Llojet e inteligjencave te fëmijët
Hauard Gardner i Universitetit të Harvardit, ka përcaktuar tetë lloje inteligjencash: gjuhësore, muzikore, logjike, perceptuese, fizike/ndijore, ndërmjetëse, vetjake dhe natyraliste. Mjafton të jemi pak të vëmendshëm ndaj fëmijëve dhe do ta kuptojmë...
Prindërit mendojnë se fëmijët e tyre janë më të mirët dhe më të zgjuarit, pavarësisht nga vlerësimet apo pikët e marra në testet e inteligjencës. Në fakt, teoria e inteligjencave të shumëfishta, e shtjelluar nga dr. Hauard Gardner i Universitetit të Harvardit, tregon se ka mënyra të ndryshme për të qenë i zgjuar. Gardner ka përcaktuar tetë lloje inteligjencash: gjuhësore, muzikore, logjike/matematikore, perceptuese, fizike/ndijore, ndërmjetëse (interpersonale), vetjake (intrapersonale) dhe natyraliste. Gjithsecili prej nesh i zotëron këto inteligjenca, por në nivele të ndryshme.
Përshkrimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë teksa flisni me fëmijën tuaj për interesin dhe nxitjen e brendshme për të mësuar.
1. Fjalët e bukura (inteligjenca gjuhësore)
Fëmijëve u pëlqejnë fjalët e bukura, mënyra se si ato përdoren në lexim, në shkrim apo në hartimin e eseve. Gjithashtu, atyre u pëlqejnë lojërat me fjalë, gjuhët e huaja, tregimet, drejtshkrimi, shkrimet apo tekstet krijuese.
2. Muzika e bukur (inteligjenca muzikore)
Fëmijët e çmojnë muzikën, ritmin, melodinë përmes tingujve. Ata janë të aftë të dëgjojnë tonalitetin dhe ritmin. Ata mund të vlerësojnë lloje të ndryshme muzikash, të ndjekin me kënaqësi aktivitete, si ato të këngës, muzikës instrumentale, dëgjimit të një disku apo ndjekjes së një koncerti në sallë.
3. Arsyetimi logjik (inteligjenca logjike/matematikore)
Fëmijët ndihen të kënaqur kur i zgjidhin problemat, i kuptojnë lehtë numrat dhe konceptet matematikore, si gjetja e përputhshmërisë. Atyre mund t’u pëlqejnë gjëegjëzat, lojërat logjike, kompjuterët, krijimi i kodeve personale apo kryerja e eksperimenteve shkencore.
4. Vështrimi i qartë (inteligjenca e perceptimit)
Fëmijët kanë dëshirë që ta shohin botën dhe gjithçka interesante që ekziston në të. Ata kanë aftësinë që t’i vizatojnë pamjet e ndryshme në mendjen e tyre. Gjithashtu, nisur nga ajo që shohin, ata janë të aftë që të përdorin imagjinatën dhe t’u tregojnë të tjerëve vizionin që kanë për artin, vizatimin, fotografinë, arkitekturën apo shpikjet.
5. Aftësitë fizike (inteligjenca fizike/ndijore)
Fëmija ndihet i kënaqur me fizikun e tij. Ai mund ta përdorë atë që të zhvillojë aftësi të reja apo që të shfaqet në mënyra të ndryshme. Mund të jetë atlet, balerin apo aktor. S’përjashtohet mundësia që një fëmijë të interesohet shumë për punë dore, si: zejtaria, krijimi i modeleve ose riparimi i gjërave të ndryshme.
6. Njerëz të zgjuar (inteligjenca ndërmjetëse)
Fëmijët janë të interesuar për ata që i rrethojnë apo për mënyrën se si ata bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ata mund të jenë pjesëtarë të një grupi drejtues apo kërkimor; mund të kenë shumë shokë; të përfshihen në problemet e lagjes, ose thjesht të ndihen të kënaqur që bëjnë pjesë në një grup shoqëror.
7. Zgjuarsia personale (inteligjenca vetjake)
Fëmijët janë të ndërgjegjshëm dhe i kuptojnë qartë ndjenjat e tyre; ç’janë në gjendje të bëjnë dhe ku kanë nevojë që të përmirësohen. Shpeshherë, ata e kuptojnë vetveten më mirë se sa i kuptojnë të tjerët. Ata mund të mbajnë një ditar, të krijojnë plane për të ardhmen, të reflektojnë mbi të kaluarën apo të caktojnë objektiva individuale.
8. Tërheqja ndaj natyrës (inteligjenca natyraliste)
Fëmija mund të jetë tip vëzhgues dhe të ndihet i kënaqur në gjetjen dhe klasifikimin e bimëve, kafshëve, gurëve etj. (Nëse jetojnë në qytet, ata mund të klasifikojnë gjëra të tjera, si disqet muzikore apo veshjet e shokëve të klasës së tyre.) Mund t’u pëlqejnë të shijojnë natyrën, të interesohen për kopshtarinë, të kujdesen për kafshët shtëpiake, të gatuajnë apo të përfshihen në veprimtari ekologjike.
(Përgatiti: Artemisa Bushi, Portali Shkollor)
Rëndësia e librave në jetën tonë
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
10 filma që duhet të shohë çdo adoleshent