Letër prindërve të nxënësve
Të dashur prindër të nxënësve që këtë të hënë nisin shkollën, së pari na u qoftë udha dritë fëmijëve! Desha t’i flas dy fjalë me ju si t’i flisja me veten, pa rrotullame e formula. Prindër, ju nuk i keni zgjedhur fëmijët tuaj ...
Po ju shkruan një prind nxënësish, një gocë zyshe e një zyshë njëherazi; po ju shkruan poashtu edhe ajo që beson te magjia e arsimit të mirë kombëtar. Qytetërimi është Arsim; Ekonomia është Arsim; Rendi është Arsim; Shëndeti është Arsim; gjithçka për një komb është në thelb Arsim.
Të dashur prindër të nxënësve që këtë të hënë nisin shkollën, së pari na u qoftë udha dritë fëmijëve! Desha t’i flas dy fjalë me ju si t’i flisja me veten, pa rrotullame e formula. Prindër, ju nuk i keni zgjedhur fëmijët tuaj para se t’i kishit ashtu si ata nuk ju kanë zgjedhur ju. Nuk vajtën të dyja palët në ndonjë MAPO e të thonin: Shoqe të lutem, desha një vajzë të bindur ose po nuk pate, më bëj një djalë artist.
Radha ime tani: a keni një babi liberal? – Jo, askush nuk zgjodhi kënd dhe sekushi mësoi rrugës të jetë prind. Njësoj si fëmiët tuaj nuk ju zgjodhën ju, po ashtu nuk zgjedhin as mësueset. Edhe mësueset mësojnë të jenë mësuese siç ju mësoni të jeni prindër. Mes jush dhe mësueseve janë fëmijët.
Nëse zysha thotë që duhet rikopjuar krejt mësimi me shkrim në fletore dhe juve ju duket “pa vlerë”, ju lutem mos t’ia thoni këtë fëmijës. Shkoni po deshët në mbledhjet me prindër dhe diskutojeni, por mos e thyeni autoritetin e zyshës te fëmija se e dëmtoni, fëmijën të parin.
Nëse zysha e gjeografisë (qëllon që ju ta njihni), ju jep “konsiderata” apo “moskonsiderata” për metodën e zyshës së matematikës, ju lutem kapërceni mbi qejfin e muhabetit me zyshën dhe lerjani matematikën zyshës së matematikës.
Nëse mësuesi i fiskulturës vendos t’i nxjerrë në kohë të mirë e të keqe fëmijët e t’u “marrë shpirtin” me ushtrime, ju lutem mos trazoni gjithë miqtë tuaj mjekë për t’i sajuar fëmijës një “raport”.
Nëse nuk jeni dakord me vendimet apo qëndrimet e mësuesve (dhe jeni të lutur të vigjëloni), ju lutem shmangni në sy të fëmijëve do cilësime fyese për mësuesit; fëmijtë tanë nuk kanë nevojë aspak për një aleancë me prindërit kundër zyshës a kundër shkollës. Mos lëshoni pe për këtë, pavarësisht se fëmijët tuaj të zgjuar do mundohen t’ju përfshijnë në Pakte, Aleanca e gjithfarë përbetimesh.
Nëse fëmijët qëllon të marrin nota jo të mira, ju lutem mos i trembni e as mos i fyeni. Rrezikoni t’i bëni rrenacakë e ziliqarë të kompleksuar. Të dashur prindër, kur ju kanë thënë se nota tregon dijen, jua kanë thënë gabim: në fakt çdo notë tregon vetëm një stad të dijes, atë të asaj dite kur është marrë nota. Kush tha që stadi nuk kapërcehet me studim (pa terror!).
Nëse fëmijët ju thonë se “zysha është çmen dhe ka dhënë një mal me detyra”, ju lutem mos u bëni kot zemërdhembshur duke iu shkruar zyshave justifikime rrenash të tipit “erdhëm vonë në shtëpi”, ose “mbrëmë vajza kishte dhimbje koke ndaj nuk i përfundoi detyrat”. Kush ju shkruan tani, edhe e ka bërë dhe është penduar. Fëmija nuk ka nevojë për aleanca rrenacakësh kundër detyrimeve shkollore.
Dhe së fundi: prindër, jini prindër jo shokë! Shokë fëmijët tanë kanë plot e do të kenë plot! Prindër na kanë veç ne, e po na “shokëzuan”, nuk kemi fituar as ne e as ata! Ata kanë humbur prindërit e neve kemi humbur fëmijët.
Kaq kisha, me mend e me zemër! Si prind e si zyshë. Rroftë dija e rroftë shkolla e i paçim mësuesit e fëmijëve! Veç jetës, asgjë tjetër nuk e ka rëndësinë e shkollës. Asgjë! Gjyshja ime më thonte: Shkolla është erz! – dhe kishte të drejtë.
(Nga Ledi Shamku)
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Dhjetë sekrete për të mësuar dhe për të mbajtur mend