Lojërat dhe fëmijët

Lojëra dhe ide praktike për fëmijët 4-5 vjeç, për t’u kryer në shtëpi. Nga Lindita Biraci, psikologe zhvillimi

Duke qenë se loja është lider i zhvillimit, më poshtë po ju sjellim disa sugjerime të lojërave/aktiviteteve argëtuese, që mund të kryhen në mjediset/kushtet e shtëpisë, me fëmijët e moshës 4-5 vjeçare.

Fëmijet e moshës 4-5 vjeçare janë një grupmoshë  shumë  aktive, janë plot potencial, mundësi e dëshirë. Krijues plot fantazi, komunikues emocionalë, kërkues e selektivë.

Duke qenë se loja është lider i zhvillimit, aktiviteti më i rëndësishëm në jetën e fëmijëve, ku nëpërmjet saj ata njohin mirë botën e jashtme dhe shprehin më mirë atë të brendshmen, më poshtë po ju sjellim disa sugjerime të lojërave/aktiviteteve argëtuese, që mund të kryhen në mjediset/kushtet e shtëpisë, me fëmijët e moshës 4-5 vjeçare:

  1. Përgatisni brumë së bashku e më pas lëreni fëmijën ta manipulojë sipas fantazisë: Fëmija do të argëtohet shumë. Do të rrisë përqëndrimin, koordinimin sy-duar, do të zhvillojë motorikën fine dhe patjetër do të rrisë bashkpunimin me ju.
  2. Prerja e frutave/perimeve (të lehta për t’u prerë), duke i kategorizuar sipas formës, gjyrës, shijes.
  3. Kalimi i makaronave rulo nëpërmjet një filli peri apo spango duke formuar një varëse. Më pas me anë të një peneli/furçe apo sfungjeri i lyeni me bojë ngjyra-ngjyra.
  4. Ndërtimi i piramidës me gota plastike (në formë gare).
  5. Vendosja e kartonit të rulove të letrave të kuzhinës si tynel në dysheme ose tavolinë, ku ata kalojnë një top të vogël plastik duke e fryrë me anë të një pipe.
  6. Ngjitja e nje tabaku të madh në mur ose dysheme ku fëmija vizaton i lirë sipas fantazisë së tij.
  7. Grisja e gazetave ose letrave dhe mbështjellja e  copave për të formuar topa e më pas luajnë duke qëlluar njëri-tjetrin apo bërja e koshave.
  8. Kalim me pengesa duke kërcyer (me dy këmbë) mbi jastëkë katrorë.
  9. Tra ekuilibri mbi karriget e ngrënies të bashkuara njëra pas tjetrës
  10. Kalimi i tynelit duke u zvarritur poshtë karrigeve të ngrënies të bashkuara njëra pas tjetrës.
  11. Vizatimi në dysheme i vijave të pjerrëta, zig-zage dhe të lakuara ku fëmijës i duhet të kalojë mbi to pa devijuar.
  12. Lojë imituese: përballë me fëmijën ku atij i kërkohet të imitojë mimikën e fytyrës tuaj apo lëvizjet tuaja pa gabuar.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,050 Lexime
1 vit më parë