Lidhjet farefisnore

Lidhja e fëmijëve me familjen dhe kushërinjtë

Më parë të gjithë ne mbanim lidhje të forta mes brezave. Po sot ku jemi? Sa i shohim të afërmit dhe kushërinjtë? Po fëmijët tanë i njohin të afërmit dhe kushërinjtë? A do ishte mirë që këtë kohë pushimesh të gjejmë pak kohë dhe të reflektojmë në këtë drejtim? Shkrim nga mësuesja Iriana Papamihali.

Më kujtohet fëmijëria ime, sa dashuri më kanë falur të afërmit e mi, nga të dy prindërit. Edhe pse kohët ishin të vështira dhe ekonomia nuk ishte atje ku duhej të ishte, përsëri dashuria nuk mungonte. Dashuria ishte në çdo sofër dhe në çdo familje. Kudo që shkonim me prindërit na ofrohej fjala më e ëmbël dhe dashuria për njëri-tjetrin ishte më e fortë se kurrë, ishte si ajri. Ne ishim shumë të lidhur me fisin dhe me kushërinjtë tanë. Nuk njihnim vetëm kushërinjtë e parë, por edhe të dytë e të tretë. Në çdo festë, ditëlindje, fejesë, dasmë, etj, ne do ishim të gjithë bashkë atje për të kaluar kohën bukur bashkë, të gjithë. 


Banesat atë kohë nuk ishin të mëdha, por kjo nuk na bënte përshtypje, sepse ishim mësuar dhe na mjaftonte të ishim bashkë të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Sot bëhen festimet nëpër lokale, por dikur çdo festë bëhej në shtëpi, atje prisnim e përcillnim njëri-tjetrin, të ftuarit dhe nuk mërziteshim aspak. Përkundrazi, secili jepte ndihmesën e vet që puna të organizohej sa më mirë. Asnjëherë nuk i linim të afërmit tanë vetëm në këto raste, si në të mirë ashtu edhe në fatkeqësi. Prandaj çdo gëzim dhe hidhërim kalohej me njerëzit e afërm pranë. Dikush merrej me pastrimet, dikush me gatimet, dikush me qerasjet. Ndaheshin punët mes të afërmve dhe ishim të lumtur që po ndihmonim sadopak. Në çdo rast prindërit na merrnin me vete për të takuar njerëzit e afërm. Kudo ishim bashkë. Kjo lidhje faresfinore ishte shumë e rëndësishme për prindërit tanë, prandaj ne ishim bashkë kudo me ta.


Kështu ne mbanin lidhje të forta mes brezash. 

Po sot ku jemi? Sa i shohim të afërmit dhe kushërinjtë? Po fëmijët tanë i njohin të afërmit dhe kushërinjtë?


Sot situata është krejt tjetër. Janë kohë të ndryshme dhe konceptet e të qenit bashkë me kushërinjtë kanë ndryshuar. Fëmijët sot kanë tjetër qasje ndaj jetës dhe të afërmve. Janë më të distancuar dhe më të ftohtë. Shoqëria e sotme po përballet me problematika të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga viti në vit. Këto problematika lenë gjurmë edhe të fëmijët, të cilët i perceptojnë sipas këndvështrimit të tyre.


Nuk mund të fajësosh askënd, sepse e tillë është koha në të cilën jetojnë. Fëmijët e sotëm njohin kushërinjtë e parë dhe kaq. Ndërsa kushërinjtë e dytë e të tretë nuk besoj që të kenë njohje. 

Ndonjëherë nuk duhet shumë për t’u mbledhur bashkë si dikur, mjafton të bëhen disa telefonata dhe një pasdite, për t’u takuar me të afërmit tanë, në mënyrë që edhe fëmijët të njihen me njëri tjetrin nga afër, jo vetëm virtualisht. Ka raste kur ata mund ta ndeshin njëri-tjetrin në rrugë, mund të jenë në një shkollë dhe nuk e dinë që janë kushërinj. Për të mirën e tyre, duhet që të njihen me të afërmit e tyre, për të kuptuar se sa të ngjashëm dhe të ndryshëm janë, për të mbajtur gjallë lidhjet farefisnore, të cilat janë shumë të rëndësishme, për të kuptuar nga i kemi rrënjët. 


Ka një transformim nga brezi në brez, që sikur po i zbeh lidhjet farefisnore dhe kjo lloj ftohje vjen nga mungesa komunikimit. 

Janë disa gjëra të vogla që na duken të parëndësishme, por që nëse fillojmë pak nga pak t’u flasim fëmijëve për të afërmit dhe të mundohemi me vepra, t’u tregojmë se sa e rëndësishme është lidhja farefisnore, për të mbajtur gjallë traditat e bukura. Nuk ka më bukur, kur në një gëzim familjar bëhen të gjithë të afërmit bashkë dhe festojnë bashkë brezat. Fëmijët duhet të kuptojnë vërtetë konceptin familje, të afërm, kushërinj, sepse kështu do të brumosim pak nga pak tek ata ndjenjën e dashurisë për njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë urat e komunikimit mes tyre.  




Nga Iriana Papamihali, mësuese e artit pamor

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,141 Lexime
1 vit më parë