirë u rrnueka me zemër t'leprit.
Si përfundim për të folur bukur, këto 13 figura stilistike që shpjegova përbëjnë kolonat e retorikës, janë armë të forta me të cilat do pajisur çdo njeri.
Nga Luan Stafasani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rregullorja e shkollës
Plani mësimor, kimi VIII
Tremujori tretë/ Testime dhe detyra përmbledhëse për klasat 1-5